E enjte, 29 Shtator, 2022

SFIDAT E EDUKIMIT SEKSUAL, PIKËPAMJET PËR PËRFSHIRJE NË KURRIKULAT SHKOLLORE

Aktorë të ndryshëm të shoqërisë kanë këndvështrime të ndryshme sa i përket edukimit seksual si lëndë nëpër shkolla. Psikologu klinik Arbër Kadriu është pro futjes së kësaj lënde nëpër shkolla. Sipas tij, më mirë shëndeti seksual të mësohet në shkolla sesa fëmijët të infektohet apo viktimizohen nga persona të paduhur ose nga interneti. Profesori universitar, Ali Pajaziti thotë se inkuadrimi i lëndës “Edukata seksuale” në shkollat e vendit tonë, është një ndërmarrje që duhet menduar mirë, duke pasur parasysh mendësinë dhe botëkuptimin e shoqërisë sonë. Sipas tij, do të ishte mirë që gjëra rreth seksit dhe seksualitetit të jepeshin si në rastin e Portugalisë dhe Finlandës në kuadër të kurrikulës së biologjisë.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Aktorë të ndryshëm të shoqërisë kanë këndvështrime të ndryshme sa i përket edukimit seksual si lëndë nëpër shkolla. Kjo veçanërisht u riaktualizua si temë pas ndodhive të fundit në vendin tonë e në shtetet fqinje të përdhunimit të vajzave të mitura.

Ekspertë dhe studiues të shkencave sociale janë të ndarë në mendime. Njëra palë dëshiron që kjo lëndë të futet si lëndë në vete, në kuadër të kurrikulave mësimore, tjetra palë thotë që të futet në kuadër të ndonjë lënde aktuale dhe tabori fundit thotë se nuk duhet të jetë fare në shkolla kjo lëndë.

Psikologu klinik Arbër Kadriu është pro futjes së kësaj lënde nëpër shkolla, kurse si arsye kryesore e pontencon marrjen e informacioneve në këtë temë nga personat adekuad dhe jo nga rrjetet sociale, kurse sipas tij, efekte negative nuk mund të ketë.

“Personalisht, jam pro futjes së edukatës seksuale si lëndë në shkolla, për arsye dhe qëllime shumë profitabile prej së cilës mund të përfitojnë nxënësit. Efektet pozitive janë të shumëllojshme dhe të dobishme, duke filluar nga përforcimi edukatës, moralit, etikës, sjelljes e deri te shëndeti seksual që është pjesa më e rëndësishme, që ndërtojnë  personalitetin dhe karakterin e mirëfilltë të fëmijës duke i dhënë informacione të dobishme sipas normave të sakta  e të duhura edukative. Më mirë shëndeti seksual të mësohet në shkolla sesa fëmijët të infektohet apo viktimizohen nga persona të paduhur ose interneti. Çdo gjë që vjen nga moskontrolli shkollor apo prindi-kujdestar, mund të lëndojë fëmijën në përmasa të paparashikueshme“, u shpreh psikologu Kadriu.

Ndërkaq, sociologu dhe profesori universitar Ali Pajaziti, thotë se ky është një proces kompleks dhe e shpreh dyshimet e tij, nëse shoqëria jonë është e gatshme për ta pranuar këtë lëndë në shkolla.

“Inkuadrimi i lëndës ‘edukata seksuale’ në shkollat e vendit tonë, është një ndërmarrje që duhet menduar mirë duke pasur parasysh mendësinë dhe botëkuptimin e shoqërisë sonë. Do të ishte mirë që gjëra rreth seksit dhe seksualitetit të jepeshin si në rastin e Portugalisë dhe Finlandës në kuadër të kurikulës së biologjisë. Në Angli lënda ‘Relationship and Sex Education’ ka filluar të aplikohet nga viti 2019. Në Skoci quhet ‘Healthy respect’. Konservatorët seksualë thonë se seksi duhet mësuar brenda familjes. Në Poloni lënda rreth kësaj teme quhet ‘Edukim për jetën familjare’. Edukimi seksual merret edhe në mënyra informale, nga prindërit, shoku/shoqja, librat, mediet, rrjetet sociale etj. Mendoj se mbajtja e vijës së mesme është zgjidhja më e mirë”, u shpreh profesori Pajaziti.

Përndryshe, institucionet shtetërore ende nuk janë dekraruar se a janë pro apo kundër dhe se a kanë ndonjë plan konkret apo strategji se si do të shkoj në vazhdimësi ky proces.

Bashkësitë fetare dhe prindërit janë shprehur kundër kësaj lënde, pasi thonë se do t’i “ç’moralizojnë fëmijët e tyre”.

Të fundit