E enjte, 1 Dhjetor, 2022

KËRCËNIMI ONLINE I GAZETARËVE, KËRKOHET REAGIM MË EFIKAS NGA INSTITUCIONET

Një anketë e realizuar nga Platforma e Gazetarisë Hulumtuese rezulton se rreth 80 për qind e gazetarëve së paku njëherë janë kërcënuar njëherë.  Milan Spirovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka theksuar se edhe pse në periudhën e fundit është zvogëluar numri i sulmeve ndaj gazetarëve, është shqetësues trendi i sulmeve online që u bëhet gazetareve dhe punonjësve mediatik.  Ndërkaq, edhe për avokatin Naser Ziberin kjo e dhënë është shqetësuese, por jo edhe befasuese. Ai thotë se gazetarët duhet t’i denoncojnë këto raste dhe institucionet të reagojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Puna e gazetarit sa është privilegj, në të njëjtën kohë mund të ndeshesh me shumë sfida. Ndër sfidat kryesore është kërcënimi, presioni, ngacmimi online që bëhet përmes rrjeteve sociale. Edhe anketa e fundit e Platformës së Gazetarisë Hulumutuese, ka vënë në pah se nga 100 gazetarët e anketuar rreth 80 përqind e tyre së paku një herë janë kërcënuar online.

Milan Spirovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka theksuar se edhe pse periudhën e fundit është zvogëluar numri i sulmeve ndaj gazetarëve, është shqetësues trendi i sulmeve online që u bëhet gazetareve dhe punonjësve mediatik. Ndërsa tregon si duhet vepruar në raste të tilla.

“Është me rëndësi që në kohë të njihet kërcënimi dhe të paraqitet në organizatën mediatike, SHGM ose të ngjashme ose deri te institucioni përkatës, në këtë rast MPB- Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale. Është po ashtu e rëndësishme puna efikase nga ana e institucioneve të sistemit në vend. Por, para se gjithash më e rëndësishmja është që këto raste të paraqiten në kohë. SHGM insiston në kërkesat e saja në nxitjen e bashkëpunimit me MPB-në, për formimin e një reparti të veçantë ne PTHP për veprim në raste te gazetarëve dhe punonjësve mediatik”, kanë thënë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, edhe për avokatin Naser Ziberin kjo e dhënë është shqetësuese, por jo edhe befasuese. Më tej ai porosit që gazetarët t’i denoncojnë këto raste dhe institucionet të reagojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase.

“Vetëm reagimi i shpejtë i institucioneve kompetente (MPB, Prokuroria Themelore Publike) mund të veprojë në mënyrë parandaluese për zvogëlimin e rasteve të tilla. Mosndëshkimi vepron si inkurajim dhe për këto arsye konsideroj se të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe të vërtetuara medoemos duhet të kenë zgjidhje ligjore”, ka thënë Ziberi për KDP.

Reagime për ngacmimin, kërcënimin dhe sulmin e gazetarëve bëhen vazhdimisht, por shumë pak punohet në drejtim të parandalimit .

 

 

Të fundit