E enjte, 29 Shtator, 2022

RUSTEMI: KORRIDORI 8 DO TË BËHET, PENGESAT JANË TË NATYRËS TEKNIKE

Rustemi ka sqaruar se pengesat e paraqitura janë të natyrës teknike dhe se punimet do të fillojnë sapo të mënjanohen të njëjtat.

 

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Punimet për ndërtimin e Korridorit 8 në Maqedoninë e Veriut Korridori 8 duket se edhe këtë vit nuk do të fillojnë. Shkaku thuhet të jetë mungesa e mbikëqyrësit dhe konsulentit për autostradat e këtij korridori.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, në krye me drejtorin Ejup Rustemi, njofton se është anuluar tenderi në të cilin ishte përzgjedhur kompania nga Kroacia “IGH” për të mbikëqyrur ndërtimin e autostradave si dhe të korridorit në fjalë.

Rustemi ka sqaruar se pengesat e paraqitura janë të natyrës teknike dhe se punimet do të fillojnë sapo të mënjanohen të njëjtat.

“Me partnerin strategjik Bechtel Enka nënshkruam memorandumin në shkurt të vitit të kaluar. Pastaj më 27 korrik kaloi edhe ligji i posaçëm për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D, dhe pastaj ne si ndërmarrja publike për rrugë shtetërore duheshte që të fillojmë procedurat për zgjedhjen e mbikëqyrjes dhe konsulencës. Ndërkaq kompania kroate IGH ishte kompani që kishte aplikuar, vinte nga Kroacia si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATOs, dhe u zgjodh si fituese e tendrimit. Në afat kohor IGH duheshte të paraqesë garanci bankare prej 2.6 milion euro për realizimin e punimeve, gjë që kompania nuk e bëri. Andaj u mor vendimi për prishje të procedurës, pasiqë nuk rrespektoi edhe afatet ligjore” ka thënë Rustemi në emisionin debativ Click Plus në TV21.

Ekspertët thonë se Korridori 8 është një nga projektet që më së shumti pritet ta ndihmojë ekonominë e vendit. Ky projekt është më i madhi në infrastrukturën rrugore që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Korridori 8 apo siç njihet ndryshe në formulimet perëndimore “Korridori paneuropian VIII,” është korridor që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, duke u nisur nga portet italiane të Barit dhe Brindisit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi. Maqedonia e Veriut përmes këtij korridori ka për qëllim bashkëpunimet ekonomike, politike dhe shoqëror, me vendet fqinje.

Sipas Rustemit, edhe pse IGH ka qenë e lidhur me oligarkë rus, në të kaluarën ka qenë mbikëqyrëse e firmës Bechtel Enka në Kroaci dhe projektuese e autostradës Prishtinë-Bllacë dhe e Rrugës së Kombit.

Ndryshe, Rustemi mes tjerash mbrëm në kanalin TV21, përmendi edhe rrugën Shkup-Bllacë, duke thënë se 90% e rrugës do të duhej të ishte kryer, por për shkaqe të çështjeve pronsoro-juridike dhe pjesës së parcelave të cilët kanë qenë të pazgjidhura, procesi i asfaltimit është vonuar dhe se deri më tani janë realizuar rreth 65% e punëve për dy kilometrat e para.

“Kur flasim për Bllacë, 25 gusht 2020, kryetari Ali Ahmeti tha se ende nuk janë zgjidh çështjet pronosore-juridike, duhet të jemi shumë realist se cila është situata.Unë postin e drejtorit e kam filluar në fund të nëntorit 2020 në ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore, dhe që atëherë kanë qenë 24 parcela në të cilët nuk është bërë shpronësimi, ndërkaq për 1 muaj e tepër arritëm që të bëjmë shpronësimin e të gjitha parcelave, dhe filluam me një intensitet të lartë të punës në dy kilometërshin e parë të rrugës Shkup-Bllacë.Ndryshe 6 apo shtatë muajt e parë edhe pse materiali ishte në vend të punës , ne nuk mund që të punonim pasiqë çështjet pronsoro-juridike ishin ende të pazgjidhura, dhe ne nuk mund që të futeshim në parcela private.Kujtojë se intensiteti i lartë i punës ka filluar nga janari i viti 2021, dhe deri më sot rruga Shkup-Bllacë është arritur të kompletohet për 65 përqindë, ” tha Rustemi

Sipas Rustemit vonesat janë për shkak se në këtë zonë kanë dalë problem edhe me pjerrtësitë anësore.

“Pra vonesat janë shfaqur edhe për shkak se në këtë zonë kanë dalë problem edhe me pjerrtësitë anësore, ndryshe kemi porositur enkas projektimin e kësaj pjese anësore dhe një mur mbajtës i cili është 280 metra i gjatë dhe 18-20 metra i lartë në këto 2 km rrugë dhe prandaj projektimi duhet të bëhet nga projektuesi që është “Hill”, duhet të revidohet nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe pastaj të bëhet realizimi i kësaj pjese te dytë,” ka thënë mbrëmë Rustemi.

 

 

Të fundit