E enjte, 1 Dhjetor, 2022

ZIGZAG: “GRUPI I ZJARRIT” DHE “ZJARRFIKËSI(T)”

Të shtunën që lamë pas, “Grupi i zjarrit” e tha të veten, pas një heshtje gati dyvjeçare, për zhvillimet në BDI, ndërsa një ditë më pas, mori xhevap nga lideri i partisë Ali Ahmeti se forca që ai drejton mundet edhe pa të, ama edhe pa kryefirmëtarët e “letrës së hapur”. Një fletërrufe kjo  që më shumë flet për hatërmbetje zgjidhjesh kadrovike sesa përcaktimesh programore. Sidoqoftë, besoj se të dyja taborët e kanë të qartë se loja me zjarrin është – e rrezikshme!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI  

Duhet pyetur Ali Ahmetin e Musa Xhaferrin për shkak të militimit të hershëm në strukturat nga të cilat dolën UÇK-të në Kosovë e Maqedoni, fundshekullin e kaluar. Duhet pyetur për etimologjinë e togfjalëshit “grupi i i zjarrit”. Në mungesë të përgjigjes, hëpërhë, po i referohemi Fjalorit Enciklopedik, po nga qindvjetëshi i perënduar. Sipas shpjegimit të tij, “Grupi i zjarrit” lidhet me grupin antimarksist që në fillim të vitit 1936 u krijua në Athinë nga një trockist me emrin Andrea Zisi. Ai më 1939  kishte shkuar në Shqipëri për të sabotuar lëvizjen komuniste dhe antifashiste: “Ai formoi në Korçë një “komitet qendror” dhe në Tiranë e në Vlorë nga një “komitet qarkor”…Pas krijimit të PKSH, Grupi i “Zjarrit” vazhdoi punën e vet armiqësore për të shkatërruar Partinë dhe për të sabotuar Luftën ANÇ. PKSH e luftoi dhe e demaskoi plotësisht këtë grup…”.

Ky është shpjegimi historik për atë “grupin e zjarrit” që si i këtillë nuk është se s’është përmendur edhe në ndonjë film artistik të kohës së Xhaxhit. Ndërkohë, zhurma e këtyre ditëve provoi se “nuk ka tym pa zjarr”. Zënkave e pakënaqësive të katërshes “Xhaferri, Mexhiti, Bexheti e Bejta” u doli tymi dhe për pasojë, përgjigja që erdhi nga kreu i BDI-së ishte e stilit “nuk u lë ta bëni tym e flakë”!

Po, përtej kësaj, çfarë fshihet pas këtij “tërmeti” politik në kampin e integristëve që, për hir të së vërtetës, nuk është se është as i pari e, gjykoj, s’do të jetë as i fundit?

Është e natyrshme që në një subjekt serioz, i cili po e dominon skenën politike shqiptare tash e dy dekada, të ketë fërkime e përplasje të natyrave të ndryshme. “Grupi i zjarrit” që u shpërfaq këtu e dy vjet më parë, në artikulimin e “pakënaqësive” të veta është mjaftuar me kualifikime të cilat, po të lexohen mirë e mirë, hollë e hollë, nuk provojnë se mes tyre dhe Partisë me emërtimin BDI ka dallime serioze, le të themi për kursin politik a programor të veprimit, por pezmi reduktohet në emra të përveçëm që, shikuar nga distanca, mund të interpretohet edhe si hatërmbetje e stilit ‘përse ata, e jo ne”! Po të ishte e kundërta, gjithë ky muhabet i zhurmshëm do të zhvillohej brenda strukturave partiake si kur është fjala për atë që “katërshja” e quan “themelim” të organeve statutare partiake apo “llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite!”, përkatësisht se “vendimmarrja politike është bërë pronë individuale”!

I rrekur për t’i nxjerrë “gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve”, fitohet përshtypja se “Grupi i zjarrit” nuk ka kute të njëjta për dritëhijet e integristëve në nahijen e Pollogut, ku në zgjedhjet e fundit nuk kaluan mirë jo vetëm në Tetovë, por edhe në Gostivar! Kjo për shkak të kandidimit të figurave politikisht të konsumuara nga të qenurit në pushtet!

Dhe, për të vazhduar lojën me fjalë, zhvillimet e pas publikimit të “letrës së hapur” të njëzetëshes së prirë nga katërshja e njohur, provojnë atë të njohurën se nuk ka tym pa zjarr: Zërat për tratativa të afrimit të ASH-së me mazhorancën aktuale, sado që, në shikim të parë, në funksion të konsolidimit dhe përgatitjes së terrenit për ndryshimin e radhës të Kushtetutës (për shkak të kërkesës për përfshirjen e bullgarëve në të), janë edhe një sinjal për të ashtuquajturin “grup i zjarrit” se – shërbimet e zjarrfikësve janë në gatishmëri!

Sidoqoftë, është për të besuar se është e rrezikshme të luash me zjarrin, sidomos kur hesapet bëhen pa hanxhiun!

Të fundit