E martë, 29 Nëntor, 2022

PSE DIGJITALIZIMI ËSHTË I RËNDËSISHËM NË RMV? DANILOVSKA: PËRFITIMET JANË TË MËDHA…

Përfitimet për qytetarët nga përdorimi i shërbimeve elektronike në vend që t’i presin në sportel janë të shumta…thekson Josifovska Danilovska.

Shkruan: Enis Shaqiri

Digjitalizimi dhe transformimi digjital gjatë viteve të fundit janë ndër prioritetet kryesore edhe për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njësive të vetëqeverisjes lokale. Sipas analizës së Fondacionit “Fridrih Nauman” (Friedrich Naumann) dhe “Metamorfozis” (Metamorphosis) (Analiza e E-shërbimeve në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut), shumica dërrmuese e përdoruesve të këtyre shërbimeve shohin përfitime të konsiderueshme nga kjo mënyrë e organizimit dhe dispozicionit të shërbimeve

Nga analiza rezulton se kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve nga njësitë e qeverisjes lokale në këtë pjesë janë të rëndësishme dhe me priorite.

Mila Josifovska Danilovska,
menaxhere e Programit, Përgjegjësia Sociale dhe të Drejtat e Njeriut Online në Fondacionin Metamorfozis thekson për KDP se në ditët e sotme teknologjia digjitale është mjeti kryesor për vendosjen e urës ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Ndërsa nëpërmjet e-qeverisjes, siç thekson ajo sigurohet transparenca, efikasiteti i administrates publike, si dhe rritet llogaridhënia e institucioneve ndaj publikut.

Teknologjia digjitale është një nga mjetet më të rëndësishme për vendosjen e urës ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, si dhe rritjen e efikasitetit të funksionimit të institucioneve shtetërore dhe llogaridhënies së tyre ndaj qytetarëve. Nëpërmjet e-qeverisjes sigurohet transparenca në atë mënyrë që të rriten mundësitë/kanalet e qytetarëve për të komunikuar me institucionet, të përmirësohet efikasiteti i administratës publike, të rritet llogaridhënia e institucioneve ndaj publikut dhe sigurisht dhe përmes internetit qytetarëve tu mundësohet të marrin pjesë më shumë në proceset politike. Rritja e transparencës nënkupton qasje më efikase në informacion për punën e përgjithshme të administratës publike, nga strategjitë, planet, buxhetet, dhe  veçanërisht është e rëndësishme sepse kontribon në mënyrë thelbësore në parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e besimit në institucione, ” thekson Josifovska Danilovska.

Transformimi digjital sot imponohet në radhë të parë si nevojë për hir të qytetarëve.
Ky proces i digjitalizimit garanton transparencë, gjithëpërfshirje (inkluzivitet) dhe hapje, duke plotësuar kështu parakushtet për qeverisje të mirë dhe efikase.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, “në tremujorin e parë të vitit 2022, 86.6% e amvisërive kanë pasur qasje në internet nga shtëpia. Në tremujorin e parë të vitit 2022, nga popullsia e përgjithshme të moshës prej 15 deri 74 vjeç, internet kanë përdorur 88.3%, ndërsa 73.9% e kanë përdorur disa herë gjatë ditës”

Procesi i zhvillimit të e-Qeverisjes në nivel qendror dhe lokal në RMV filloi në fund të shekullit të 20-të, por implementimi më serioz vijoi pas përgatitjes së Strategjisë Nacionale për zhvillimin e shoqërisë informatike dhe planit të veprimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 2005, si dhe zhvillimi i partneritetit me “Microsoft”, që rezultoi në krijimin e portalit www.uslugi.gov.mk

Sipas hulumtimeve, performanca e shërbimeve të e-qeverisjes në RMV është më e ulët se mesatarja e BE-së e arritur në vitin 2010. Pasiqë, qytetarët shpesh nuk kanë informacion të mjaftueshëm në lidhje me e-shërbimet.

Ndryshe, nga këndvështrimi i përfitimeve Josifovska Danilovska konkrete thotë se qytetarët nga procesi i digjitalizimit përfitojnë, jo selektivitet në ofrimin e shërbimeve publike, shmangie nëpër sportele, mbështetje për të ashtuquajturën ekonomi e gjelbër, si dhe shmangie të proceseve të ndryshme burokratike. Ndërsa transformimi digjital, sipas saj, në të gjitha sferat dhe për të gjitha grupet shoqërore (pa përjashtim) është një mekanizëm efektiv për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Përfitimet për qytetarët nga përdorimi i shërbimeve elektronike në vend që t’i presin në sportel janë të shumta – nga kursimi i kohës dhe shmangia e proceseve të ndryshme burokratike për të cilat qytetarët në mënyrë të pashmangshme kalojnë nga sporteli në sportel, deri te kursimet në buxhetin e tyre të brendshëm, të paktën për shkak të rrugës  që do të kalojnë duke shkuar nga institucioni në institucion, për të mbrojtur shëndetin e tyre etj. Në kushte ideale, me ndërveprueshmëri të mirëvendosur ndërmjet institucioneve si dhe shërbime elektronike me shkallën më të lartë të sofistikimit, qytetarët duhet të shpenzojnë disa minuta për të marrë një shërbim elektronik nga institucionet, në vend që ta presin me ditë, në disa raste edhe javë. dhe muaj.Mundësimi i shërbimeve elektronike do të thotë transparencë më e madhe e proceseve publike si dhe më pak hapësirë për korrupsion. Në vend që qytetarët të ndjekin sportelet me zyrtarët dhe të kërkojnë dikë që t’i “mbarojë punët” më shpejt, ata e marrin shërbimin e tyre elektronik përmes një sistemi që është i njëjtë për të gjithë dhe që ofron shërbimin automatikisht,” thekson Josifovska Danilovska.

Transformimi digjital u mundëson qeverive lokale dhe qendrore të transformojnë modelet e tyre të punës, të krijojnë infrastrukturë digjitale dhe të mundësojnë procese të reja dhe më efikase, të gjenerojnë më shumë vlera dhe të lehtësojnë produktet dhe shërbimet e reja digjitale, me të ashtuquajturat e-shërbime.

E-shërbimet nënkuptojnë më shumë sesa thjesht një ueb-faqe active, nënkupton futjen në përdorim të zgjidhjeve praktike të TIK-ut me të cilat lehtësohet aksesi në shërbime për qytetarët dhe jetën e tyre të përditshme dhe, më e rëndësishmja, pasi këto zgjidhje të mundësohen dhe integrohen, nevojitet qëndrueshmëri në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Të fundit