E enjte, 1 Dhjetor, 2022

LABIRINTHET E REFORMAVE NË ARSIM, MODELET E PËRSOSJES STRUKTURORE

Arsimi mbetet një nga dimensionet më të rëndësishme të progresit shoqëror. Në botën e karrierës së shekullit njëzet e një, arsimi është mundësia për të hapur sa më shumë dyer në avancimin e karrierës dhe arritjeve personale. Megjithatë, jo të gjitha vendet ofrojnë një sistem adekuat dhe të strukturuar të edukimit. Për dallim nga disa vende të zhvilluara siç është Gjermania, Maqedonia e Veriut përballet me një varg mangësish sa i përket sistemit arsimor. Ekspertë të kësaj fushe theksojnë se shumëçka duhet ndryshuar për të pasur një arsim të depolitizuar dhe për të pasur reforma të prekshme që nuk humben në strategji të pazbatuara. Një hulumtim për të identifikuar problemet mbetet i domosdoshëm, ndërkohë që arsimi profesional shihet si një prioritet për të ardhmen.  

 Shkruan: Puhiza Osmani

Gjermania sot është një nga vendet që ofron një sistem të kualifikuar të arsimit, duke prodhuar studentët me performancë të lartë. Ky sistem i mirëorganizuar dhe rigoroz është i dizajnuar për të qenë i aksesueshëm për të gjithë fëmijët të studiojnë deri në nivelin universitar, pavarësisht nga gjendja financiare e familjeve të tyre.

“Ndonëse ka segmente të caktuara ku vlen që të intervenohet, duhet të zhvillohet një debat më i gjerë publik për tejkalimin e pengesave që e shoqërojnë sistemin arsimor të arsimit fillor këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjithmonë duhet të kemi parasysh numrin e shkollave me sa ndërrime punojnë, kushtet teknike, infrastrukturën shkollore, të gjitha këto dhe shumë faktorë të tjerë ndikojnë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Sigurisht që shkollat të cilat punojnë me një ndërrim kanë mundësi që të realizojnë mësim dhe aktivitete ditore, ndërsa një mundësi e tillë nuk u jepet nxënësve të cilët mësojnë në shkollat ku punojnë me dy dhe tre ndërrime. Pra kufizohet mundësia e zhvillimit të fëmijëve, realizimit të programeve të ndryshme mësimore që janë të parapara në planin mësimor të arsimit fillor” – Muharrem Xhezairi, pedagog

Ndjekja e studimeve të detyrueshme në Gjermani bazohet në rregulloret e Grundgesetz (ligji kombëtar bazë ose themelor gjerman). Qeveria federale, me departamentet e saj të Arsimit, Çështjeve Kulturore dhe Shkencës është mbledhur për të krijuar udhëzime gjithëpërfshirëse arsimore në lidhje me studimet e përgjithshme bazë, rregulloret administrative për ndjekjen e shkollës, menaxhimin e arsimit të lartë dhe fondacionet për shkollat publike dhe private.

Arsimi i detyrueshëm në Gjermani përcakton që të gjithë nxënësit nga mosha gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjeç duhet të ndjekin shkollën vazhdimisht. Fëmijët e moshës tre deri në gjashtë vjet mund të ndjekin kopshtin e fëmijëve. Pastaj, nga klasa e parë deri në klasë të katërt fëmijët ndjekin shkollën fillore (Grundschule).

Pas klasës së katërt, ka dy vite të një faze orientimi ose testimi në të cilën nxënësit ndahen sipas aftësive të tyre akademike dhe dëshirave të familjeve të tyre dhe më pas vazhdojnë të ndjekin një nga pesë llojet e ndryshme të shkollave të mesme: Gjimnazi: për nxënësit “akademikë”, Realschule: për studentët e fokusuar në arsimin profesional, Hauptschule: për studentët “më pak akademikë”,Gesamtschule: shkollë gjithëpërfshirëse për të gjitha llojet e studimeve, dhe Shkollat e integruara: ku bashkohen kurrikulat Hauptschule dhe Realschule. Mësuesit janë ata që rekomandojnë nxënësit e tyre në një shkollë të caktuar bazuar në vlerësime e tyre nga arritjet akademike, vetëbesimi dhe aftësia për të punuar në mënyrë të pavarur.

Gjithashtu ka shkolla të ndryshme për nxënës me nevoja të veçanta të quajtura Sonderschule ose Förderschule. Në varësi të nevojave të individit, këto shkolla janë të pajisura me mësues të trajnuar posaçërisht dhe në përgjithësi kanë një raport nxënës-mësues më të vogël se shkollat e zakonshme.

Nga ana tjetër Maqedonia e Veriut përballet me një sërë mangësish kur bëhet fjalë për sistemin arsimor. Zoran Velkovski, profesor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” sa i përket sistemit të arsimit thotë se vendi ka parë një sërë nismash të ngecura dhe zigzage në politikë, me pak rezultate reale. Gjithashtu Velkovski, si një nga pjesëmarrësit në hartimin e disa strategjive të reformës, fajëson mungesën e progresit të prekshëm tek zyrtarët, të vënë në krye të asaj që nga partitë e tyre politike shihet si një nga prioritetet më të ulëta të shtetit.

“Arsyeja kryesore për kushtet e këqija në sistemin tonë arsimor është fakti se politika ka një ndikim të madh në arsim. Çdo qeveri e re ndërhyn në sektorin e arsimit për katër vjet gjatë mandatit të saj politik, dhe çdo qeveri e re fillon nga pika zero”, thotë Zoran Velkovski.

Në lidhje me ecurinë e sistemit edukativ në vendin tonë pedagogu Muharrem Xhezairi thotë se viteve të fundit ka pasur vështirësi të natyrave të ndryshme si rezultat i pandemisë që shoqëroi të gjithë globin, por që vërehej në vendet të cilat kanë një ekonomi më të brishtë.

“Ndonëse ka segmente të caktuara ku vlen që të intervenohet, duhet të zhvillohet një debat më i gjerë publik për tejkalimin e pengesave që e shoqërojnë sistemin arsimor të arsimit fillor këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjithmonë duhet të kemi parasysh numrin e shkollave me sa ndërrime punojnë, kushtet teknike, infrastrukturën shkollore, të gjitha këto dhe shumë faktorë të tjerë ndikojnë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Sigurisht që shkollat të cilat punojnë me një ndërrim kanë mundësi që të realizojnë mësim dhe aktivitete ditore, ndërsa një mundësi e tillë nuk u jepet nxënësve të cilët mësojnë në shkollat ku punojnë me dy dhe tre ndërrime. Pra kufizohet mundësia e zhvillimit të fëmijëve, realizimit të programeve të ndryshme mësimore që janë të parapara në planin mësimor të arsimit fillor,” tha Xhezairi.

Gjithashtu Xhezairi thotë se mungesa e drejtimeve të ndryshme, mungesa e shkollave të ndryshme profesionale në vendin tonë është një faktor që e vështirëson dhe ndikon në cilësinë e mëtutjeshme të arsimimit të gjeneratave të mëtejshme.

“Sikur të kishte një sistem i cili do të klasifikonte nxënësit të cilët kanë një sukses të shkëlqyeshëm deri në përfundimin e periudhës së dytë dhe në periudhën e tretë, që të vazhdonin në shkolla profesionale kjo sigurisht do të ndikonte, si dhe paraprakisht të bëhej një hulumtim lidhur me ndryshimet të cilat duhet të ndodhin dhe kjo do të reflektohej në sukses apo mossukses. Meqë një sistem i tillë është i ndarë kështu siç është dhe kjo mundësi lë shumë për të dëshiruar por jo që është i vetmi faktor që ndikon pra në cilësinë e procesit të mësimdhënies pra respektivisht në të arriturat e nxënësve”, thotë Xhezairi.

Arsimi është i rëndësishëm sepse na ndihmon të zhvillojmë një perspektivë unike për të parë jetën. Arsimi ka luajtur një rol të madh për të gjithë individët në shoqëri. Ai i ka mundësuar komunitetit të ketë sukses si në aspektin social ashtu edhe ekonomik duke i mundësuar atij të zhvillojë kulturën dhe vlera të përbashkëta.

Të fundit