E mërkurë, 5 Tetor, 2022

KA KOHË PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE DERI SA ZGJATË PROCESI I SCREENING-UT

Përfaqësues të qeverisë kanë bërë të ditur se ka kohë për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që po vazhdon procesi i skriningut. “Kemi diku 15-16 muaj për të bërë këto ndryshimet kushtetuese, deri në momentin e përfundimit të skriningut. Në momentin që do të përfundojë skriningu atëherë duhet të kemi përfunduar edhe me ndryshimet kushtetuese”, ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Ndërkohë ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka përshëndetur aktivitetet e deritashme të Komisioni i Përbashkët për Çështjet Historike dhe Arsimore

Shkruan: Enis Shaqiri

Statusi formal i Maqedonisë së Veriut, po vazhdon pa asnjë kërkesë shtesë nga ana e Bullgarisë kundrejt ndryshimeve kushtetuese.
Për procesin e eurointegrimeve dhe për ndryshimet kushtetuese, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, bënë të ditur se ka kohë të mjaftueshme për t’i bërë këto ndryshime, dhe se deri në momentin e përfundimit të skriningut, RMV do të ketë zgjidhje absolute.

Gjatë kësaj periudhe, kur të konstatojmë se janë numrat për ndryshimet kushtetuese. Kemi diku 15-16 muaj për të bërë këto ndryshimet kushtetuese, deri në momentin e përfundimit të skriningut. Në momentin që do të përfundojë skriningu atëherë duhet të kemi përfunduar edhe me ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Osmani

Kujtojmë se për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej 2/3 e votave në Kuvend.

Nga ana tjetër,  Ministria e Punëve të Jashtme bullgare, përmes një komunikate ka njoftuar opinionin se Komisioni i Përbashkët për Çështjet Historike dhe Arsimore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes ka arritur marrëveshje për çështjen e Shën Kirilit dhe Metodit, Shën Klimentit dhe Naumit njëjtë edhe për Car Samoilin. Mes tjerash ministria ka përshëndetur edhe aktivitetet e deritanishme të këtij komisioni , të themeluar për Marrëveshjen për fqinjësi të mire.

Publikimi i propozimeve të vitit 2019, të miratuara nga qeveritë e të dyja vendeve, është një hap shumë i rëndësishëm drejt njohjes së publikut si në Bullgari ashtu edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rezultatet e punës së komisionit të përbashkët. Kështu, sipas mendimit tonë, krijohet baza e nevojshme për të vazhduar me zbatimin praktik të një marrëveshjeje tjetër shumë të rëndësishme nga protokolli, e ajo është – koordinimi i një kalendari festimesh të përbashkëta për periudhën 2022-2023 për pesë figurat e përbashkëta historike”, thonë nga MPJ-ja bullgare.

Kostadin Kojabashev, zv. ministri i Punëve të Jashtme nga Sofja zyrtare  potencon se ministria resore po inkurajon komisionin që të vazhdojë përpjekjet e tilla për të përfunduar shpejt punën e të gjitha periudhave.

Në ndërkohë njoftimet e tilla, kanë nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, sidomos tek pjesa e rekomandimeve të cilat kanë të bëjnë me korrigjimin e librave të historisë për klasën e 6-të,  në Maqedoninë e Veriut dhe të klasës së 5-të në Bullgari. ku edhe i kanë quajtur si “prerje të rrënjëve maqedonase dhe hapjen e procesit të bullgarizimit të Maqedonisë”. Në mesin e reagimeve ka edhe propozime që në kontestin në mes Sofjes dhe Shkupit të përfshihen edhe historianë nga rajoni dhe nga Evropa, në emër të fakteve historike, por pala bullgare deri më tani kategorikisht e hedh poshtë këtë mundësi, duke insistuar në interpretimin e saj të të kaluarës në këtë pjesë të Ballkanit. ”

Mësohet se rekomandimet për ndryshimin e teksteve në Maqedoni dhe Bullgari përmbahen në pesë pika. Duke filluar nga problematika që ka të bëjë me Thrakinë e lashtë dhe thrakasit, për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore-historike në këtë rajon. Pason me sugjerimet për vazhdimësinë mes Maqedonisë antike dhe Maqedonisë si shtet modern, të cilat ‘përmbajnë anakronizëm historik’.
Vazhdon me hartat historike të shtetit të lashtë maqedonas ku thuhet se do të jenë më të sakta nëse i përgjigjen një periudhe të caktuar kohore. Në tekstin aktual në harta thuhet vetëm se bëhet fjalë për Maqedoninë e shekullit të vjetër pa dhënë detaje plotësuese. Dhe përfundon me tekstet shkollore të Maqedonisë edhe ato të Bullgarisë. Në të, komisioni thekson se me rastin e paraqitjes së disa bashkësive antike, duhet të merren parasysh tezat kryesore në historiografi për karakteristikat e tyre etnokulturore
(si paionët, dardanët, migdonët) ”, raporton Prizma.

 

Të fundit