Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, ka deklaruar se në bisedimet e së premtes të presidentit Aleksandar Vuçiq me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Francës, Emmanuel Bonne, atë të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talonin, këshilltar i kryeministres së Italisë, ndërmjetësit ndërkombëtarë jo vetëm që kanë përsëritur platformën franko-gjermane për bisedime të mëtejshme, por se presidenti ka nënvizuar se është vënë në dijeni për pasojat e mospranimit të propozim-marrëveshjes. “Këtu nuk po na ofrohet asgjë e mirë dhe priten vendime të vështira”,- citon kdpolitik.com deklaratën e zyrtarit të lartë serb për Radiotelevizionin e Serbisë.
“Supozoj se kanë vënë në tavolinë konsekuencat politike dhe ekonomike për Serbinë, negative. Vetëm të kuptohemi, ata kanë për qëllim që Prishtinëm, nëse nuk e njohim zyrtarisht si territor të pavarur, përkatësisht ajo që ata e përcaktojnë si Kosovë, ndërsa ne si krahinë e Kosovës dhe Metohisë, të paktën të fitojë karrigen në Kombet e Bashkuara. Është ky një proces që duhet të përfundojë, siç e shikojnë përfaqësuesit që dje ishin për vizitë në Beograd,“- ka deklaruar ministri serb i Mbrojtjes Vuçeviq./kdpolitik.com/