E enjte, 1 Dhjetor, 2022

GJIROKASTRA, QYTETI I GURTË I TRASHËGIMISË UNIKE

Gjirokastra e cila shtrihet krenare rrëze shpatit të Malit të Gjerë, me rrugët e gdhendura me gurë, e hapur si flamur përreth kështjellës legjendare të Argjiros, sot është kthyer në një ndër qytetet më të vizituara të Shqipërisë.  Prej vitit 2005, qyteti është përfshirë në listën e Trashëgimisë kulturore të UNESCO-s si një qytet me një arkitekture autentike të ruajtur mirë, ndër të paktat të mbetura në Ballkan të stilit otoman, ku pamja piktoreske e qytetit ndërthuret me shtëpitë karakteristike të ndërtuara prej guri dhe druri, rrugët e kalldrëmta që japin pamjen e një qylymi të qëndisur, e sipër saj, si një anije e madhe prej guri, qëndron stoike kalaja shekullore kurse në këmbët e saj gjarpëron shkujdesur lumi Drino në luginën e tij.

Shkruan: Valmisa Novi

Për çudi më vijnë nëpër mend fjalët e poetit Arben Duka: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”, vargje të cilat ja ka kushtuar Gjirokastrës së tij, qytetit të lindjes. Gjirokastra e cila shtrihet krenare rrëze shpatit të Malit të Gjerë, me rrugët e gdhendura me gurë, e hapur si flamur përreth kështjellës legjendare të Argjiros, sot është kthyer në një ndër qytetet më të vizituara të Shqipërisë.  Prej vitit 2005, qyteti është përfshirë në listën e Trashëgimisë kulturore të UNESCO-s si një qytet me një arkitekture autentike të ruajtur mirë, ndër të paktat të mbetura në Ballkan të stilit otoman, ku pamja piktoreske e qytetit ndërthuret me shtëpitë karakteristike të ndërtuara prej guri dhe druri, rrugët e kalldrëmta që japin pamjen e një qylymi të qëndisur, e sipër saj, si një anije e madhe prej guri, qëndron stoike kalaja shekullore kurse në këmbët e saj gjarpëron shkujdesur lumi Drino në luginën e tij. Në afërsi të Gjirokastrës gjendet dhe qyteti antik epiriot i Antigonesë, i cili është shpallur monument kulture dhe është kthyer në park arkeologjik, si dhe qyteti antik i Adrianipolit, i cili u ndërtua nga perandori romak Hadrian.

Është qyteti që i dha jetë shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare, qyteti ku u lind diktatori komunist Enver Hoxha, shtëpitë e të cilëve janë kthyer në shtëpi muze, vendlindja e gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej, emrin e të cilit mban sot universiteti i Gjirokastrës.  Gjirokastra e ruan me fanatizëm historinë e vet por e shpalos me shumë dashamirësi për këdo që do të mësoj më shumë rreth saj. Në pamje të parë, qyteti të lë një përshtypje të ftohtë, jo më kot njihet ndryshe si qyteti i gurtë, por ngrohtësinë që përjeton në shpirt, nuk e përjeton askund. Poeti Duka e shpreh shumë bukur në këto vargje: “Gjirokastra ime, fjala mjaltë e këngës, ku dhe guri flet, me gjuhën e zemrës”.

Nuk dua të ndalem te historia e qytetit, pasi ajo mund të gjendet lirshëm nëpër librat e historisë, por dua të përmend çfarë po trashëgohet brez pas brezi prej historisë që qyteti magjishëm e shfaq nëpërmjet madhështisë së pamjes së tij. Prej kur fillon t’i afrohesh qytetit mund të vësh re kalanë e argjendtë, me bedenat dhe “shtatë penxheret” e cila njihet ndryshe si Kalaja e Argjiros. Emri i saj rrjedh prej princeshës Argjiro, motra e sundimtarit Gjin Zenebishi, e cila gjatë pushtimit të kalasë nga pushtuesit osmanë, për të mos rënë e gjallë në duart e armikut, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë së bashku me foshnjën e saj, ku gjeti dhe vdekjen. Legjenda thotë se foshnja mbeti gjallë, dhe aty ku ra Argjiroja, doli qumësht nga shkëmbinjtë për ta ushqyer foshnjën. Sipas kësaj legjende, edhe emri i qytetit rrjedh pikërisht nga emri i princeshës, megjithëse ekzistojnë edhe variante të tjera për etimologjinë e emrit. Brenda në kala ndodhet Muzeu Kombëtar i  Armëve. Pjesa më e madhe e muzeut i kushtohet luftës partizane kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë nga viti 1939 deri me 1944, por përveç atyre janë të ekspozuara edhe armë trofe që nga vitit 1912 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nuk mungon as galeria e topave, e cila ndodhet në hyrje të kalasë, një galeri të gjatë me armë artilerie të rreshtuara njëra pas tjetrës. Kalaja është gjithashtu mikpritëse e Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili mbahet çdo katër vjet, ndaj në të gjendet edhe një skenë e madhe e cila është ndërtuar gjatë viteve ’80 dhe vazhdon të përdoret edhe në ditët e sotme për realizimin e eventeve të ndryshme.

Pjesa më e famshme e qytetit, është pikërisht Pazari i Vjetër, aty ku mishërohet arkitektura autentike e stilit otoman, qendra e qytetit të vjetër, që daton prej shekullit të 17-të por e rindërtuar gjatë shekullit të 19-të si pasojë e shkatërrimit nga zjarri. E bukura e arkitekturës së pazarit është pikërisht përshtatja e ndërtesave me terrenin e pjerrët karakteristik të qytetit. Ndërtesat kanë arkitekturë të njëjtë, dy ose tre katëshe, të ndërtuara me gurë të bardhë, me dritare druri, të gjitha të vendosura në një linjë. E veçantë e këtij pazari është  trotuari i ndërtuar për njerëzit, i cili rrallë gjendet në pazarët e tjera të së njëjtës periudhë. Katet e para të ndërtesave kanë shërbyer si dyqane të artizanëve, disa mund t’i gjesh edhe në ditët e sotme, duke punuar pikërisht në mënyrën e vjetër dhe po e trashëgojnë profesionin të brezat e rinj. Një pjesë e madhe e ndërtesave janë kthyer në dyqane të vogla të cilat ofrojnë objekte tipike të zonës, atraksione për turistët, të cilët duan ta marrin një pjesë të Gjirokastrës me vete. Në këtë zonë të qytetit organizohen vazhdimisht aktivitete kulturore dhe artistike, të cilat kulmojnë gjatë sezonit të verës, me qëllim të promovimit të vlerave të folkut, traditës, etnografisë, kulinarisë gjirokastrite dhe jo vetëm.

Shtëpitë e kthyera në muze, si Muzeu Etnografik, një ndër shtëpitë-muze më të mirëmbajtura, ndodhet në ish shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha. Shtëpia origjinale u dogj si pasojë e një zjarri, ndërsa shtëpia aktuale u rindërtua në vitet 1964-66, duke kopjuar modelin e shtëpive më të bukura dhe më të pasura gjirokastrite. Pavarësisht identifikimit si ish shtëpia e diktatorit, brenda saj nuk ka shumë  elemente që lidhen me jetën e tij ose familjen e tij, përveç një ore dhe një sënduku në dhomën e cilësuar si dhoma e lindjes së Hoxhës. Shtëpia është modeluar për të reflektuar mënyrën e jetesës së gjirokastritëve të pasur të shekullit të 19-të.  Një tjetër shtëpi muze është shtëpia e lindjes e shkrimtarit Ismail Kadare. Çdo cep e qoshe e shtëpisë dhe shumë detaje të saj janë përshkruar mjeshtërisht në romanin e tij “Kronikë në Gur” dhe pikërisht në këto përshkrime të tij është bazuar edhe rindërtimi që i është bërë shtëpisë pas djegies aksidentale të vitit 1999. Shumë shtëpi të tjera karakteristike kanë hapur dyert për vizitorët, ndër to mund të përmenden shtëpia e Zekatëve, Skëndulatëve, Fico, Angonate, Babaramo, Babameto e të tjera. Një pjesë tjetër janë kthyer në hotele, duke ruajtur origjinalitetin dhe karakteristikat e shtëpive tradicionale, një arsye më tepër për t’i vizituar dhe për të përjetuar një eksperiencë nga e kaluara. Sipas Kadaresë, ky qytet, ndoshta “më i pjerrëti në botë”, i ka thyer ligjet e arkitekturës dhe urbanistikës, qytet i çuditshëm, një qytet i “ngritur për të zgjuar ide të mëdha”.  Poeti Duka vazhdon me vargjet e tij duke thënë se: “Nuk ka Shqipëria, as bota e tërë, o pikë e floririt, mbi Malin e Gjërë!”.

Të fundit