E enjte, 1 Dhjetor, 2022

DAUTI: JEMI TË PËRGATITUR PËR PERIUDHËN QË VJEN, KRIZA BOTËRORE DO TË REFLEKTOHET NË VEND

Pronari i kompanisë “Dauti-Komerc”, Xhemail Dauti, tha të mërkurën mbrëma në Alsat, në emisionin “Magazina Ekonomike”, se lëkundjet e çmimeve të produkteve strategjike do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

“Është një krizë botërore që u përkeqësua me pandemia dhe arriti kulmin me luftën në Ukrainë. Ne si kompani jemi përgatitur për këtë situatë”, thotë Dauti. “Në sektorin e distribuimit në periudhën e ardhshme do të ketë mangësi të produkteve. Ne jemi distribues botërore dhe e dimë si janë trendët dhe këto reflektojnë me rritjen e çmimeve në vend.”

Sipas tij, sot kemi rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve strategjike të konsumit për 100 për qind.

“Partnerët tonë e bëjnë maksimumin që të na furnizojnë me mallra me çmim të arsyeshëm. Por ju dini se një e treta e prodhimit të grurit vjen nga Ukraina. Shtrenjtimi i çmimit të grurit reflektohet edhe ne produktet tjera që i distribuojmë. Është rritur edhe çmimi i naftës gjë që poashtu ndikon në çmimin final të produkteve”, thotë Dauti.

Në 3 muajt e fundit, thekson ai, ka pasur një dinamikë të madhe të lëvizjes së çmimeve ndërkohë që tregtarët janë munduar të respektojnë vendimet e Qeverisë.

“Fajtor për këtë gjendje janë ngjarjet që ndodhën. Qeveria bëri fiksimin e çmimeve apo nivelizimin e mallrave. Në Serbi çmimi i qumështit është i niveluar në 1 euro. Por nuk ka të drejtë të eksportojë”, deklaron pronari i “Dauti-Komerc”.

Dauti tha se Qeveria duhet të jetë më inkluzive në procesin e sjelljes së vendimeve për masat që merr për zbutjen e krizës.

“Para se të sjellë masa Qeveria duhet të konsultohet me sektorin e biznesit. Shumë nga produktet kanë tarifa doganore. Këto produkte duhet të lirohen  nga të gjitha gjitha barrierat tarifore dhe jotarifore”, thotë Dauti.

Sipas tij, në konsultim me lojtarët kryesorë të distribuimit në vend dhe rajon, Qeveria mund të marrë masa efektive që do të mbronin qytetarët si konsumatorë dhe kompanitë distribuese.

“Dauti-Komerc” është kompani lider në sferën e distribuimit të produkteve të konsumit të gjerë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Kohë më parë festoi 30-vjetorin e themelimit ndërkohe që sot është një konglomerat i fuqishëm biznesi, i pranishëm në 4 shtete të Ballkanit, me mbi 800 të punësuar, me furnizues nga 82 shtete të Botës dhe në mesin e 50 kompanive më të fuqishme në Maqedoninë e Veriut.

“Dauti-Komerc” disponon me qendra të sofistikuara të distribuimit në Saraj të Shkupit, me një hapësirë prej mbi 22.000 metrash katrorë, në Tetovë me 3.000 metra katrorë, në Strugë me 1.500 metra katrorë, në Durrës (Shqipëri) me 3.000 metra katrorë, në Ferizaj (Kosovë) me 15.000 metra katrorë dhe në Podgoricë (Mal të Zi) me 5.000 metra katrorë. Kompania simotër “Dauti-Transport Shped”, e shtrirë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ka një flotë prej 60 kamionësh dhe 11 zyra të shërbimeve të shpedicionit.

Zyra qendrore e tërë konglomeratit “Dauti” është e vendosur në Saraj të Shkupit, me hapësirë administrative prej 4.500 metrash katrorë.

Emisionin e plotë e shihni KËTU!

Të fundit