E enjte, 1 Dhjetor, 2022

RANGIMI I UNIVERSITETEVE, NEVOJITEN REFORMA SUBSTANCIALE

Vite me radhë rangimi i universiteteve të Maqedonisë së Veriut në listat botërore lë shumë për të dëshiruar. Ekspertë të fushës së arsimit theksojnë se nevojiten reforma substanciale. “Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut është çështje komplekse dhe strategjike. Ai gjithnjë është në proces transformimi dhe ndryshimi, por gjithnjë cilësia mungon”, thotë profesor Xheladin Murati. Ndërkaq, profesori universitar, Bekim Fetah thotë se ndikim në rangim kanë punimet dhe projektet shkencore për të cilat duhet të rritet përkrahja financiare dhe administrative.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Sistemi arsimor dhe arsimi, nga çerdhet e deri në universitet, është skajshmërisht i politizuar dhe partizuar dhe kjo reflekton në vendosjen e standardeve arsimore, ndërkaq e gjithë kjo reflektohet edhe në rangimet e universiteteve të Maqedonisë së Veriut në listat botërore të rangimit. Kështu e vlerësojnë nivelin e arsimit në vendin tonë, ekspertët e arsimit.

Sipas njohësve të fushës, si arsye të rangimit shumë poshtë të institucioneve të arsimit të lartë e rendisin edhe financimin e dobët në hulumtime shkencore dhe në shkollimin e duhur të kuadrit arsimor.

Profesori Xheladin Murati thotë se rezultatet e rang listës së Shangajit, janë fillimisht për shkak se MASH asnjëherë nuk ka bërë një rangim të brendshëm të universiteteve për të pasur një pasqyrë të gjendjes.

“Rezultatet e rangimit sipas Listës së Shangait tregojnë një arritshmëri të dobët të universiteteve të RMV-së. Universitetet tona qëndrojnë prapa institucioneve universitare të shteteve të tjera. Rezultatet nga rangimi në Listën e Shangait janë jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi që ato nxjerrin në pah paaftësinë e arsimit sipëror për të përgatitur studentët në fundin e shkollimit të tyre për t’u bërë protagonist të zhvillimit të shoqërisë. Arsimi në Maqedoni është një faktor që përcakton rrugën e zhvillimit të të gjitha fushave. Sistemi arsimor në Maqedoni është çështje komplekse dhe strategjike. Ai gjithnjë është në proces transformimi dhe ndryshimi, por gjithnjë cilësia mungon”, thotë profesori Murati.

Arsimi, thotë ai, ka nevojë për reformë substanciale përfshirë këtu edhe universitetin, që në shumicën e rasteve ndoshta nuk ka qenë e qëlluar.

Ndërkaq, profesori universitar, Bekim Fetah thotë se ndikim në rangim kanë punimet dhe projektet shkencore, ndërsa sipas tij, duhet të rritet përkrahja financiare dhe administrative.

“Ndikimi më i lartë është i profesorëve me punime dhe projekte shkencore, por gjithashtu ndikim kanë edhe studentët e doktoraturës dhe postdoktoraturës të cilët gjenerojnë punime shkencore në suaza të studimeve te doktoraturës. D.m.th duhet të rritet përkrahja për to edhe financiare edhe administrative”, ka thënë profesori Fetah.

Përndryshe, Universiteti “Kirili dhe Metodi”, sipas renditjes së universiteteve të janarit 2022 është në vendin e 1.594, pra 100 pozita më poshtë krahasuar me renditjen e korrikut të 2021.

Universiteti “Goce Dellçev”, Universiteti i Europës Juglindore, u renditën në pozitën e 4.547, Universiteti i Tetovës renditet në pozitën e 4.510, ndërsa Universiteti “Nënë Tereza” në pozitën e 13 138.

Të fundit