E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

REALITETI I ZYMTË I PRITJES

Vendi ynë kishte shumë njerëz, kishte shumë zhurmë para ca viteve. Njerëz që besonin në një të ardhme premtuese. Por, sot, shtëpitë po mbyllen, njerëzit po ikin, gjithçka duket gri. Zërat shuhen, ëndrrat po zhduken, shpresa venitet. E ardhmja e shumë të rinjve shihet jashtë kufijve. Me valixhet të mbushura me shpresë, ata, e braktisën realitetin e zymtë të Maqedonisë së Veriut, sepse rruga ua vrau këmbët, teatri e biblioteka nuk ju dha asgjë, shkolla e ftohtë i sëmuri, spitali nuk i shëroi, papunësia i bëri të ndjehen të pavlerë, e kuleta bosh nuk ua mbushi tryezën.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Çfarë mund të kërkosh nga jeta kur në vendin tim e në vendin tënd shumë gjëra hedhin hapa së prapthi? Një botë e mbushur me iluzione, kjo është ajo që ne kemi para sysh sa herë hapim rrjetet tona sociale dhe stacionet televizive.

Por, cili është realiteti që vendi ynë ua servon qytetarëve të vetë? A është jeta dhe vendi ynë të gjithë ato fotografi të bukura të fasadave të kryeqendrave, a është vendi ynë një fole ku qytetarët ndjehen të sigurt apo një vend që vërtet punon për zhvillim dhe prosperitet? Këto janë disa nga pyetjet që shumë njerëzve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ua vrasin mendimet çdo ditë e më shumë, dhe jo vetëm mendimet, por edhe vetë jetën.

Realiteti ynë nuk është një fotografi e bukur. Realiteti ynë nuk është qendra e bukur me stil antik e kryeqytetit tonë Shkupit, as natyra e blertë e maleve, as edhe kaltërsia e liqenit të Ohrit. Realiteti ynë janë rrugët e shkatërruara që ne kalojmë çdo ditë, rrugët e pa ndërtuara për të shkuar nga qyteti në fshatrat e largët, janë edhe malet e “qethura” pa mëshirë, drunjtë që bien përtokë si gjëra pa nevojë, apo mbeturinat e hedhura nëpër lumenj që derdhen mandej me vrull në liqene. Këto janë vetëm ca copëza nga e vërteta që askush nuk mund ta fsheh nga syri i njeriut, edhe pse i fshehin nga syri i kamerës.

Vendi ynë kishte shumë njerëz, kishte shumë zhurmë para ca viteve. Njerëz që besonin në një të ardhme premtuese. Por, sot, shtëpitë po mbyllen, njerëzit po ikin, gjithçka duket gri. Zërat shuhen, ëndrrat po zhduken, shpresa venitet. E ardhmja e shumë të rinjve shihet jashtë kufijve. Me valixhet të mbushura me shpresë, ata, e braktisën realitetin e zymtë të Maqedonisë së Veriut, sepse rruga ua vrau këmbët, teatri e biblioteka nuk ju dha asgjë, shkolla e ftohtë i sëmuri, spitali nuk i shëroi, papunësia i bëri të ndjehen të pavlerë, e kuleta bosh nuk ua mbushi tryezën.

Ka shumë njerëz të tjerë që ende presin që lajmi e fotografitë e bukura të bëhen të vërtetat tona, dhe punojnë fort për këtë gjë. Por ne nuk duam të presim gjatë, ne presim që njerëzit që ne ua besuam fatin e vendit tonë, udhëheqësit e vetë shtetit, të dalin në rrugë e të bëhen një me qytetarë. Të zhvillojnë vendin pa marrë një pagesë shtesë, të investojnë në gjërat bazë për jetën, në rrugët, shkollat, spitalet, mundësi punësimi, rroga që përputhen me standardin e jetesës në vend e të na ndezin shpresën e dashurinë për atdheun sërish.

Ne nuk duam të ikim, por nuk i duam as gënjeshtrat. Na tregoni fotografitë e vërteta të Maqedonisë, na jepni atë që është e jona, e mos na mashtroni, sepse ne i kemi sytë hapur e shohim gjithçka. Na bëni ta duam sërish jetën!

Të fundit