E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

“DJALOSHI I PËRJETSHËM” APO KONTI I FOTOGRAFISË SHQIPTARE

Photo 1. Autoportret 1990
Photo 2. Autoportret, 2023

Shkruan: Halil Matoshi

Një mik i tij e quajti një ditë “djaloshi i përjetshëm”.

Ishte pragu i një mbasditeje kur dëgjova se kishte mbushur 41 vjet jetë dhe, sepse vetiu, atë moment VITET, si koncept, m’u shfaqën si një shpikje kotësie e dikujt që gjithsesi bashkë me relativitetin vetëm te Hazir Reka nuk mund të zënë vend.

“Djalosh i përjetshëm”, ai e ndal kohën dhe e bën këtë vazhdimisht, pandalshëm…,pa moshë, por me pak thinja, shpërthyes, i qetë.

Tregimi i tij fillon në vitet ’80. Në “botën e tij” të riprodhuar në shiritin filmik dialogojnë kohët, ngjarjet, njerëzit, lëvizja masive e ‘89-shit, ndërrimet kushtetuese, greva e madhe e minatorëve të Trepçës, shpallja e Deklaratës kushtetuese më 2 korrik, demostratat e ’89, ‘90-tes, krijimi i Alternativës shqiptare, Referendumi dhe pa dyshim Golgota shqiptare, Prekazi i Jasharëve dhe epopeja e luftës atdhetare. Reka ndër shqiptarët e paktë ishte në Prekaz kur u varrosën Jasharët. Ai ishte ndër të parët që pau dhe zuri masakrën e Reçakut. Ai e fiksoi Walker-in tek po thoshte: “Kjo është masakër, djalli e ka vizituar Reçakun” dhe shikonie, portretit të tij i dridhet buza, megjithëse kurrë nuk kam parë fotografi që dridhet! Pastaj Reka është në Bllacë. Krejt çka shprehin fytyrat e shqiptarëve pa atdhe i ruan Hazir Reka të fiksuara në celuloid. Ama bash krejt: frikën, habinë, tmerrin, urrejtjen, urinë, humbjen.

Ato portrete prekin majat e trishtimit njerëzor. Aty është shoqëruar me tmerrin, frikën nga asgjësimi dhe do ta ketë kthyer kokën këndej, ku mbetën varret e të parëve dhe kujtimet e shumë brezave.

A e ka menduar ai kthimin biblik?

Kurrë nuk e kam menduar kthimin, tmerri nuk të linte të mendoj se një ditë do të mbarojë e gjithë kjo.

Edhe pse gjithmonë e kisha në fije shpresë, megjithatë gjithmonë e kam fotografuar çastin.

Fotografitë më tronditëse të tij i kam parë më 1989, Ylfete Humollin të vrarë në Lupç të Besianës, pastaj shumë të rinj tjerë që plagët u dukeshin si trëndafila të posaçelur në trupat e njomë.

Një mik i tij e quajti një ditë “djaloshi i përjetshëm”.

Ishte pragu i një mbasditeje kur dëgjova se kishte mbushur 41 vjet jetë dhe, sepse vetiu, atë moment VITET, si koncept m’u shfaqën si një shpikje kotësie e dikujt që gjithsesi bashkë me relativitetin vetëm te Hazir Reka nuk mund të zënë vend.

“Djalosh i përjetshëm”, ai e ndal kohën dhe e bën këtë vazhdimisht, pandalshëm, pa moshë, por me pak thinja, shpërthyes, i qetë.

A thua Reka nuk ngutet sepse mendon e tek pastaj bën punën e tij?

Në punën e reporterit të luftës pesë minuta janë të mëdha, bile edhe një minutë. Nuk jam fotograf i modës, ngjarjen nuk e inskenoj. Nuk ngutem, sepse jam i tillë. Por, nuk do të thotë se mendohem gjatë para se ta shkrepi aparatin. Ngjarja nuk të lejon meditime përpara, ato vijnë pastaj.

Megjithatë, para se ta bësh fotografinë, duhesh të dish se çka don të fiksosh në atë moment, e kjo nuk zgjatë më shumë se disa sekonda.

Nga skenat me gjak e terror të viteve ’90 e ka fituar jo vetëm një stres, por një sindrom – djersitet gjatë “zënies së ngjarjes”. Ndoshta do t’i kalojë edhe kjo, kur të lërë fotografinë zhurnalistike dhe të merret me vrojtimin e bukurisë konstante të natyrës. T’i rikhehet artit.

A do ta bësh këtë Hazir?

Po, kur nuk ka ndonjë ngjarje të rëndësishme. Domethënë, në çdo vakuum jam marrë me fotografi artistike. Për mua ajo më pushon shpirtërisht. Harroj për një çast atë që kam punuar më herët, momentet e rënda…Në kohën e luftës vështirë ishte të bëhet fotografi artistike, aparati “pengonte” policinë, ushtrinë.

Në atë kohë edhe elementet natyrore kishin një pamje tjetër, sa të tmerruar, po edhe madhështor.

Është rritur me “Zërin”, tashti është reporter i Reuters-it.

Çka kërkojnë shefat nga ai? Vetëm ngjarjen e fiksuar, portretin apo diçka më shumë? Tregimin. Si bëhet një tregim me fotoaparat?

Tregimi me fotografi është më vështirë të realizohet se ai me shkrim.

Puna në agjenci të madhe të jep liri, por edhe kufi. Sepse kur e lëshon fotografinë në rrjet, ajo për pesë minuta arrin në redaksitë më të mëdha të botës. Përgjegjësi e madhe është të tregosh me një pamje, pa shumë fjalë, atë që ka ndodhur ose thjesht një portret personaliteti.

Në fakt, qetësia e tij e ëmbël në dukje është sa e gjelbër aq dhe (sipas ngjyrës së syve) torturuese. E them këtë se gjithçka tek ai duket kaq e lehtë sa edhe e vështirë njëkohësisht.

Pastaj “ikja” që duket se u bën njerëzve është e madhe sa ekzistenca, se ai e kërkon ikjen vetëm i harruar pas punës së tij. Në fjalën e parë i lind vullneti i punës dhe në këmbënguljen e vullnetshme ai njeh vetëm punën, ligji i parë dhe i vetëm i jetës së Hazir Rekës.

Kur e pati tepër ngushtë Reka? Kur iu duk se “po luan me krye?”

Edhe unë, edhe shumë kolegë të mi, kemi qenë në situata shumë të vështira. Secili nga ne kemi qenë në shënjestër të snajperëve. Më e vështira është kur të gjendesh në mes dy palëve që luftojnë, gjatë një ofansive. Në ofansivën në Çyçavicë, ku zgjatën granatimet disa ditë me radhë, çdo ditë për ne ka qenë një sfidë e re, një ballafim me më të keqen. Por, në punën time, ke gjithmonë një moment ku ndihesh tepër ngushtë. Në këtë rast nuk mund të mos i përmendi “shokët e mi të luftës”, me të cilët kam ndarë momentet më të vështira, por edhe satisfaksionet e punës: Shabanin, Visarin, Elidën, Albanin, Nuhiun, Abazin, Sukin.

Sa metra film ia kanë “vjedhur” ngjarjet e Kosovës?

Më mirë të llogarisim me vite jetë.

Askush nuk mund ta dijë me saktësi. Ndoshta edhe as ai vetë.

Ndoshta do të thoshte se “janë shumë pak”, apo se “sikur ta xhiroja edhe njëherë Kosovën a do ta bëja ndryshe?”.

Këmbëngulja si nocion fshihet përpara këmbënguljes që ka ai mbi lupën e kamerës dhe shpirtit të futur në të, simbioza e artit të vizionit të mirëqënë të Hazir Rekës.

Se goditjet e saj janë më të forta se shiu i rrëmbyer, jehona e saj bëhet blatitja e lodhjes përpara së cilës askush nuk mund të dalë për t’ia prishur qetësinë.

Si rriteshin fëmijët e Drenicës nën llastik, “si specat” – i kishin thënë njëherë në Likoc më 1997? Dhe kur shkonte Reka pas një a dy muajve ata ishin bërë për pushkë!?

Askush as edhe ata që natën qeshin me mërzinë e ditës së kaluar dhe as ata që marshojnë duke u ushqyer me trishtimin komik të mediokritetit profesional.

Zëri im më ngjan i vjetër si një këmbanë e varur në boshësi.

Po kolegët e tij “akademikë”? Sa storie të tyre mbetën të dëshmojnë për historinë më të re të Kosovës, sa beteja të luftës atdhetare u fiksuan nga ta? Nuk e shpërfill, ruana zo’ “akademizmin” e tyre, por them: Asnjë. Ata po e prisnin lirinë, këtu në qytet me nge, kurse Reka vraponte pas saj.

Ajo ndodhte në malet e Kosovës, ajo shfaqej herë si vdekje e lemëritshme, herë si triumf.

Nëse arti, secili art, pos të bukurës, duhet ta përmbajë edhe të vërtetën dhe të mirën në thelbin e vet, Hazir Reka është ai: Më i madhi artist i fotografisë në botën shqiptare.

Storiet e tij ilustruan të gjitha ballinat e gazetave dhe revistave botërore, që nga Time londinez, Herals Tribiun, Der Spiegel-i, Figaro, New York Times, deri në Japoni, Lindje të mesme dhe Afrikë.

Sikur nuk do të gjeja vende bosh për të shkruar jehonat e “djaloshit të përjetshëm” të cilat gjithsesi i përkasin vetëm Atij, qarkojnë për të qënë gjithkund, mistike.

Kur mbaron punë, miqtë e tij tregojnë se ai çlodhet përsëri mbi kamerën. Ngreh dy a tri gota raki dhe sërish i rikthehet punës së tij. Pa u ankuar.

Ndoshta e harron veten, se i dhemb shpirti a trupi; ndoshta harron miqtë, sepse ai do që ta bëjë këtë art perfekt. T’i konkurrojë pikturës, poezisë, muzikës?

Ishe te Jasharët për të gjallë të tyre.

Të pata kritikuar më 1997 “pse nuk e fotografove Adem Jasharin”. A ke sot një përgjigje? Thuaje me fjalë, si dukej Adem Jashari në prak të betejës? Si duket ai sot, në tabllon që nuk e ke bërë?

Po. Kam qenë në Prekaz për të gjallë të “njeriut me flatra”, komandantit legjendar. Pata rast t’i vizitoj Jasharët në Prekaz, pas sulmit të dytë mbi këtë familje, në janar 1998. Në ballë të odës së burrave qëndronte baca Shaban. U futën në odë Ademi dhe Hamza. Ishin njerëz me hije! Kishte aty shumë mysafirë. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje bacin Shaban, që rrëfente me urti dhe me gjakftohtësi atë që kishte ndodhur. Ademi i përshëndeti të pranishmit shpejt, rreptë dhe butësosht, duzash dhe doli. Si rrufe. Ashtu siç e kemi secili në kujtimin tonë, e njohëm apo nuk e njohëm personalisht Ademin. Tabllon nuk e bëra, ai e bëri vetë ikonën e vet. Takimin e vazhduam më gjatë me Hamzën, në një dhomë tjetër, pas gjysmë ore. Hamza më tha: “Nëse dëshiron të kesh fotografi, edhe nëse mendon se shkon në Prishtinë dhe nuk t’i merr policia filmat, atëherë mund të bësh fotografi.”

Unë vendosa të mos e bëj asnjë për arsye se mendoja, gabimisht, se filmat e mi me portrete të Hamzës dhe të Ademit me arsenalin e tyre të armëve ngjeshur rreth trupit mund të ishin të rrezikshme për ta. Dhe po t’i kisha bërë, në momentin e sulmit të fundit dhe tragjik mbi këtë familje trime, do t’a kisha ndier vetën tepër keq. Kisha menduar se ndoshta filmat e mi kishin pak faj.

Këtu, me kalimin e kohës, mendoj se tek unë ka prirë ndjenja kombëtare, dhimbsuria dhe jo shumë profesionalizmi.

Varrimin e Jasharëve nuk mund ta harroj kurrë. T’i shoh të shtrirë, trupat e bërë shoshë, të rrëzohen vigajt hej, të gjithë ata që i kisha parë të gjallë, të fortë, plot trimëri, është ende për mua një endërr e keqe e cila fatkeqësisht qe realitet.

Dhe, kur mbaron punë, duket se gjithçka i lehtësohet, i bëhet kaq e lehtë, i thahen djersët, kur në fakt orët kanë ikur duke qenë ditë dhe muaj dhe kur dyshimi mbi punën nuk ka shije më.

Duket sikur tek ai mbërrin momenti kur edhe qetësia me e ëmbël dhe më e ftohtë i largohet në shpërthime dhe në qetësi për të thënë dhe rithënë pas gjithçkaje që ndërton me modestinë e heshtur të tij: “Kjo është, kaq!”

Sa kujtime të gjithkujt pushojnë mbi kohën e shkuar që sa më shumë u kalon koha, aq më vlerë marrin, sikundër vera e futur brenda një kace me duga? Sa tragjedi të Kosovës i ka mbyllur në korniza, për t’i qetësuar, për t’i bërë më të përballueshme? Eternale?

I mendoni si një peizazh të tërë vështrimesh, shtangimesh, nga malli, frika, hutimi, befasia, trishtimi.

Po ata që fati i zuri në “fotografinë e Kosovës?”

Cilën nga këto shikime ke dëshirë ta shohësh shpesh? Dhe cilin kurrë?

Nuk dua më t’i shoh kurrë shikimet e fëmijëve në ikje, të trishtuar, hipur mbi traktor, as vajin e pleqve.

Ta shoh gëzimin e familjeve të kthyer, edhe pse kishin përpara shtëpitë e tyre të bërë gërmadhë.

A njeh sot ndonjërin nga ta? A dëshiron t’i takojë ato fytyra në Likoc, Çyçavicë, Obri, Berishë, pastaj në Bllacë?

Shumë prej tyre i njoh, shumë prej tyre kisha patur dëshirë t’i takoj sepse, në situata të ndrysme, ata ishin pjesë të punës, pjesë të jetës sime. Katër ditë para bombardimeve, në rrugën prej Qirezit në Prekaz, ku isha me kolegët e mi Kurt Schork, Antonio Lloydin, Mark Chesam dhe Lindën, e ndalëm një traktor për t’i pyetur njerëzit se ku shkonin. Një fëmijë i vogël dyvjeçar, i cili ishte lënduar nga një snajper në dorën e djathtë, ishte shtrirë në prehërin e gjyshës së vet dhe qante pa zë, nga frika. U përshëndetëm dhe ata shkuan në drejtim të panjohur. Sod nuk di se kush ishin, nga vinin dhe a janë shëndoshë e mirë. Sa kam dëshirë t’i shoh prapë.

Peizazhi i vështrimeve do të fshihej brenda kompozicionit të kuadrit të tij, që brenda shpërthen, por që asgjë nuk bërtet; ajo flakë e ndezur dhe e fshehur e planit të tij që jepet si në legjendat e harruara me dëborë me qetësinë dhe thirrjet e pyjeve kur vera vdes.

Kur bën portrete, ka shumë pafajësi, habi, tmerr, por edhe groteskë në ato fytyra. I ngjan Agim Çavdarbashës në portretim – i them?

Ndërsa, peizazhi i tij herë është naiv si në tabllot e piktorit të dheut Adem Kastratit, herë ekspresiv, me koloritin e vrugët të Muslim Mulliqit.

Në kuadrin e tij pa zhurmë marrin jetë qoshe të harruara , peizazhe dhe simbole pa zot, letargji shekullore, narracione mitologjike dhe moderne, peizazhe gri memorjesh të dhëmbsura, meditime njerëzish dhe bukuri të fikura dhe të qenësishme. Dhe jetojnë edhe pas rënies shumë ushtarë të UÇK-së që ranë në luftën atdhetare?

Por, ç’ndodhi Rekë, harruam?

Historia nuk harron. Dhe ai që harron historinë e vet, është i dënuar ta jetojë edhe një herë. Kështu thonte Hasan Prishtina

A e kujtoni një këngë të vjetër kelte ?

Kush mund të lundrojë pa vela

Kush mund të lundrojë pa rrema?

Do të merrja guximin të thoja gjithkush nëse këmbëngul të lundrojë. Por, sa pak janë, sikundër ai djaloshi i përjetshëm që me kamerën e tij, vitet i ikin nga sytë për të qenë më i ri se koha e viteve të tij. “Njëherë ai nuk e la as diellin të perëndojë”. Nuk di të ketë ndodhur kjo në Ulqin apo Ohër.

Sekreti i fizionomisë së padukshme të djaloshit të përjetshëm, apo realiteti i mjeshtrit të fotokamerës shqiptare që ka një emër, Hazir Reka.

Dhe ia behu liria zorshëm, dhimbshëm, tmerrshëm…tashti duket krejt lehtësisht, si një fresk pranveror, por si e përjeton Reka lirinë, së brendshmi?

Eshtë pak e mundimshme, sepse u fitua me shumë dhimbje dhe e sotshmja nuk është gjithmonë shume e kënaqshme.

Po a e ka lodhur mjeshtrin “ndalja e kohës”? A do të dëshironte të ndez një llullë duhan dhe në atë tymnajë ta lërë kohën të rjedh pa e fiksuar, që ta lërë këtë art dhe të merret me diçka tjetër, me peshkim ta zëmë?

Dhe sigurisht se nuk do të merret me peshkim, ai do të ndjek në hap lirinë.

Si duket liria Hazir Reka në një fotografi?

Të njejtit fëmi, si në fotografitë e luftës, por shikimi i tyre ka diçka magjike, është plot dritë…Buzëqeshin ndryshe…Edhe para përmendoreve, lapidareve, …

Çka për fund të bisedës, një fillim i ri sigurisht?

Mos të përsëritet e kaluara.

Hazir Reka jeton në qetësi familjare me gruan Nerimanen, letrare dhe djalin Bindin, që është në klasë të dytë dhe vizaton bukur. Reka vërtet përherë është i qetë, por ajo qetësi paralajmëron stuhi. Secila ngjarje dhe secila vepër është një kozmos i ri, një lëvizje që duhet zënë, një kohë që duhet ndalur: për më kujtue!

Dhe kohët përvidhen, lundrojnë në lumin e pakthim, në Kronosin e pamëshirshëm që gëlltit fëmijtë e vet. Reka përkujdeset që të kujtojmë “Kohën e Artë” të Kosovës- çdo gjë do të shëndrohet në pluhur dhe mbi atë pluhur lindin njerëz dhe qytete të reja, stile dhe forma të reja- vetëm arti i tij do të mbes i pashkatërrueshëm dhe na shfaqet herë si retrovizion herë si qortues, na thotë: Kujto! Hazir Reka i ka dhuruar Kosovës në art të qëndrueshëm – një vlerë të identifikueshme dhe individuale. Ai është Konti i artit shqiptar të fotografisë.

(Marrë nga profili i autorit në Facebook)

Të fundit