E enjte, 2 Shkurt, 2023

PABARAZITË

Kjo logjikë është demotivuese, deprimuese dhe dekurajuese për ata pak të rinj që shpresojnë se një ditë edhe këtu vlerat do të dalin në sipërfaqe. Se një ditë edhe ky vend do të bëhet. Se një ditë meritokracia do të ngadhnjejë mbi partizimin shkatërrues në gati të gjitha institucionet shtetërore.

Shkruan: Xhelal Neziri

Ndarja në grupe është karakteristikë e çdo shoqërie. Kështu ka qenë historikisht dhe do të vazhdojë të jetë. Njerëzit gjatë historisë janë ndarë në baza racore, religjioze, gjeografike, etnike, sociale, politike, partiake…Grupi më i fuqishëm përherë ka dominuar dhe ka eksploatuar atë më dobëtin. Grupi më i fuqishëm jodomosdoshmërisht duhet të jetë më në numër. Në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me sundimin e pakicës mbi shumicën.

Deri në fund të shekulli të 19-të shtetet u kanë takuar familjeve mbretërore, klerikëve fetarë dhe feudalëve. Ky grup nuk ka qenë as 1% e shoqërisë të cilën e kanë udhëhequr. Pjesa tjetër, pra fshatarësia, ka punuar sa për të mbijetuar. Të parët nuk e kanë ditur ku është kufiri i luksit, ndërsa të dytët kanë ditur vetëm të mbijetojnë. Të parët kanë gëzuar të gjitha të drejtat, ty dytët asnjë.

Një ndarje e këtillë ka shkaktuar atë që quhet kthesë e madhe në histori – Revolucionit Francez i vitit 1789. Një kryengritje që hoqi nga pushteti absolut mbretërit dhe ia dha shtetin popullit. E populli, përmes mekanizmave demokratikë, filloi të zgjedhë përfaqësuesit në institucione dhe udhëheqësit e tyre. Motoja e Revolucionit “liri, barazi dhe vëllazëri” nënkuptonte krijimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe solidare. Nga këtu nisin edhe lëvizje të ndryshme ideologjike, që kërkonin shoqëritë ideale.

Shtetet moderne sot kanë mekanizma më të sofistikuar për të garantuar lirinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor si të drejta fondamentalë të njeriut. Së këndejmi, shteti modern e arsyeton veten vetëm nëse arrin të krijojë mekanizma që do të mundësonin shpërndarje të drejtë të pasurisë. Kuptohet, jo sipas konceptit komunist, por në politikat e taksimit dhe ato sociale. Shtetet me një kapitalizëm të vrazhdë nuk janë moderne – ato u përngjajnë monarkive me sisteme feudale.

TATIMET

Maqedonia e Veriut edhe me Kushtetutë definohet shtet social. “Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social”, thuhet të në Nenin 1 të Kushtetutës. Por, sa në të vërtetë është social? Një studim i kryer së fundmi nga disa profesorë të UEJL-së shpalos një realitet tjetër: nga 3.4 miliardë euro të ardhura personale për një vit, afër gjysmë miliardë shkojnë në llogaritë e vetëm 1% të popullatës. Sipas statistikave shtetërore, numri i popullatës aktive në tregun e punës është afër 950 mijë. Një për qind e këtij numri, pra vetëm 9.500, kanë të hyra vjetore mesatare prej 50 mijë euro secili, ndërkohë pjesa tjetër – pra 99% – kanë të hyra vjetore mesatare prej afër 3 mijë euro secili. Një dallim i madh që thellon ndasitë sociale dhe prodhon turbulenca të natyrave të ndryshme. Andaj, ky studim rekomandon kalimin nga norma e sheshtë e tatimit të të ardhurve personale në atë progresive. Me këtë reformë më të pasurit do të paguanin më shumë tatim sepse munden, kurse shtresat më të varfra do të taksoheshin më pak.

Përvoja nga shumë shtete që kanë instaluar normë progresive të tatimit personal është se kjo reformë ka përkrahje të gjerë popullore. Madje, “pakica” e pasur nuk e ka problematizuar asnjëherë reformën pasi e ka konsideruar si të drejtë. Andaj sot pjesa më e madhe e shteteve, qoftë ato demokratike apo autokratike, kanë një sistem korrekt të pagesës së tatimeve me qëllim që të zbusin pabarazitë sociale. Megjithatë, kjo në Maqedoni të Veriut ende duket mision i pamundur. Duket se ky 1-përqindshi i pasur është shumë më i fuqishëm në drejtimin e shtetit sesa pjesa tjetër e popullsisë. Apo edhe shumë egocentrik dhe josolidar. Tentimi për të zbatuar normën progresive dështoi në vitin 2019 për shkak se më të pasurit gjenin forma të ndryshme për t’i ikur tatimit. Ky refuzim i të pasurve për të paguar më shumë tatim solli në uljen e të ardhurave buxhetore, gjë që detyroi Ministrinë e Financave ta vendosë nën moratorium për 36 muaj.

KONKURSET

Një tjetër pabarazi tjetër shfaqet kur bëhet fjalë te mundësitë e punësimit dhe përparimit në karrierë. Ka kohë që në Maqedoninë e Veriut duhet të jesh “fëmijë i dikujt” që të zësh një vend pune. Është bërë një normalitet i vrazhdë, ku diskriminimi në bazë të shtresave shoqërore ka zëvendësuar diskriminimet e periudhës komuniste dhe postkomuniste.

Ka një sërë institucione, kompani, komisione, borde dhe agjenci shtetërore ku paga mujore është më e lartë sesa ajo e kryeministrit. Pikërisht këto vende “rezervohen” nga të pushtetshëm, në nivel qendror apo lokal, të cilët pushtetin nuk e kuptojnë si detyrë e marrë nga populli për të kryer punë në interes të përgjithshëm, por si mundësi jetësore për të përfituar vetë dhe për të rehatuar të afërmit.

Konkursi ka kohë që paraqet vetëm një formalitet dhe ”punë të bezdisshme letrash“, ndërkohë që vlerësimi i kualifikimit dhe kualitetit të kandidatëve është në proporcion të drejtë me nivelin e funksionit që mban “dikushi” që u qëndron prapa.

Kjo logjikë është demotivuese, deprimuese dhe dekurajuese për ata pak të rinj që shpresojnë se një ditë edhe këtu vlerat do të dalin në sipërfaqe. Se një ditë edhe ky vend do të bëhet. Se një ditë meritokracia do të ngadhnjejë mbi partizimin shkatërrues në gati të gjitha institucionet shtetërore.

Nëse dëshirojmë të krijojmë një shoqëri të zhvilluar, ne patjetër të ndërtojmë një shoqëri të barabartë. Kjo shoqëri e barabartë nënkupton drejtësi, mundësi të barabarta dhe solidaritet. Replikimi i monarkive mesjetare nuk mund të sjellë as stabilitet e as zhvillim.

Të fundit