E enjte, 29 Shtator, 2022

“DANAS”: GREQIA, SPANJA, QIPROJA, SLLOVAKIA DHE RUMANIA DO TA NJOHIN KOSOVËN!

 Është plotësisht reale mundësia që pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës – Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania – të ndryshojnë qëndrimin e tyre, edhe para afatit të parashikuar me planin 13-pikësh të kancelarit gjerman Scholz dhe presidentit francez Macron,- transmeton kdpolitik.com njoftimin e të përditshmes së pavarur serbe “Danas” sipas së cilës aktualisht më afër njohjes është Greqia.

Sipas gazetës që iu referohet burimeve diplomatike, Athina zyrtare do ta bëj këtë për shkak të kapërcimit të problemit kryesor që pati me Maqedoninë:

“Greqia është më e afër kësaj, sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë edhe formalisht. Deri tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të këtij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – kontesti me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë pengesa të tjera për çështjen e pavarësisë përveç Qipros”,- citon Danas burime anonime diplomatike, sipas të cilave “fakti se Qiproja është anëtare e BE-së, kjo çështje dallon shumë nga ajo kosovare, prandaj autoritetet në Greqi mund ta theksojnë këtë dallim nëse dëshirojnë  të fitojnë mbështetje për njohjen e Kosovës”.

“Nëse Greqia e bën këtë, Qiproja me siguri do të kundërshtojë, por sigurisht që nuk do të mbetet i vetmi shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nëse BE-ja kërkon unitet nga anëtarët e saj dhe nëse Greqia e ngre këtë çështje. Në këtë rast, është vetëm çështje momenti dhe marrëveshjeje se kur do të bëjë këtë edhe Spanja. Për Rumaninë dhe Sllovakinë, çështja është edhe më e thjeshtë”, – citon e pavarura serbe burimet e veta.

Plani i fundit 13-pikësh i Gjermanisë dhe Francës, për të cilin shkruajnë mediat, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve  që do të mbështetej në njohjen e ndërsjellë, parashikon që të  pesë shtetet e mbetura të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që marrëveshja që duhet të arrihet të fitojë legjitimitet të plotë në nivel të BE-së, – citon kdpolitik.com shkrimin e të përdishmes “Danas”./kdpolitik.com/

Të fundit