E enjte, 1 Dhjetor, 2022

BeH: TË (PA)PRITURAT E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME

Në Sarajevë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje-Hercegovinës ka publikuar rezultatet e reja të Zgjedhjeve të Përgjithshme të mbajtura dje e që kanë të bëjnë me anëtarët e Presidencës së BeH-së dhe të dhënat e para për Asamblenë Parlamentare të kësaj ish-republike jugosllave, – transmeton kdpolitik.com njoftimin e agjencive të lajmeve.  Sipas tyre, duket se disa kandidatë nacionalistë kanë pësuar humbje.

Pas shumicës së votave të numëruara – 84. 75 për qind – Denis Beqiroviq, kandidati boshnjak i opozitës së bashkuar, “Të bashkuar për Bosnje e Hercegovinën e lirë”, dhe Zhelka Cvijanoviq, janë në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën trepalëshe të Bosnjës.

Sipas rezultateve të fundit, Zhelko Komshiq është përpara Borjana Krishtos në garën për ulësen kroate në Presidencë.

Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia e të cilit – Partia për Veprim Demokratik – ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.

Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit Zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo dy për qind më e ulët në raport me zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Zyrtarët kanë thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar mirë, pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalim të disa personave për mashtrime zgjedhore.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Fitorja e Beqiroviqit do të nënkuptonte që pas 12 vjetësh asnjë politikan i SDA-së nuk do të përfaqësohej më në Presidencën kolektive, ndërsa sipas rezultateve paraprake për vendin kroat në Presidencë kryeson reformatori, Zheljko Komshiq me 67% të votave.

Vendi serb në Presidencë do të mbetet në duart e nacionalistëve. Kandidatja e SNSD-së në pushtet, Zheljka Cvijanoviq ka arritur deri në llogaritjet e fundit 60% të votave. Ajo konsiderohet si e besuara e separatistit serb, Milorad Dodik, që ka pasur deri tani vendin serb në presidium. Dodik ka kandiduar për postin e presidentit në pjesën serbe të vendit dhe sipas raportimeve kryeson.

Agjencitë e lajmeve vlerësojnë se zgjedhjet janë zhvilluar në atmosferë të tensioneve etnike në rritje. Votimet ishin aq të komplikuara sa vetë vendi. Në nivelin e institucioneve të përbashkëta votuesit kanë dhënë votën e tyre jo vetëm për Presidencën shtetërore, por edhe për parlamentet e pjesëve përbërëse të vendit, si edhe dhe për zgjedhjen e presidentit në Republikën Srpska dhe administratën e kantoneve në Federatën Kroato-Boshnjake. Kur është fjala për parlamentin shtetëror, raportohet se më shumë vota kanë arkëtuar  Partia e Aksionit Demokratik dhe Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur.

istemi kompleks dhe shumë pak funksional në Bosnje-Hercegovinë pasoi Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995, me të cilën iu dha fund luftës civile në vitet 90-të. Këshilli i Sigurimit të OKB-së emëron nga viti 1995 një Përfaqësues të Lartë Ndërkombëtar. Aktualisht mandatin e mban ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt.

Aktualisht, Bosnje-Hercegovina është duke u përballur me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve 1990, sidomos për shkak të politikave separatiste të udhëheqësisë së serbëve të Bosnjës dhe kërcënimeve për bllokada nga kroatët në këtë shtet.

 

 

Të fundit