E enjte, 2 Shkurt, 2023

ZIGZAG: DEPRESIONI

Teoricieni marksist italian Antonio Labriola e ka pas thënë se “idetë nuk bien nga qielli”. Si duket, kjo ndër krerët e partive politike shqiptare, por edhe maqedonase, nuk është se, si qasje, është në “qarkullim”. I mbani mend fushatat e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2020-tës? Korit të krye-opozitarëve shqiptarë për të çuar në opozitë integristët e Ali Ahmetit, iu bashkuan edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev. Ky i fundit madje do mbahet mend edhe për nga spoti në shqip: “BDI në opozitë, pse jo?”. Dua të them, qasjeve të këtilla u ka dalë boja. Ndryshimi vjen jo me llafe, por me punë. Për shkak se vetëm hoxhës i lejohet të thotë “bëje atë çfarë them unë, e mos shiko se çka bëj unë”!

Votuesi nuk fal!

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Përtej kësaj, duket se ligjërimi, më shumë si dëshirë sesa si alternativë, ka për të vazhduar edhe në ciklin e ardhshëm zgjedhor. Në fakt, provë për këtë është edhe një paraqitje e fundit e kreut të Aleancës  për Shqiptarët, Arben Taravari,  i cili, si dhe liderët e partive të tjera shqiptare, por edhe maqedonase, pa marrë parasysh nëse janë në pushtet apo në opozitë, nuk e fsheh dëshirën që intregristët e Ali Ahmetit t’i shohë ‘sa më parë në opozitë”. Në një intervistë për TV24, ai tha se si parti e kanë të përgatitur strategjinë për këtë dhe, për arsye të kuptueshme, tha se “mendoj se nuk është mirë që kjo të thuhet publikisht: “Mirëpo, me ngjarjet që do të ndodhin në fillim, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të shihet se si, dalëngadalë, opozita shqiptare pas 20 vjetësh, tashmë po ndjehet se ka mundësinë që ta sjellë atë ndryshimin të cilin shqiptarët po e presin në Maqedoni gati 20 vjet…E kam thënë se BDI dhe Ali Ahmeti dëmtojnë së pari shqiptarët në Maqedoni, për shkak se nuk është mirë që një parti politike të jetë 20 vjet në pushtet. Thjesht, nuk është mirë as për maqedonasit. Jo rastësisht në demokracitë e zhvilluara, veçmas amerikanen, nuk guxosh më shumë se dy mandate të kesh pushtetin ekzekutiv. Ky është Presidenti. BDI është e infiltruar nëpër institucione. Unë këtë e them shpesh që prej para dy vjetësh: Se institucionet, sidomos në pjesën shqiptare janë të “bdi-zuara” dhe ky është problem përveç se i BDI-së, përveç se për shqiptarët që jetojnë këtu dhe këto institucione të “bdi-zuara” gjatë kohës së periudhës së zgjedhjeve i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat e atyre institucioneve që t’i ndihmojnë BDI-së të ngadhnjejë në zgjedhje. Mirëpo, sundimi i gjatë i BDI-së tashmë është i rrezikshëm dhe i dëmshëm edhe për shtetin!”- ka deklaruar ditë më parë i pari i Aleancës!

Të mos keqptohemi: Ndryshimet e pushtetit janë të shëndetshme për çdo shoqëri! Ama, dorën në zemër, në demokracitë e zhvilluara kjo bëhet dhe arrihet – përmes ofertës dhe u lehet votuesve që në ditën e zgjedhjeve të japin verdiktin për alternativën më të mirë!

Kështu e thënë, qasjes së mësipërme të krye-opozitarit shqiptar i mungon vetëm ideja që në ndryshimet kushtetuese që po paralajmërohen, krahas futjes së bullgarëve dhe heqjes së 20 përqindëshit diskriminues për shqiptarët të futet edhe një nen i veçantë me të cilin “nuk do të lejohej që një parti të fitojë më shumë se dy herë në zgjedhje”!

Të lëmë shakanë mënjanë: Do të ishte e padrejtë të thuhet se Maqedonia e Veriut nuk po e paguan çmimin e tranzicionit të stërzgjatur dhe për pasojë kemi edhe zhgënjimin nga mes të deklaruarës dhe të pazbatuarës nga ana e partive politike që dalin në zgjedhje. Kjo nuk është se është damkë vetëm e partive që  për shkak të ngadhënjimit në zgjedhje  janë në pushtetin qendror, por edhe atyre më të vogla e opozitare që aty-këtu i prijnë pushtetit vendor nëpër komuna. Kundruar nga ky kënd, fitohet përshtypja se, ta zëmë, klientelizimi dhe përkatësia partiake janë dalloja të përbashkëta si për partitë e koalicionit qeverisës ashtu edhe ato opozitare, të pushtetit qendror dhe atij lokal. Së këndejmi, mos avancimi i shtyllave të demokracisë, në sensin e përqafimit të shtetit të së drejtës, të meritokracisë si vlerë, u shkon bjerrë të gjithë atyre që, me fjalë, rrahin gjoks pikërisht për këto standarde, ndërsa realisht nuk po bëjnë asgjë, ose shumë pak, për vënien e tyre në jetë. Prandaj jemi ku jemi: E pranojmë ose jo, kemi erozion të pushtetit të parlamenteve kombëtare e lokale të cilat vazhdojnë të jenë “makineri votuese” dhe për pasojë thellohet zhgënjimi i qytetarëve. Studimet thonë se “partitë politike e lidhin shoqërinë me politikën nëpërmjet programeve zgjedhore dhe politikave partiake që synojnë agregimin dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve në institucionet shtetërore. Për ta realizuar këtë funksion, partitë politike ndërtojnë struktura gjithëpërfshirëse ku qytetarët kanë mundësi t‘i kanalizojnë interesat dhe nevojat e veta, qoftë si anëtarë të partive politike, qoftë duke zgjedhur përfaqësues që i konkretizojnë këta interesa dhe këto nevoja. Rrjedhimisht, duke mobilizuar anëtarë, partitë politike synojnë ta shtrijnë strukturën e tyre sa më shumë në shoqëri, në mënyrë që kjo të përkthehet në më shumë përkrahje, vota dhe autonomi vendimmarrëse”.

Nisur nga kjo, prandaj, nga lideri i opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut pritet që të shpalosë një vizion apo alternativë e cila do të bind qytetarin me të drejtë vote që në zgjedhjet e radhës të bëj ndryshimin. Në vend të marrjes me zbardhjen e diagnozës, të na e shpalosë terapinë për t’ia lënë të kaluarës këtë depresionin opozitar që mjaftohet vetëm me kualifikimin se filan partia na qenka e keqja e më e madhe! Dhe kjo vlen për të dyja shkallët e pushtetit: Shikoni përplasjet për arritje dështimet e Qeverisë qendrore, por edhe të qeverive lokale në, ta zëmë, Shkup, Tetovë apo në Gostivar! Thënë pa hile performancat aktuale demokratike partiake, përkatësisht të funksionimit të pushtetit qendror e vendor nuk është se dallojnë shumë nga njëra-tjetra, sidomos kur është fjala për përkujdesjen që premtim-zotimet parazgjedhore të zbatohen në jetë dhe të bëhen të prekshme për qytetarin.

Teoricieni marksist italian Antonio Labriola e ka pas thënë se “idetë nuk bien nga qielli”. Si duket, kjo ndër krerët e partive politike shqiptare, por edhe maqedonase, nuk është se, si qasje, është në “qarkullim”. I mbani mend fushatat e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2020-tës? Korit të krye-opozitarëve shqiptarë për të çuar në opozitë integristët e Ali Ahmetit, iu bashkuan edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev. Ky i fundit madje do mbahet mend edhe për nga spoti në shqip: “BDI në opozitë, pse jo?”. Dua të them, qasjeve të këtilla u ka dalë boja. Ndryshimi vjen jo me llafe, por me punë. Për shkak se vetëm hoxhës i lejohet të thotë “bëje atë çfarë them unë, e mos shiko se çka bëj unë”! Votuesi nuk fal!

Të fundit