E martë, 29 Nëntor, 2022

ALFABETI I ORIENTIMIT PERËNDIMOR TË SHQIPTARËVE

Unifikimi i alfabetit mundësoi lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ndërkohë që fuqizoi konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe. Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Padyshim që 22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është njëra nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Është momenti kyç i cili e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore. Kjo datë është përkujtuar gjithmonë nga shqiptarët në forma të ndryshme.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 Nëtorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, nga klube dhe shoqata të shumta.

Para kongresit gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë e më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet.

Në këtë kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Kryetari i kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarët ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë kongres.

Unifikimi i alfabetit mundësoi lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ndërkohë që fuqizoi konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vitesh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.

Një nga pjesëmarrësit e shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Për shqiptarët e Maqedonisë 22 Nëntori është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në qytetin e Manastirit funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale e në letër.

Alfabeti i përbashkët u bë në fakt pararendësi i pavarësisë, i shtetit të përbashkët, që u themelua katër vite më vonë në Vlorë.

Të fundit