E martë, 29 Nëntor, 2022

STUDIUESI MEHMET ELEZI: GJUHA SHQIPE ËSHTË E GJALLË, ËSHTË DASHURI NË VEPRIM

Mehmet Elezi është autor i shumë veprave letrare dhe publicistike, ndërsa në sferën e gjuhësisë ka botuar “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, i cili përmban 41000 fjalë dhe rreth 54000 kuptime.  Në një intervistë ekskluzive për KDP-në, Elezi thotë se Dita e Abecesë (Alfabetit) të gjuhës shqipe është gur kilometrik në kulturën dhe historinë tonë kombëtare. Ai thotë se është për një reformë gjuhësore e shestuar nga dijetarë që u rreh zemra shqip. “Duhet një reformë gjithpërfshirëse, që e hap standardin, pa ia prekur bazën dialektore. Që gjuha standard të përfshijë të gjitha vlerat e qenësishme të gjuhës shqipe, të përjashtuara për arsye jashtëgjuhësore. T’i përfshijë në mënyrë shkencore, të qëndrueshme, në përputhje me ligjet e brendshme të gjuhës. Një reformë e tillë e pasuron standardin, e mbush me jetësi. thotë ai në intervistën për KDP-në. Sipas tij, përqafimi i standardit në hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë ka qenë zgjedhje atdhetare

INTERVISTOI: KDP

KDP: Njëzetedy Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, i cili u miratua 114 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është ditë jo pune. Në njëfarë mënyre – festë shtetërore. Përse nuk është kështu as në Shqipëri e as në Kosovë?

Mehmet Elezi: Dita e Abecesë (Alfabetit) të gjuhës shqipe është gur kilometrik në kulturën dhe historinë tonë kombëtare. E para, për zgjedhjen që bënë ata dijetarë e atdhetarë të mëdhenj. Kapërcyen trysnitë e gjithfarshme për të miratuar abece osmane, abece cirilike, abece greke. Vendosën për shkronjat latine, të qytetërimit perëndimor.  Sepse shqiptarët i përkasin qytetërimit perëndimor. Ia përcollën edhe një herë fuqishëm Europës këtë kumt. E dyta, për frymën thellësisht demokratike në Kongres. U paraqitën dy projekte, u diskutuan, nuk ranë në një mendje. Por u morën vesh për thelbësoren: t’ua përcjellim shqiptarëve të dy projektet, le të vendosin ata. Kjo ndodhte kur shqiptarët ende s’kishin shtet, ishin nën perandorinë osmane. Sikur të ishte ndjekur kjo gjedhe (ky model) demokratik në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, punët do të kishin rrjedhur tjetërsoj. Por në Kongresin e 1972-it nuk mund të shprehej asnjë mendim ndryshe, për projekt alternativ as që mund të mendohej. Gjithçka ishte e paracaktuar politikisht.

KDP: Shënimi i 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe ka riaktualizuar çështjen e rishikimit të standardit. Ju jeni ndër ithtarët më të zëshëm të kësaj. Përse po zvarritet hapje-mbyllja e debatit njëherë e përgjithmonë?

Mehmet Elezi: Fanatizmi në mbrojtje të standardit duket se është fanatizëm në mbrojtjen e një politike të vjetër, të shkuar. Druaj se disave u dhemb më shumë kjo politikë se gjuha shqipe. Fanatizmi pjell herezinë, thotë Niçja. Duke mos pranuar asnjë reformim të standardit, nxiten e forcohen prirjet kundër tij. Një standard i ngurtësuar i nënshtrohet gërryerjeve të kohës. Këto janë të rrezikshme.

KDP: Nga këndvështrimi juaj çfarë duhet bërë në mënyrë që ithtarët e të dyja taborëve të dalin të kënaqur?

Mehmet Elezi: Sipas meje, duhet një reformë gjuhësore serioze. Janë tri realitete që e kërkojnë. 1. Standardi që kemi u vendos mbi kritere politike, oruelliane. U lanë jashtë rreth gjysma e pasurive të gjuhës shqipe, vlera të gramatikës e të fjalorit.  Ato nuk mund të mbahen më si të dënuara politike. 2. Shqiptarët në rajon nuk ndahen më me mur Berlini. Ata janë (gjysmë) të lirë. Shkojnë e vijnë, shkëmbejnë vlera, mallra, dashuri. Por hapësira të tëra shqiptare nuk e gjejnë kënaqshëm veten te standardi, ka vështirësi në përvetësimin e tij.  Gjuha standard duhet të jetë e të tërëve, jo vetëm e “fshatit tim”.  3. Dukuritë e kohës, integrimet europiane dhe globalizmi sjellin përfitime, por edhe rreziqe. Gjuhët e kulturat “e vogla”, me imunitet të brishtë, rrezikohen më fort. Janë nën trysninë e shtuar të gjuhëve e kulturave të tjera, të anglishtes sidomos. Gjuhës së standardizuar i duhet imunitet i përforcuar, me i përballue këto sfida.

Duhet një reformë gjuhësore, që i merr parasysh këto rrethana. Reformë e shestuar nga dijetarë që u rreh zemra shqip. Nuk bëhet fjalë me e përmbysë standardin. Komunizmi e shembi standardin e gjithëpranuar të Komisisë Letrare të Shkodrës, për të filluar nga e para, krijoi një precedent të rrezikshëm. Në liri nuk duhet të përsëriten precedentë të tillë, liria nuk është negativ i diktaturës. Duhet një reformë gjithpërfshirëse, që e hap standardin, pa ia prekur bazën dialektore. Që gjuha standard të përfshijë të gjitha vlerat e qenësishme të gjuhës shqipe, të përjashtuara për arsye jashtëgjuhësore. T’i përfshijë në mënyrë shkencore, të qëndrueshme, në përputhje me ligjet e brendshme të gjuhës. Një reformë e tillë e pasuron standardin, e mbush me jetësi.  I motivon krejt shqiptarët për të folur e shkruar në standard. Për ta mbrojtur atë.

KDP: Problemet e shqipes dhe të drejtshkrimit të saj këto ditë po shqyrtohen zëshëm këtu në Tetovë e Shkup, por edhe te ju në Tiranë e në Prishtinë. Është momenti për një Kongres të ri?

Mehmet Elezi: Mendoj se është momenti për studime serioze, çfarë ka të mirë standardi i sotëm dhe çfarë duhet ndryshuar, duke e reformuar. Kongresi duhet të vijë si përmbyllje dhe fryt i këtyre studimeve.

KDP: Kohë më parë kam lexuar “Kosova dhe Enver Hoxha” të Esat Myftarit, ku hedh dritë në hezitimin e gazetës “Rilindja”, në Prishtinë, për të nisë e para zbatimin e standardit, në përputhje me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe në vend të saj këtë e bëri “Flaka e Vëllazërimit” në Shkup… E shtrova si çështje për t’ju pyetur se mos vallë edhe sot politika ka për ta bërë të veten?

Mehmet Elezi: Përqafimi i standardit në hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë ka qenë zgjedhje atdhetare. Në Kongres akademikët e këtyre hapësirave votuan politikisht, si shqiptarë. Duhej ndaluar përçarja gjuhësore. Një përçarje gjuhësore do të çonte në përçarje kombëtare të pakthyeshme. Ky ka qenë synim i kahershëm i Beogradit, që fliste për “shiptarë” e për “albanci”, duke dashur t’i paraqesë si “dy kombe”. Ata kanë meritë për këtë votim. Anipse vendimet e Kongresit kanë mangësi të mëdha, tashmë të njohura.

KDP: Si do të tejkalohet kjo?

Mehmet Elezi: Kapërcehet, nëse mendohet për gjuhën shqipe, si kryevlera që na njëjtëson si shqiptarë. E kam përmendur edhe një herë tjetër si metaforë historinë e të dashurës së Odise Paskalit: ajo i vdiq dhe skulptori për shumë kohë e ruajti zemrën e saj në formalinë. Por edhe pse e ruajtur, ajo zemër nuk rrihte më. Gjuha shqipe është e gjallë, është dashuri në veprim. Standardi i saj nuk mund të mbyllet në formalinën e nostalgjisë për një politikë të vdekur, pa të ardhme. Ai duhet të mbushet me jetë, duke marrë prej gjuhës së gjallë, të përditshme, plot energji, që gurgullon në krejt trevat shqiptare. Për këtë duhet të vetëdijësohemi të gjithë, të punojmë të gjithë: media, njerëzit e letrave, shkolla, intelektualët. Akademikët të parët. Zgjidhja ka një emër: reformë, reformë.

 

Të fundit