E mërkurë, 28 Shtator, 2022

RUSIA BËN MOBILIZIM SHTESË PËR LUFTËN NË UKRAINË

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të mërkurën një mobilizim të pjesshëm në Rusi, pasi lufta në Ukrainë po mbush shtatë muaj dhe Moska humbet terren në fushën e betejës. Presidenti Putin gjithashtu paralajmëroi perëndimin se “nuk është blof” që Rusia do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur territorin e saj, – transmeton kdpolitik.com. Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë.

Gjatë adresimit televiziv, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata” për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi”, tha Putin.

“Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet… për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t’i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është një mashtrim”, theksoi Putin. Ai shtoi se mobilizimi i pjesshëm ushtarak do të nisë menjëherë.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë, do t’i nënshtrohen rekrutimit, si dhe ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë përvojën përkatëse”, tha Putin.

Ai tha se qëllim i tij është “çlirimi” i rajonit Donbas në Ukrainën lindore.

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.

Referendumet, të cilat pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë më 23 shtator në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.

Analistët thonë se përpjekjet e tilla, të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha në një intervistë televizive se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët. Shoigu tha se rreth 300.000 njerëz të tillë do të thirren.

Ai, po ashtu, tha se 5.937 trupa ruse janë vrarë deri më tani në Ukrainë – shifër kjo shumë më e vogël se vlerësimet e Ukrainës dhe të disa vendeve perëndimore, që flasin për dhjetëra mijëra.

Kjo është hera e tretë që zyrtarët rusë japin shifra për humbjet ushtarake në Ukrainë. Hera e fundit ishte në fund të marsit, kur Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 1.351 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë.

Reagime: Zelensky thotë se forcat ukrainase janë në epërsi

Situata në fushëbetejën me forcat ruse tregon qartë se iniciativa është në anën e Ukrainës, – tha mëngjesin e sotëm presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. “Qëndrimi i Ukrainës nuk ka ndryshuar për shkak të “njëfarë zhurme” nga Rusia, tha Zelensky, duke iu referuar qartë referendumeve të shpallura për bashkimin me pjesët e okupuara të Ukrainës nga Rusia.

Volodimir Zelensky, president i Ukrainës

Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan, tha se kërcënimi i Putinit ndaj Perëndimit “është drithërues” dhe shtoi se fjalimi i tij “kishte shumë gënjeshtra”. “Është një kërcënim serioz, por është një kërcënim që është bërë më parë”, tha ajo për BBC-në.Më herët, Keegan tha se njoftimi i Putinit për një mobilizim të pjesshëm të forcave rezervë ruse, paraqet një “përshkallëzim shqetësues” të situatës.

Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan

Ajo tha se komentet e Putinit duhet të merren “seriozisht”, por bëri thirrje për qetësi përballë kërcënimeve të tij.

Keegan tha se diskutimet për zgjidhje diplomatike për luftën në Ukrainë, do të vazhdojnë.

Sekretari britanik i Mbr

ojtjes, Ben Wallace, tha se Putin, me njoftimin e tij për mobilizimin ushtarak, “është duke pranuar se pushtimi (i Ukrainës) është duke dështuar”.

“Kufijtë nuk zhvendosen me forcë”

Në fjalimin e tij të parë para Kombeve të Bashkuara, kancelari gjerman, Olaf Scholz ngriti akuza të rënda kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Duke iu referuar luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, Scholz tha se “ai nuk shkatërron (…) vetëm Ukrainën, ai po rrënon edhe vendin e tij.” Putin e zhvillon këtë luftë pushtuese me të vetmin qëllim: nënshtrimin e Ukrainës. Vetëvendosja dhe pavarësia politike nuk luajnë rol për të. Për këtë ka vetëm një fjalë: “Ky është imperializëm i pastër”, tha Scholz në Nju Jork.

Kancelari kërkoi nga bashkësia e shteteve të angazhohen për objektivat dhe parimet bazë të OKB-së. Nuk duhet të qëndrosh duarkryq, kur një superfurqi nukleare plotësisht e armatosur, përveç kësaj anëtare themeluese e OKB-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit kërkon të zhvendosë kufijtë me dhunë,- ka thënë Scholz./kdpolitic.com&Agjencitë/

Të fundit