E mërkurë, 5 Tetor, 2022

NË KOMUNËN E ÇAIRIT PËRUROHET SHESHI “WOODROW WILSON”

Si vazhdë e binjakëzimit me Qytetin Staunton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot në Komunën e Çairit u përurua Sheshi që bartë emrin e presidentit të 28-të amerikan Woodrow Wilson. Përurimin e sheshit e bënë ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kate M Byrnes dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Ganiu sqaroi se Sheshi “Woodrow Wilson“ që gjendet para objektit të Komunës së Çairit, do të jetë në funksion të plotë të të gjithë qytetarëve dhe iu dedikohet të gjitha gjeneratave.

Ky shesh i shtruar me granit natyral, përbëhet nga amfiteatri me 80 ulëse, skenë dhe shatërvan.

“Jemi të sigurt se ky shesh do të jetë tejet atraktiv për organizime të ndryshme kulturore e arsimore. Pra fëmijët e çerdheve, të shkollave, studentët do të mund të realizojnë organizime të ndryshme pa u nevojitur asnjë rekuizit tjetër sepse gjithçka kanë këtu- ulëset e amfiteatrit, skenën, shatërvanin dhe e gjithë kjo e rrethuar me një mjedis të gjelbër”, ka thënë kreu i Çairit, Visar Ganiu.

Ai më tej ka sqaruar se ndriçimi i posaçëm e bën të veçantë Sheshin  “Woodrow Wilson” mbi të gjitha në mbrëmje, kur qytetarët do të mund të kalojnë çastet e tyre në një ambient tejet komod.

Para godinës administrative të Komunës së Çairit me rastin e 100 vjetorit të Traktatit të Versajës, pra në vitin 2019 u vendos edhe busti i Presidentit Amerikan Woodrow Wilson.  Andaj, Ganiu theksoi se ashtu siç reflektonin idetë progresive të presidentit amerikan i cili aq shumë  deshi paqen dhe aspak luftën dhe roli i tij i rëndësishëm në Traktatin e Versajës për zhvillimin e popujve, njëlloj do të reflektojë emri i Woodrow Wilsonit përmes sheshit dhe bustit në Komunën e Çairit.

Ambasadorja Byrnes shprehu interes për fushat aktuale më prioritare të komunës dhe partneritetin në vazhdim me qytetin simotër të Staunton, Virxhinia.  Gjithashtu, ambasadorja Byrnes theksoi rëndësinë e qeverisjes së mirë dhe transparencës nga pushtetet lokale, me akses dhe trajtim të barabartë për të gjithë banorët dhe bizneset.

Ndryshe Komuna e Çairit tre vite me parë u binjakëzua me Qytetin e Stauntonit, vendlindjen e Presidentit Woodrow Wilson, një nga figurat më të lavdishme të politikës amerikane që luftoi për barazinë e popujve të vegjël jo vetëm të Ballkanit, më pas vijoi edhe vendosja e bustit të presidentit amerikan në Komunën e Çairit që u rrumbullakua me ndërtimin e Sheshit me po të njëjtin emër para objektit administrativ komunal.

Të fundit