E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

ÇMIM I PAIMAGJINUESHËM I SHPORTËS HARXHUESE, PASIGURIA E QYTETARËVE DO VAZHDOJË

Isamet Bakiu: “ Me sa po shihet nuk po merren masa për frenimin apo stabilizimin e rritjes së çmimit të shportës konsumatore. Me tensione kaq të larta dhe me këtë çekuilibër të çmimeve nuk e besoj se do të mund të kthehemi ndonjëherë në një treg të ngjashëm me atë të parapandemisë”.

Haxhere Osmani: “ Natyra e inflacionit ndryshon midis vendeve normalisht në varësi të strukturave të tyre ekonomike dhe politikës zbatuese në vend. Ndoshta ky është dhe shkaku që Maqedonia e Veriut është një nga vendet që ka përjetuar rritjen më enorme të çmimit të shportës konsumatorë”.

Shkruan: Puhiza Osmani

Inflacionit në vitin 2023 do të vazhdojë të rritet si pasojë e presionit ekonomik dhe gjendjes të pasigurtë të faktorëve politik. Zinxhiri ekonomik i furnizimit do të vazhdojë që ta rrisë çmimin e shportës konsumatore, gjë që mund të vërehet edhe me grafikun për Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit në Maqedoninë e veriut. Nga kjo mund të shikohet se shpenzimet mujore për një familje katër anëtarëshe janë 51,234 denarë, që do të thotë se çmimi i shportës konsumatore është rritur rreth 19,425 denarë më shumë në janar të vitit 2023 në krahasim me janarin e vitit të kaluar.

Nga Oda Norvegjeze e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Isamet Bakiu u shpreh se që nga viti i kaluar paqëndrueshmëria e faktorëve makroekonomikë dhe politik është shkaktare e inflacionit në Maqedoninë e Veriut, dhe rritjes së çmimit të shportës konsumatore me shifra që dikur mund të dukeshin të paimagjinueshme.

“Edhe pse me fillimin e vitit 2023 nuk ka pasur ndonjë përshpejtim të inflacionit, apo rritje të mëdha të çmimeve, përsëri çmimet mbeten në kulmin e tyre dhe me sa po shihet nuk po merren masa për frenimin apo stabilizimin e rritjes së çmimit të shportës konsumatore. Me tensione kaq të larta dhe me këtë çekuilibër të çmimeve nuk e besoj se do të mund të kethehemi ndonjëher në një treg të ngjajshëm me atë të parapandemisë, mendoj se kemi një rivendosje të përhershme në një treg ku pasiguritë shumëfishohen për qytetarët. Unë gjithashtu jam i mendimit se edhe normat e papunësisë për të rinjtë ndihmojnë në rritjen e këtyre presioneve inflacioniste në të gjithë ekonominë e vendit, sepse nuk ka rritje të produktivitetit. Por si qytetar të këtij vendi ne vazhdimisht presim si në çdo vit të ri, edhe për vitin 2023 një fillim të ri”, thotë Bakiu.

Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ekonomistja Haxhere Osmani thotë se një sërë ngjarjesh globale kanë ndikuar që ekonomia e Maqedonisë së Veriut të përballej me një rritje të madhe të normës së inflacionit në vitin 2022. Duke filluar nga përpjekjet për rimëkëmbje pas krizës së Kovid-19 e deri tek lufta në Ukrainë, situata që kufizuan furnizimin e tregut dhe shkaktuan presione në rritjen e çmimit të shportës konsumatore në vendin tonë.

“Shumë faktorë global që rritën infalcionin në vende të ndryshme të botës, ndikuan gjithashtu të rrisnin çmimin e produkteve të ndryshme dhe të kufizonin furnizimin e tregut me këta produkte edhe në Maqedoninë e Veriut. Por pavarësisht nga tendencat e përbashkëta që e kanë shkaktuar këtë rritje të çmimit të shportës konsumatore, natyra e inflacionit ndryshon midis vendeve normalisht në varësi të strukturave të tyre ekonomike dhe politikës zbatuese në vend. Ndoshta ky është dhe shkaku që Maqedonia e Veriut është një nga vendet që ka përjetuar rritjen më enorme të çmimit të shportës konsumatore, duke e krahasuar shportën e vitit 2019 që ishte 32,000 denarë me atë të vitit 2022 e cila në dhjetori arriti vlerën e 51,000 denarëve”, tha Osmani.

 

 

 

Të fundit