E diel, 29 Janar, 2023

PRESIDENTI SERB KRITIKON EDHE QUINTIN: NUK I PRANOJMË TARGAT RKS

Ndërsa autoritetet kosovare  thonë se janë të vendosura për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësues të serbëve nga Kosova dhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se për Beogradin janë të pranueshme vetëm targat me shkurtesë KS e jo RKS, – transmeton kdpolitik.com.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin.

Këto deklarata Rakiq i bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, teksa më 31 tetor pritet të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato RKS – Republika e Kosovës.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, – tha Rakiq në një konferencë shtypi në Beograd.

Rakiq tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë të Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.

Sakaq, transmeton kdpolitik.com, edhe presidenti serb ka thënë këtë të enjte se Kosova nuk ka të drejtë për “veprimet e saj lidhur me riregjistrimin”:

“Sot në Këshillin e Sigurimit edhe përfaqësuesve të  Quintit u thashë se është gënjeshtër se Kosova ka të drejtë në veprimet e saj lidhur me riregjistrimin. Ajo që po flasin Quinti, BE dhe Prishtina nuk ekziston askund. Ata shpikën legjitimitetin. Nuk mora përgjigje për këtë”,- citohet të ketë deklaruar Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd, duke bërë të ditur se ditë më parë kishte marrë një demarsh të përfaqësuesve të vendeve të Quintit dhe vendeve të BE-së  ku thuhet se “aksioni kosovar është legjitim, por problemi qëndron në kohë dhe metoda”. Vuçiq me këtë rast tha se mbështet serbët e Kosovës për mospranimin e targave të reja duke ritheksuar se vendi i tij pranon targat KS e jo ato RKS. Ja dhe përse: “Targat KS flasin për neutralitetin statusor”.

Më herët, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  kishte paralajmëruar se autoritetet në Prishtinë sa i përket riregjistrimit të makinave do të zbatojnë ligjin:

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, – ka thënë Osmani.

Radio Evropa e Lirë  rikujton se në kuadër të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, që Kosova dhe Serbia arritën më 2011, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.

Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.

Që nga një shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e shtetit e as të kalojnë kufirin.

Të fundit