E enjte, 2 Shkurt, 2023

SHKUP, BËJNË BETIMIN VULLNETARËT E KORPUSIT TË PAQES

Pesëmbëdhjetë vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes bënë betimin të mërkuren në Shkup ku do t’i shërbejnë komunitetit pas dy vjet pauze për shkak të pandemisë së koronavirusit. Që nga viti 1996 mbi 800 vullnetarë të kësaj organizate kanë shërbyer pothuajse në të gjitha komunat e Maqedonisë e Veriut duke bashkëpunuar me nxënës, mësuesë dhe me organizata të ndryshme.

Maqedonia e Veriut është vendi i 28 nga 62 shtete ku po kthehen vullnetarët e Korpusit të Paqes pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit. Të mërkuren u betuan 15 vullnetarë, të cilët do t’i shërbejnë komunitetin në zona të ndryshme të vendit. Para se të marrin detyrën, ata kanë bërë trajnimin e duhur dhe për dy javë kanë ndjekur kurset për mësimin e gjuhës në zonën ku do të shërbejnë.

“Maqedonia e Veriut është ndër vendet për ku vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë aplikuar më së shumti për të shërbyer dhe kjo është e mrekullueshme”, thotë drejtorja e Korpusit të Paqes për Maqedoninë e Veriut, Deborah Conner.

Odestin Addey është nga Nju Jorku. Ai është angazhuar si mësues i anglishtes në një skollë të Velesit. Ai thotë se fëmijët janë shumë të emocionuar që po mësojnë anglishten me ndihmën e tij. “Ata tanimë e dinë shumë mirë gjuhën sepse shikojnë video në Youtube dhe filma vizatimorë. Janë po ashtu të emocinuar se mësojnë më tepër edhe për Amerikën”, thotë ai.

“Njerëzit janë shumë miqësorë. Vendi është i shkëlqyeshëm me shumë pyje dhe male dhe mua më pëlqen ngjitja në male. Jam e emocionuar që të eksploroj natyrën e bukur të cilën e ofron Maqedonia e Veriut”, thotë një vullnetare tjetër.

Disa nga vullnetarët shfaqën njohuritë e gjuhëve përmes recitimit te vjershave.

Ambasadorja Angela Aggeler, vetë ish-vullnetare e Korpusit të Paqes, thotë se vullnetarët do të marrin me vete, pas kthimit në Amerikë, gjënë më të mirë nga Maqedonia e Veriut, ndërtimin e urave midis njerëzve.

Shumë nga këta vullnetarë zgjodhën të vijnë në Maqedoninë e Veriut dhe kjo është një zgjedhje e mençur, tha ambasadorja, duke shtuar se ky vend është popullor për vullnetarët e Korpusit, sepse pasqyron interesa të thella tek njerëzit, për kulturën, historinë dhe për gjuhët”.

Ajo falendëroi familjet mikpritëse, bashkëpunëtorët dhe shkollat për partneritetin dhe që pranuan dhe po ndajnë kulturën e tyre me vullnetarët. Ambasadsorja tha se dy vjetët e ardhshëm do të jenë tepër të rëndësishëm për jetën e vullnetarëve.

“Do të ballafaqoheni me pengesa dhe mund të ndjeheni të shkurajuar e të përmalluar për vendlindjen, por do të fitoni aq shumë nga kjo përvojë. Do të mund të mësoni se jeni më të fortë se sa keni menduar dhe do ta ndjeni në të ardhmen këtë ndikim”, u tha ambasadorja Aggeler vullnetarëve.

Zëvendës-Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu tha se shpreson që vullnetarët do të ndjekin hapat e paraardhësve të tyre të Korpusit të Paqes për të vazhduar kontributin mbi përparimin e rinisë së këtushme.

Që nga viti 1996 kur erdhën për herë të parë, në Maqedoninë e Veriut kanë shërbyer mbi 800 vullnetarë të Korpusit të Paqes. Ata kryesisht janë angazhuar në shkolla si bashkë-mësimdhënës, me organizata joqeveritare dhe në sektorin privat.

Të fundit