E enjte, 1 Dhjetor, 2022

FATURAT “MARRAMENDËSE” TË ENERGJISË RREZIKOJNË EKZISTENCËN E KOMPANIVE

Kompanitë në Maqedoninë e Veriut po përballen me çmime marramendëse të energjisë elektrike. Sipas pronarëve të kompanive nëse qeveria nuk ndërmerr masa rrezikohet vetë ekzistenca e bizneseve. Bashkë me këtë rrezikojnë vendin punës mijëra punëtorë. “Për momentin është shumë me rëndësi që të ulet rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Për dallim nga viti i kaluar, çmimi i energjisë është rritur pesëfish më shumë. Në muajin korrik të vitit 2021, kemi harxhuar 323 mijë kilovatë dhe kemi paguar diku 20 mijë euro. Ndërkaq, në korrikun e këtij viti, kemi harxhuar afro 130-136 mijë kilovatë dhe kemi paguar 91 mijë euro faturë elektrike. ”, thekson për KDP pronari i dy kompanive, Abedin Murati. Javën e ardhshme qeveria pritet të vendos për këtë situatë të jashtëzakonshme për kompanitë.

Shkruan: Enis Shaqiri

Lidhur me masat anti-krizë për përballje më të lehtë me krizën energjetike, Qeveria duhet që t’i marrë seriozisht ankesat e komunitetit të biznesit. Kështu thotë afaristi Abedin Murati, i cili udhëheq me një kompani të përpunimit të pemëve dhe perimeve, si dhe kompaninë “Molika”, e cila merret me prodhimin e të gjitha llojeve të mobiljeve.

Për momentin është shumë me rëndësi që të ulet rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Për dallim nga viti i kaluar, çmimi i energjisë është rritur 5 fish më shumë. Në muajin korrik, të vitit 2021, kemi harxhuar 323 mijë kilovatë dhe kemi paguar diku 20 mijë euro. Ndërkaq, në korrikun e këtij viti, kemi harxhuar afro 130-136 mijë kilovatë dhe kemi paguar 91 mijë euro faturë elektrike. ” thekson Murati për KDP.

Sipas Muratit, çmimet e larta të energjisë elektrike vënë në pikëpyetje  ekzistencën kompanive .

Kostoja e lartë e energjisë elektrike, e cila është e pakontrolluar vë në rrezik ekzistimin e dy kompanive. Mes tjerash duke llogaritur këtu edhe pagat e 100 të punësuarve të rregullt dhe 70 punëtorëve sezonalë. Ndërkaq Qeverisë nuk i intereson fare sektori me financim vetanak ”, thekson Murati.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thonë se për t`u parandaluar një kolaps i këtillë, që nënkupton mbyllje të kompanive dhe largimin e punëtorëve nga puna, kërkohet urgjentisht reagimi i autoriteteve.

Të subvencionohet çmimi i energjisë elektrike për industrinë sipas shembullit të vendeve fqinje. Të sigurohet kornizë ligjore që kompanitë të dalin nga kontratat ekzistuese të furnizimit me energji elektrike, të jenë në gjendje të lidhin kontrata me EMV Furnizimi, duke maksimizuar prodhimin e energjisë elektrike të shtetit dhe duke ofruar teprica për industrinë me çmimin e prodhimit”, thotë Jelisaveta Georgieva Jovevska, nënkryetare e Odës Ekonomike.

Në ndërkohë, në Qeveri nuk u miratua asnjë masë konkrete, edhe pse sektori i biznesit priste shumë nga ajo mbledhje. Tani shansi i ri për një pako të re masash është të pritet deri në fund të kësaj jave ose më së voni deri të mërkurën e ardhshme, kur është planifikuar takim i ri mes autoriteteve, biznesmenëve, sindikalistëve dhe ekspertëve.

Bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, të gjitha me qëllim që të ndihmohen kompanitë që janë në tregun e hapur që të marrin energji elektrike më të favorshme se çmimi i bursës”, njoftojnë nga Qeveria.

Masat që propozohen nga përfaqësuesit e Odave ekonomike (LOE) janë edhe rritja e prodhimit vendor të energjisë elektrike, apo të bëhet e mundur që në kuadër të Elektro Ekonomisë së Maqedonisë të aktivizohen të gjitha kapacitetet vendore , përfshirë edhe termocentralin në Negotinë, të shtyhen remontet në termocentralin e Manastirit si dhe të vihen në funksion të gjitha kapacitetet fotovoltaike apo të prodhimit të energjisë diellore, në favor të prodhimit të energjisë vendore me çmim më të ulët karshi energjisë së shtrenjtë nga importi.

Ne i kemi kumtuar tashmë masat tona për të kufizuar marzhet e prodhuesve të energjisë elektrike. Ne ramë dakord që në të ardhmen për furnizimin e mundshëm me energji elektrike nga jashtë dhe prodhimin në vendin tonë, të bëhet një llogaritje, të gjendet mesatarja dhe të ndahet ajo mesatare. Nëse prodhimi ynë është 100 euro për megavat orë, kurse energjia elektrike e importuar është 300 euro, ajo mesatare duhet të ndahet dhe kompanitë të paguajnë energjinë elektrike në tregun e lirë me çmim më të ulët se çmimi i bursës”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha.

Në periudhën e kaluar për të përballuar krizën, në Elektro Ekonominë e Maqedonisë  së Veriut janë transferuar 171 milionë euro. Më së shumti para,  rreth 72 milionë euro i janë paguar TE-TO-s apo prodhuesit të ngrohjes dhe rrymës në Shkup. Nga tregu i lirë janë importuar rreth 127 gigavat, për të cilat janë paguar 34 milionë euro, ndërsa për Sistemit e transmetimit të rrymës apo “ MEPSO”, janë shpenzuar 12 milionë euro. Për Termocentralin e Negotinës, i cili rifilloi me punë pas 12 vitesh, janë shpenzuar 31 milionë euro për blerjen e mazutit naftës.

Qeveria në fillim të krizës energjetike, uli TVSH-në e energjisë elektrike dhe subvencionoi 80 për qind të faturave të qytetarëve, sepse 80 për qind e çmimit të energjisë elektrike subvencionohet nga shteti, ndërsa pritet që këto masa të vazhdojnë deri në fundi i këtij viti. U intervenua edhe me blerjen e qymyrit nga Kosova dhe shtete të tjera për nevojat e termocentralit të Manastirit dhe Osllomesë në Kërçovë.

Të fundit