E enjte, 2 Shkurt, 2023

SHBA U SHPALL “LUFTË” TË KORRUPTUARVE NË RMV, NJË EKIP NGA WASHINGTONI ZBARKON NË SHKUP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë shpallur “luftë” personave të korruptuar në Maqedoninë e Veriut, raporton KDPOLITIK.COM. 

Lajmin e bëri të ditur ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, e cila me një postim në Twitter njoftoi se ekipi i posaçëm nga Washingtoni tashmë ka zbarkuar në Maqedoninë e Veriut.

“Ekipi i Sanksioneve nga Uashingtoni vjen këtu për të marrë një vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, të kaluar dhe aktual, dhe për të marrë në konsideratë të gjitha përgjigjet e mundshme. Sektori i drejtësisë i Maqedonisë së Veriut ka nevojë për më shumë hetime, ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar Agelel.

Lufta kundër korrupsionit në botë dhe forcimi i demokracisë kanë qenë dy shtyllat e doktrinës së presidentit Joe Biden që nga zgjedhja e tij në vitin 2021. Nëpërmjet luftimit të korrupsionit dhe forcimit të shtetit të së drejtës SHBA tenton të luftojë ndikimet keqdashëse dhe të forcojë shtetet me demokraci të brishtë.

Të njëjtin prioritet e paraqiti edhe ambasadorja Ageler që nga emërimi i saj në misionin diplomatik në Shkup. Ajo e njeh mirë realitetin politik dhe shoqëror në vend pasi edhe më parë ka qëndruar në mision diplomatik në Maqedoninë e Veriut.

Të fundit