E martë, 29 Nëntor, 2022

RASTI “KURTI”

Albin Kurti. Ai, bash nuk mund të zbutet. Metodat standarde të kontrollit të liderëve të korruptuar të Ballkanit tek Kurti ashiqare nuk pijnë ujë. Këmbëngulja dhe vendosmëria me të cilën Kurti refuzon të ashtuquajturat “rekomandime të partnerëve tanë perëndimorë”(dikur kjo quhej: diktat) sugjeron që ata të cilëve u hedh ftohtë fytyrës “jo”-në për “jo” në arkivat e pasura të shërbimeve të tyre sekrete nuk kanë se me çfarë ta shantazhojnë.

Për shkak se nuk dëgjoi diktatin, tashmë një herë u revokua. U kthye më i fortë.

Shkruan: ANDREJ NIKOLAIDIS*

Rasti “Kurti” na mëson pse për popujt e vegjël ballkanik është e rëndësishme të kenë liderë të pa korruptuar: sepse vetëm të tillët mund të thonë “jo”. Të tjerët firmosin çfarëdo që ambasadat e Kuintit të vënë përpara tyre. Liderët e korruptuar janë garancia më e mirë e statusit (neo)kolonial të shteteve të tyre. Këtë e dinë miqtë tanë të mëdhenj, dhe prandaj investojnë me kënaqësi pikërisht tek këta. Dhe më pas, kur këta imbërthen iluzioni se mund të mbajnë qoftë edhe një gjurmë autonomie, i përmbysin.

Korrupsioni është heqje dorë nga norma, ajo që prish normën. Kjo nënkupton se ndershmëria është standard. Ndoshta, por ku kjo: Në Disneyland? Ose në rrëfenjat për “kohët e mira, të vjetra”, kur “dihej rendi”… Megjithatë… nëse korrupsioni është aq i përhapur sa është normë – dhe është – atëherë ndershmëria është ajo që është problematike. Ajo, në fakt, korrupton deri në palcë sistemin e korruptuar. Me këtë rast, ndershmëria është ajo që nuk do të tolerohet. Ajo është  ajo që ti mbyll të gjitha dyert dhe pengon ngritjen tënde në hierarkinë shoqërore.

Prandaj para do vjetësh e revokuan Kurtin. Sepse nuk ishte i korruptuar dhe nuk donte të sillej sikur të ishte i korruptuar: Ai, domethënë, nuk ishte i dëgjueshëm.

Korrupsioni është gjendja bazë e politikës. Njerëzit nuk merren me politikë dhe nuk e duan pushtetin për të “realizuar idetë e tyre” dhe për të “konsoliduar vlerat e tyre”, por për shkak të: seksit, parasë dhe pushtetit. Dhe ajo Trini Jo e shenjtë është e lidhur pazgjidhshmërisht… Sikurse tha një i mençur: gjithçka në botë ka lidhje me seksin. Përveç vetë seksit. Që është çështje takati.

Gënjeshtra është vegla themelore e politikës. Në politikë, gënjeshtra është konventë. Ndryshe nga shumë, shihni, unë nuk besoj se politikanët tanë po mashtrojnë popullin. Politika nuk është fizikë kuantike. Të gjithë kuptojnë gjithçka. Kur qytetarët mbështesin politikanin, ata nuk e bëjnë këtë sepse nuk e kuptojnë se ai/ajo gënjen, por pikërisht se e kuptojnë pse gënjen – ç’është ajo që me gënjeshtra  përpiqet ta mbulojë. Dhe këtë e tumirin, sepse mendojnë se qëllimi i përbashkët i justifikon mjetet.

Kështu është lokalisht, kështu është globalisht. Struktura e gënjeshtrave dhe e hipokrizisë është universale. Shihni, fjala vjen, se si amerikanët në rajon po e forcojnë sundimin e ligjit për të cilin angazhohen në mënyrë retorike – ashtu që nga Kosova kërkojnë të suspendojë zbatimin e ligjeve të veta, për shkak se grupet kriminale nga veriu nën kontrollin e Vuçiqit nuk duan të pranojnë ligjin. Problem është mungesa e shtetit ligjor, thonë amerikanët. Dhe pastaj kërkojnë që ligji të mos zbatohet, sepse i përkëdheluri i tyre çetnik qahet, ndaj duhet qetësuar.

Dhe, sakaq Kurti u thotë: “Nuk mundet”.

Atë që në Kosovë e bën Kurti, në Bosnjë e Hercegovinë e bën Komshiqi. Dallimi është se Kurti ka pushtetin ekzekutiv, ndërsa Komshiqi jo. E megjithatë, edhe njëri, edhe tjetri, demonstrojnë mosbindje dhe refuzim të konventës që thotë se vendimeve të Perandorisë, çfarëdo qofshin ato, vetëm u thuhet amin.

Kjo, natyrisht, nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Nëse unë prej vitesh tërheq vërejtjen se në Ballkan politika ruse dhe amerikane janë në sinergji dhe jo të kundërvëna: Se objektivisht u konvenojnë tre projekteve për shtete të mëdha: serb, kroat dhe shqiptar; se, në vend që të shtypnin nacionalizmat e shteteve të mëdha, ata nacionalizma vendosën t’i trajtonin si partnerë në rajon; se, të gjithë së bashku, e bëjnë rajonin të paqëndrueshëm dhe aktorët në rajon janë të fokusuar në zgjerimin e territorit, dhe jo në demokratizimin dhe integrimin evropian – kjo, të mos mashtrohemi, ka pasoja. Dalin njerëz me qëllime të mira të cilët paralajmërojnë se ky është  “antiamerikanizëm”, dhe shumë dyer u mbyllen.

Sigurisht se e keni vënë re se, siç thuhet, partnerët tanë perëndimorë angazhohen në mënyrë parimore për lirinë e fjalës. Po, por mos dhashtë Zoti t’u thuash çfarë mendon për ta. Sakaq shërbëtori i tyre dhe yni kolonial shpjegon se me zotërinë nuk guxon të flitet kështu, madje edhe nëse zotëria nuk ka të drejtë.

Hëm, këtë po dua t’ju them: Më shumë njerëz si Kurti. Kjo na duhet. Përndryshe, do të keni një elitë politike e cila kinse është qytetare dhe kundër nacionalizmit, kurse në praktikë betonon nacionalizmin dhe pasojat e nacionalizmit tek dy “popujt konstitutivë” (lexo: betonon HDZ-në dhe RS-në). Në të kundërtën, do të keni elitën intelektuale e cila angazhohetpër lirinë e fjalës, gjithnjë përderisa nuk thoni diçka kundër financuesve të tyre – atëherë do të censuroheni brutalisht. Në të kundërtën, do të keni një vend që është formalisht sovran, ndërsa në thelb  koloni, një vend në të cilin në pushtet do të vihet dhe nga pushteti do të zbritet me vullnetin nga jashtë.

Nëse fituam BeH-në, e cila, në vend se nga Zagrebi dhe Beogradi, drejtohet nga Brukseli dhe Uashingtoni – gjithçka ishte e kotë.

Veç kësaj: pse në këtë vend kaq shumë njerëz që, si të përvëluar, si me komandë, kërcejnë vetëm me përmendjen e mundësisë që Bosnja të qeveriset nga Sarajeva?

Duket se kjo është ideja më skandaloze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ajo që është aq irrituese, që kushtrimi për alarm dhe thirravajë, dikur quhej liri dhe vetëvendosje.

*Shkrimi që botohet me pëlqimin e autorit është publikuar në: slobodna-bosna.ba

Të fundit