E enjte, 2 Shkurt, 2023

EKSPERTË AMERIKANË PËR HARAMLLËK MAQEDONAS

Çfarë është ajo demokraci funksionale, çfarë janë ato institucione, nëse dikush nga jashtë përballet me krimin e brendshëm?

Shkruan: Katerina Topallova

Maqedonia ka ekzistuar që nga lashtësia, Maqedonia është më e lashtë se dielli, Maqedonia është një vend i lashtë, por e shkreta nuk mund t’ia dalë me krimbat që e hanë nga brenda. Nacionalizmi përhapet më lehtë mes njerëzve të uritur, patriotizmi është ilaçi më i mirë për një dhimbje që nuk dëshiron ta përballosh.

Ekipet e ekspertëve nga SHBA do të na mbrojnë nga haramitë e vendit. Kryeministri fillimisht tha se pajtohet me deklaratën e ambasadores Ageler, nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme, Osmani, u mburr se kanë kërkuar që të vijnë ekspertë amerikanë që do të merren me haramllëkun maqedonas. Si mund t’u besoni këtyre njerëzve se dinë të na çojnë në BE, se dinë se çfarë është më e mira për të ardhmen tonë, se dinë se çfarë plani duhet të bëjnë që vendi të ecë përpara?

Epo, nëse e dini problemin, gjysma e zgjidhjes tashmë është gjetur. Por ne kurrë nuk kemi qenë më pak të zgjuar, thjesht është e vështirë të heqim dorë nga vjedhjet e lehta. Kush ikën nga e bukura? Po ashtu edhe politikanët tanë, a janë budallenj që ikin nga “lumturia”. Dhe ne ende i votojmë, u lëmë amanet që të marrin aq sa duhet dhe kur të kenë nevojë. Dhe ata të shkretët, nuk kanë masë, kështu që tani do të gëzohen se do të vijë dikush nga jashtë dhe do t’u thotë se po vjedhin!

Në vend që të japin deklarata se sa të lumtur janë me ekipin që do të bëjë punën e tyre, duhet të ulin kokën, sepse kjo është edhe një dëshmi tjetër që bindja partiake është bërë markë e këtij vendi, sepse kriteri i vetëm për të qenë i “suksesshëm” janë partitë politike dhe se ndryshe është e pamundur. Të gjitha konkurset për punësim në institucionet shtetërore janë të përshtatura për të afërmit dhe miqtë, kompetencat as kanë qenë dhe as do të jenë arsye që dikush të marrë vendin e punës. Një person është në dhjetë borde administrative dhe mbikëqyrëse, partitë krijojnë këshilla gjyqësorë dhe të prokurorisë, poste drejtuese u jepen njerëzve pa asnjë ditë përvojë, por ama politikanët tanë janë të lumtur që të huajt do të gjuajnë korrupsionin.

Epo, është turp të nënvlerësosh njerëzit në çdo mënyre të mundshme, qoftë edhe me deklarata të budallafta. Lufta patjetër duhet nisur nga brenda, për të ngritur moralin dhe ndërgjegjësimin për diçka të dukshme, sepse populli është lakuriq dhe zbathur. Sepse nuk ka as shqiptarë e as maqedonas që duan kur i vidhni pa kuptim.

Ne nuk kemi spitale, nuk kemi mbrojtje, nuk kemi shkolla, nuk kemi sistem dhe ata do të shtiren të kënaqur që dikush tjetër do të merret me korrupsionin e tyre. Kanë qenë njëqind herë në pushtet dhe opozitë dhe kanë qenë dakord vetëm për një gjë – vjedhjen!

Për cilat institucione funksionale na flasin nëse njëzëri thonë se është mirë që ekspertët e huaj ta shohin turpin tonë. Dhe, çfarë kur do të thonë se kush ishte hajduti? Si përfunduan ata që u etiketuan deri tani? Kush është në burg?

Një proverb thotë – korbi-korbit nuk ia nxjerrë sytë!

Le të shpresojmë që ky turp të përfundojë në paqe dhe të mos ketë një qeveri të re ekspertësh që do të avokojë për një kompromis politik për të fshehur punët e pista të elitës vendase. Le të shpresojmë se kjo betejë e huaj do të na sjellë një përfitim të brendshëm! Më vjen turp, por shpresoj! Shpresoj që e gjithë kjo të mos përfundojë me ngritjen e dy gishtave për ndryshime kushtetuese!

 

 

Të fundit