E mërkurë, 28 Shtator, 2022

RAMUSH TAHIRI, NJË INTELEKTUAL PAR EXCELLENCE

Intelektual par excellence, jo vetëm në ekrane dhe në analizat e ndryshme në shtypin vendas dhe të huaj, por dhe një shpirt tepër i pasur. Duke e njohur nga afër Ramush Tahirin, ai ishte i njëjti dhe në bisedat jashtë mediave: Njeri që transmetonte veç fisnikëri dhe mirësi, dashuri të veçantë për njerëzit. I ndjeshëm ndaj shqetësimeve të tyre, me një shpirtësi të rrallë dhe gatishmëri për t’u ndodhur pranë. Kam qenë dëshmitar i sa debateve të ngushta mes kolegësh, madje dhe miq të afërt të Ramushit. Gjithnjë i hapur.

Shkruan: LEONIDHA MËRTIRI

U mbush një vit me ndar jen nga jeta të Ramush Tahirit. Një vit që prehet në tokën e Kosovës, pranë prindërve të tij në Dramjak të Ferizajt. Iku herët, shumë herët. Duke komunikuar vazhdimisht me të, në ditët e fundit përmes mesazheve s’do ta besonim kurrë që sëmundja tinëzare dhe e pashërueshme nuk do të pyeste, siç ndodh me të, duke na lënë dhimbjen e thellë. Por tok me të dhe qindra kujtime që do të frymojnë përherë. Edhe pse e dinim gjendjen e tij, nuk mund t’u besoja syve ndërsa lexoja atë mesazh të orës 21 e 38’, që ma dërgonte një miku ynë i përbashkët: “Ramushi na la”. E humbëm Ramushin, atë, që dhe në ato ditë të vështira të tij, jo më larg se një muaj para kësaj që ndodhi, na jepte kurajë neve, Naimit, Ilirit dhe mua teksa pinim kafe në verandën e një hoteli në Tiranë, përballë ndërtesës së Parlamentit shqiptar. Kishte ardhur për një konsultë mjekësore. Një optimizëm i veçantë, me besimin që gjithçka do të kalonte.

Milaim Zeka, gazetar i njohur, do ta shihte largimin nga jeta të Ramush Tahirit, si humbje të modelit të një analisti të vërtetë… sepse mungojnë analistë të tipit të tij. Në debatet televizive, ku ai ishte shpesh i pranishëm apo në shkrimet e botuara në organe të ndryshme të mediave vendase dhe ato ndërkombëtare – gjithnjë dinjitoz, i pavarur në qëndrimet e veta, pa u ndikuar nga bindjet e politikanëve të ndryshëm, të forcave politike ose, nëse ndodhte – presioneve të tyre. Nuk mund ta imponoje e ta bëje kurrsesi ortak në qëndrime. Pa mbajtur anën e askujt. Kjo e rriste personalitetin e vet. Një karakter solid, që forconte besueshmërinë e shikuesve të debateve televizive, lexuesve të mediave të shkruara, që shfaqej i njëjti dhe kur u ngarkua të kryejë detyra të rëndësishme në struktura të larta të shtetit të pavarur të Kosovës. Konkret deri në detaje, argumentues, larg fjalëve të përgjithshme, që as ndezin, as shuajnë.

Ndodhte kështu sepse dhe formimi i tij akademik fliste shumë. Duke u diplomuar me rezultate të larta për shkenca politike në Universitetin e Zagrebit dhe duke qenë një studiues i vëmendshëm i politikës, u bë me të drejtë i kërkuar si politolog dhe analist i çështjeve politike. Larg qëndrimeve brejtëse të të ashtuquajturve analistë, të fryrë dhe të bezdisshëm në ekrane, Ramush Tahiri në tërë performancën e tij të bënte për vete. Dëgjonte zërin e kolegëve, edhe pse mund të mos ishte dakord me mendimet e tyre. Kundër zhurmës, etiketimeve, pa lajka a fodullëk. I qartë dhe i çiltër, pa ekuivokë, si të bindnin dhe më kundërshtuesit. Ishte e lehtë të dalloje kulturën që rrezatonte tek ai.

Intelektual par excellence, jo vetëm në ekrane dhe në analizat e ndryshme në shtypin vendas dhe të huaj, por dhe një shpirt tepër i pasur. Duke e njohur nga afër Ramush Tahirin, ai ishte i njëjti dhe në bisedat jashtë mediave: Njeri që transmetonte veç fisnikëri dhe mirësi, dashuri të veçantë për njerëzit. I ndjeshëm ndaj shqetësimeve të tyre, me një shpirtësi të rrallë dhe gatishmëri për t’u ndodhur pranë. Kam qenë dëshmitar i sa debateve të ngushta mes kolegësh, madje dhe miq të afërt të Ramushit. Gjithnjë i hapur. Përballë kundërshtive pa sens, buzëqeshja e ngrohtë e Ramushit e bënte atmosferën më të pranueshme; ajo të çarmatoste, teksa shoqërohej me “Ani, mendoje, megjithatë, si të duash”. Në 32 vitet e miqësisë sonë, nuk mbaj mënd të ketë folur një herë për veten. Shprehja e bukur latine “de sibi est tacendum” (duhet të heshtim për veten) mishërohej tërësisht tek ai.

Dy vjet e gjysmë më parë i thashë se kisha ndërmend të shkruaja për një problematikë që më ngacmonte tepër: Mëkëmbjen e shtetit të pavarur maqedonas në vitet e para të tij, marrëdhëniet tona dypalëshe dhe ato me shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. U gëzua shumë. Kjo, edhe për faktin që në atë periudhë ishim bashkë në Shkup dhe kishim shkëmbyer mendime për çështje të situatës në vend. Unë isha emëruar përfaqësues i parë diplomatik i shtetit shqiptar në Shkup. Kurse Ramushi dhe disa deputetë të Kosovës që shpallën Republikën e Kosovës më 2 korrik 1990 dhe më 7 shtator në Kaçanik miratuan Kushtetutën e Kosovës, duke u përndjekur nga regjimi i egër serb, u strehuan për një periudhë të shkurtër në Maqedoninë e Veriut. Më mbështeti plotësisht, duke më inkurajuar për të kapërcyer çdo sfidë, për të sjellë atë atmosferë të viteve 1993-1994, pa ngarkesa politike, me kujdesin e një diplomati. Madje, me shumë dëshirë shkroi pasthënien e librit tim “Një diplomat i Tiranës në Shkup”.

E them plot gojën: Isha me shumë fat që kisha një mik si Ramush Tahiri. Ai ishte për mua konsulenti më i afërt, që përfaqësonte vlerat më të dallueshme intelektuale, politolog dhe analist i mprehtë i zhvillimeve politike dhe atyre të marrëdhënieve ndërkombëtare, me vizion të kthjellët për Kosovën, duke bërë gjithçka për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të saj, për kombin shqiptar në tërësi. Njeri me kurajo të jashtëzakonshme për denoncimin e së keqes dhe për t’i thënë gjërat kurdoherë hapur. Kjo ishte rruga e Ramushit, nëpër të cilën eci i vendosur, pa u lëkundur asnjë çast, derisa sëmundja e ndau prej saj, prej familjes së tij të shumëçmuar, nga Lindita dhe dy djemtë e mrekullueshëm, Kreshniku dhe Valdrini, që i donte aq shumë, nga shokët dhe miqtë, të cilët janë të shumtë, duke mos e ndarë Ramushin nga bisedat e tyre, si të ishin bashkë si më parë.

Të fundit