E enjte, 1 Dhjetor, 2022

BILETAT E UDHËTIMIT TË PAPËRBALLUESHME PËR STUDENTËT, QEVERIA PREMTON SUBVENCIONIM

Rritja enorme e çmimeve ka vështirësuar edhe jetën e studentëve. Biletat e udhëtimit për studentët që vijnë nga qytet tjera në Shkup dhe Tetovë gati janë dyfishuar. Studentët thonë se kjo rritje është e papërballueshme, sidomos për ato familje që janë me më shumë anëtarë. Përfaqësues të qeverisë theksojnë se studentët nuk janë lënë në harresë dhe se edhe këtë vit ata do të ndihmohen përmes subvencioneve. Nga Drejtoria e Stacionit të Autobusëve në Shkup thonë se kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet, përndryshe do të bankrotonin. Sipas kësaj drejtorie, çmimi i biletave të autobusëve është rritur  për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës

 Shkruan: Gentuar Ismaili

Të qenurit student, përveç se është shumë dinamike dhe e vështirë, është edhe e shtrenjtë.  Kjo posaçërisht vihet re tek familjet që kanë më shumë se një student. Ndërsa pa harruar këtu të përmendet edhe fakti që tani gjithçka është shtrenjtuar, duke nisur nga pajisjet, librat e shërbimet e tjera. Së fundmi, studentët kanë shfaqur ankesën e tyre që transporti nga vendi i banimit e deri tek universiteti ku ndjekin studimet, është shtrenjtuar së paku për 20 përind.

Një student për të udhëtuar nga Kumanova në Shkup nëse deri tani ka paguar 100 denarë për biletën e autobusit për një drejtim, prej tani e njëjta biletë kushton 170 denarë.

Kurse për një student që udhëton nga Kumanova për në Tetovë, për një drejtim duhet të paguaj deri në 300 denarë.

Ekzekutivi premton se për t’i ndihmuar studentët ta tejkalojnë këtë krizë, edhe këtë vit do të subvencionojnë racion ushqimor. Ndërkohë, nga Drejtoria e Stacionit të Autobusëve në Shkup thonë se kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet ose të bankrotojnë.

Zëdhënësi i Qeveris Muhamet Hoxha thotë se studentët nuk janë lënë në harresë, gjegjësisht edhe ata do të ndihmohen përmes subvencioneve.

“Qeveria e RMV-së, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siguron mbështetje për studentët me qëllim që t’ua lehtësojë studimin dhe të ulë shqetësimet e tyre në aspektin financiar, duke subvencionuar një vakt studentor, i cili u prezantua vitin e kaluar dhe do të jepet edhe këtë vit, për të cilin aktualisht po bëhen ndryshime në zgjidhjen ligjore, në mënyrë që ajo të jetë e zbatueshme në vitin e ri akademik. Bëhet fjalë për mjete, në vlerë prej 120 denarë në ditë, të cilat presim të shfrytëzohen për një vakt të shëndetshëm”, deklaroi zëdhënësi Hoxha.

Drejtoria e Stacioneve të Autobusëve në Shkup për Tv Alsat, ka deklaruar se për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës është rritur edhe çmimi i biletave të autobusëve.

“Derivatet në krahasim me 2021 deri më sot diku 38 për qind janë shtrenjtuar, në muajt e fundit janë rritur edhe çmimet e auto-pjesëve 15-20 për qind dhe këtu kur t’i fusim vendimet e reja të Qeveris për të dielën ditë jo pune, veprimtaria jonë funksionon edhe të dielave që ka rrit pagesat tona. Kjo rritje enorme e të gjitha shpenzimeve, ku futet edhe energjia elektrike, ku fatura jonë e janarit ka ardhur diku 600 për qind më e lartë se e vitit të kaluar”, ka theksuar drejtor i Stacionit të Autobusëve, Masar Omeragiq,.

Studentja Ajsel Bajrami që udhëton nga Kumanova në Tetovë ankohet se çmimi i një bilete kushton 300 denarë, ndërsa më herët ka qenë 120 denarë.

“Shtrenjtimi i biletave për studentët është e tepërt. Normalisht të gjithë mendojnë për interesat e veta, por çdo ditë e më shumë rrisin çmimin prej 200-250 denarë,  tash është 300 denarë për studentët. Kjo e ka rënduar shumë gjendjen tonë si studentë, se nuk është vetëm udhëtimi, por janë edhe shumë kërkesa tjera që duhet plotësuar e askush nuk na del në ndihmë”, thotë studentja Bajrami.

Të njëjtin mendim e ndan edhe studentja Emine Demiri, e cila gjithashtu kalon të njëjtin destinacion.

“Për shkak të krizës ekonomike në një anë rritja e çmimeve ka qenë efektive për shtetin, por jo për familjet që kanë më shumë anëtarë, e që jetojnë me 1 rrogë minimale, kjo ka ndikuar në mënyrë negative. Gati 50 për qind e rrogës së një personi tash shkon në harxhimet e rrugës, e sidomos ato që udhëtojnë çdo ditë për në punë”.

Përndryshe, para disa javësh, Qeveria e vendit miratoi pakon antikrizë me të cilën synohet të ndihmohen amvisëritë dhe kompanitë për t’u përballur me krizën. Mirëpo aty nuk parashihen ndihma të kategorizuara për studentët.

 

Të fundit