E martë, 29 Nëntor, 2022

RIORGANIZIMI I ADMINISTRATËS, SPROVA E VËSHTIRË E “ÇLIRIMIT” NGA “ KTHETRAT PARTIAKE”

Nëpërmjet një pilot projekti po shihen mundësitë e riorganizimit të administratës publike, ndërkohë që gjetjet sugjerojnë shuarje të disa institucioneve ekzistuese dhe krijim të institucioneve të reja. Profesori universitar Jusuf Zeneli thotë se para se të fillohet me këtë proces do të duhej të hapej një debat publik për të diskutuar se cilat institucione do duhej të shuhen e cilat të krijohen. Politologu dhe gazetari Enis Murtezi thotë se administrata do të duhej të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të interesave partiake. “Riorganizimi i Administratës Publike është nevojë e domosdoshme për shkak se siç e dimë në vendin tonë kemi administratë të stërngarkuar dhe të ngulfatur në kthetrat e partive politike. Administrata duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo t’u shërbejë interesave partiake”, thotë Murtezi

Shkruan: Gentuar Ismaili

Me qëllim të funksionimit më efikas të administratës publike, do të shuhen disa institucione ekzistuese dhe do të krijohen disa të reja, por të punësuarit nuk do të largohen nga vendet e punës. Drejtorët dhe anëtarët e këshillave drejtues do të largohen plotësisht. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e pilot projektit, që synon riorganizimin e sistemit të administratës publike, i cili mbështetet nga delegacioni i BE-së në vend.

Për momentin ky projekt po realizohet në tri ministri, në atë të Ekonomisë, Administratës dhe të Bujqësisë.

Për ta realizuar këtë proces, është e nevojshme të ketë konsensus politik dhe votim me 2/3 në Kuvend.

Koordinatorja e këtij projekti Sllagjana Tesevska ka theksuar se kanë për qëllim shmangien e praktikave të krijimit të institucioneve të pavarura jashtë ligjit, sikurse krijoheshin institucione dhe agjenci me ligjet e posaçme.

Ekspertët dhe njohësit e kësaj fushe thonë se para se të ndodh ky proces, duhet të hapet një diskutim i gjerë publik, në të cilin të gjithë aktorët e jetës publike që janë pjesë e këtij procesi të kontribuojnë në mënyrë aktive, që ky proces të jetë sa më efikas.

Profesori universitar i të drejtës administrative Jusuf Zeneli thotë se para se të fillohet me këtë proces do të duhej të hapej një diskutim publik në të cilin do të diskutohej se cilat institucione të shuhen e cilat të krijohen.

“Së pari duhet krijuar data baza e tyre dhe të hapet debati publik për të argumentuar bashkimin e tyre, sepse kjo situatë jo vetëm se e ngarkon administratën shtetërore – publike, mirëpo hap edhe konflikt për kompetencë, në situata të caktuara. Hapja e bisedimeve me Bashkimin Evropian detyrimisht do të kërkoj reformën edhe në këtë sferë. Mirëpo, qëllimi është se ky proces duhet filluar sa më parë ngase kërkon shumë kohë dhe shumë kompromise. Duhet të arrijmë në plotësimin e synimit për të pasur administratë operativisht funksionale, të organizuar, më të përsosur, më përgjegjëse, të kontrolluar dhe më të pranuar”, thotë Zeneli.

Politologu dhe gazetari Enis Murtezi është i mendimit se administrata do të duhej të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të interesave partiake.

“Riorganizimi i Administratës Publike është nevojë e domosdoshme për shkak se siç e dimë në vendin tonë kemi administratë të stërngarkuar dhe të ngulfatur në kthetrat e partive politike. Administrata duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo t’u shërbejë interesave partiake. Shumë herë në të kaluarën është premtuar riorganizim i administratës, ndërsa shumë pak është bërë në këtë drejtim. Ajo që shpresojmë tani, është se me hapjen e kapitujve me BE-në, medoemos që edhe administrata jonë të harmonizohet dhe të jetë komfor standardeve të BE-së”, thotë Murtezi.

Përndryshe, për t’u zbatuar ky proces do të duhej të krijohej një ligj i veçantë dhe sipas ministrit të Administratës Admirim Aliti, informacioni për këtë ligj ka kaluar para një muaji në seancë qeveritare, kurse para deputetëve në seancë parlamentare, pritet të shkoj në korrik 2023.

 

Të fundit