E martë, 29 Nëntor, 2022

ROLI I MEDIAS NË KOHË LUFTE: RASTI I AGRESIONIT RUS NË UKRAINË

Çfarë kishin të përbashkët këto luftëra? E kishin median, e sidomos median online. Këto media servonin lajmet më të reja të sapondodhura përmes gazetarëve të cilët udhëtonin në vendet ku ishte duke u zhvilluar lufta, të cilët me anë të fotografive të bëra gjatë apo pas sulmeve dhe i zbulonin para botës realitetin e hidhur.

Shkruan: Almira Agushi

Kurioziteti është ai që gjithmonë njeriun mund ta shtyjë një hap më shumë drejt rrezikut. Kureshtja për të ditur diçka më shumë rreth nesh, ndoshta ka shtyrë njeriun që të bëjë zbulime apo shpikje të mëdha, të cilat kanë ndryshuar rrjedhën e shtratit të lumit. Edhe në kohërat kur ende nuk kishte shpikje të tilla, ekzistonte shkëmbimi i informacionit të të folurit, e më vonë shkëmbimi i letrave, e deri në ditët e sotme ku kemi arritur të kemi informacione të çastit, nëpërmjet rrjetit anë e mban botës.

Gazetaria e shekullit 21 ndërroi epokën e saj nga ajo gazetari që ishte një shekull më parë, e mëvetësoi detyrën për informacion më shumë se sa që e kishte dhe luajti rol shumë të rëndësishëm gjatë gjithë njëzet e dy viteve të para të shekullit më të ri. Teoricieni politik Francis Fukuyama, fundin e Luftës së Ftohtë e shpall si “fundi i historisë”. Besohej se njerëzimi i shekullit 21 do të ishte një shoqëri e globalizuar që do të jetonte në paqë dhe prosperitet. Mirëpo, teza e Fukuyamas ra pas atakut të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Michael Ray në Enciklopedinë Britannica mbledh në një artikull tetë luftërat më vdekjeprurëse të shekullit 21 siç janë: Lufta e dytë e Kongos, Lufta Civile e Sirisë, Lufta në Darfur, Lufta e Irakut, Lufta e Afganistanit, Lufta kundër Boko Haram, Lufta Civile e Jemenit dhe më e fundit – Lufta në Ukrainë. Çfarë kishin të përbashkët këto luftëra? E kishin median, e sidomos median online. Këto media servonin lajmet më të reja të sapondodhura përmes gazetarëve të cilët udhëtonin në vendet ku ishte duke u zhvilluar lufta, të cilët me anë të fotografive të bëra gjatë apo pas sulmeve dhe i zbulonin para botës realitetin e hidhur. Ato fotografi ishin me përmbajtje prej më të ndryshmeve, si shkatërrimi i qyteteve, trupat e vdekur të fëmijëve, grave, burrave, turmat që tentonin të arratiseshin etj. Raportimi në kohë lufte është shumë sfidues dhe i rrezikshëm.

Politikani indian Ajai Rai thotë në një artikull të tij se: “Mediat kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me luftën apo konfliktin, kryesisht për shkak se secila prej këtyre situatave konsiderohet me vlerë të madhe lajmi dhe me rëndësi dhe interes publik të jashtëzakonshëm për shkak të implikimeve të sigurisë. Konflikti është adrenalina e medias.” Siria sot njihet si vendi më i rrezikshëm me grupe terroristësh, për ata që tentojnë ta kalojnë kufirin. Shumë gazetarë kanë humbur jetën në Siri.

Edhe lufta Ukrainë-Rusi erdhi si mos marrëveshje mes dy këtyre shteteve. Në shkurt të vitit 2022 e gjithë bota u trondit nga lajmet e para të mëngjesit, kur u mor vesh se Rusia i shpalli luftë Urainës. Pikërisht kjo luftë mori gjithë vëmendjen e të gjitha mediave, si ato kombëtare edhe ato ndërkombëtare. Edhe në këtë luftë mjaft të rrezikshme humbën jetën shumë gazetarë të Ukrainës dhe njëkohësisht u vu në pah roli i medias, jo vetëm në informimin e drejtë të opinionit, por edhe në propagandën si mjet i rëndëdishëm i çdo lufte.

 

*Autorja është studente e Komunikimit Ndërkombëtar pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Teksti është realizuar në kuadër të lëndës Praktika Profesionale.

Të fundit