E shtunë, 28 Janar, 2023

VRAU GRUAN SHTATZËNË NË KOSOVË, SOKOL HALILI KRYEN VETËVRASJE

Sokol Halili, personi që ishte shpallur në kërkim si autor i vrasjes së ish-bashkëshortes së tij në Kosovë dy ditë më parë, ka kryer vetëvrasje, teksa policia po përpiqej ta arrestonte.

“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës, si dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit.”  Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla në një postim në Facebook

Sipas informacioneve, ai është gjetur në Davidovc të Shtimes në shtëpinë e familjarëve të tij.

Vrasja e 35-vjeçares ndodhi vetëm një ditë para se Hamide Magashi të lindte fëmijën. Ata ishin martuar këtë vit, por ishin ndarë para katër muajsh pas konflikteve me njëri-tjetrin.

Motra e viktimës ka treguar jashtë kamerave se për gjashtë muaj, autori e ka mbajtur mbyllur viktimën, ndërsa ajo ishte në pritje të fëmijës së tyre të parë. Mësohet se autoritet kanë qenë të njoftuar për rastin e abuzimit ndaj viktimës dhe se ajo kishte urdhër-mbrojtjeje.

Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor, një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë. Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16-ditore kundër dhunës ndaj gruas me moton “As edhe një më shumë”.

Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar 2273 raste të dhunës në familje.

Të fundit