E enjte, 1 Dhjetor, 2022

POLITIKANI I NJOHUR SERB AKUZON VUÇIQIN PËR KOSOVËN

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e ka vlerësuar si lëshim “katastrofik” në fjalimin e presidentit të shtetit Aleksandar Vuçiq në Kombet e Bashkuara (OKB) që nuk ka nënvizuar qartë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë. “Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme tani kur sërish në bashkësinë ndërkombëtare po ngritet tema e të ashtuquajturit modeli i dy Gjermani, si zgjidhje për Kosovën. Sa herë që përmendet ai model, duhet pasur parasysh se në atë kohë të dyja Gjermanitë ishin anëtare të OKB-së,”- citon gazeta “Danas” shkrimin autorial të Boris Tadiqit për të përjavshmen serbe NIN,- transmeton kdpolitik.com.

Sipas tij, “është e vështirë të besohet se fjala është për një lëshim prej amatori, për fat të keq, një lëshim i këtillë shumëkujt në botë i duket më shumë si derë qëllimisht e hapur”.

Tadiq përmend se qytetarët e Serbisë “në zhurmën e gënjeshtrave të përditshme” nuk mund të dëgjojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) “asnjëherë nuk ka marrë një vendim se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por ka përdorur një lojë fjalësh për të shmangur përgjigjen për pyetjen e shtruar”.

Sikurse thekson, gjykata “vërtetoi  në mënyrë magjike se deklarata e  pavarësisë nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare vetëm për shkak se e kanë miratuar ata të cilët nuk ishin faktor i të drejtës ndërkombëtare”.

“Në përputhje me interesat e veta, shqiptarët vazhdimisht këmbëngulin në pjesën e përgjigjes ku thuhet se “nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa nga ardhja e Partisë Progresive Serbe në pushtet, Serbia e lëshon rastin të insistojë se njëkohësisht nuk thuhet se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,”- ka shkruar Tadiq. Sipas tij, “Vuçiqi dhe regjimi i tij gjatë gjithë kohës mbështesin interpretimin shqiptar duke sulmuar ish-pushtetin për këtë pyetje të GJND-së,” – transmeton kdpolitik.com.

“Është e pakuptueshme që kështu  të mos e e interpretojë përgjigjen e GJND-së asnjë vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ata që e tërheqin njohjen e bëjnë këtë pikërisht me këtë interpretim, ndërsa Serbia e bën të kundërtën e kësaj. Vetëm për shkak të propagandës së brendshme të drejtuar kundër ish-pushtetit Vuçiq heq dorë nga ky argument kyç me të cilin mbrohet interesi më i lartë kombëtar i Serbisë,” – pohon Boris Tadiq, ish-president i Serbisë.

Të fundit