E mërkurë, 5 Tetor, 2022

MASAT PËR KURSIMIN E ENERGJISË DO TA GODASIN EKONOMINË, NEVOJITET STRATEGJI AFATGJATE

Ndërkohë që qeveria ka rekomanduar masa për kursimin e energjisë elektrike, ekspertë të ekonomisë theksojnë se do të jenë një goditje e rëndë për ekonominë vendore po ashtu edhe për qytetarët e zakonshëm në veçanti. Kriza energjetike është në nivel global, ndërkohë që shtetet më të dobëta siç është Maqedonia e Veriut goditen më tepër. “Vendi jonë, u godit më tepër nga kjo krizë. Që në të ardhmen të zvogëlohen sa më shumë ndikimet negative në zhvillimin ekonomik, si rezultat i varshmërisë energjetike, duhet hartuar strategji konkrete për daljen nga kjo gjendje”, thotë eksperti i ekonomisë, Arben Halili. Sipas tij, një prej rrugëve për të ndjekur është reaktivizimi i termocentraleve, që edhe përkundër faktit se ndotin ambientin, në momente kur kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, edhe mund të arsyetohet.

Shkruan: Eljesa Dervishi

“Të fiken dritat kur nuk janë të nevojshme”. Nga 1 shtatori rekomandohen masa për kursimin e energjisë elektrike. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se masat janë të dedikuara për institucionet shtetërore dhe publike, por edhe për amvisëritë.

“Të gjitha institucionet shtetërore dhe publike si dhe ndërmarrjet shtetërore janë të detyruara që nga 1 shtatori deri në 31 mars vitin e ardhshëm, të fikin ndriçimin dekorativ në fasadat e të gjitha objekteve publike dhe monumenteve kulturore, të mos përdoret ndriçimi në hapësira të brendshme dhe zyrat e objekteve publike gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme të ditës, temperaturat e kondicionerëve në objektet publike në sezonin e ftohjes duhet të jenë jo më të ulëta se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më të larta se 20 gradë, të bëhet ajrosje e shkurtër, të fiken dritat kur braktiset hapësira, të shtypen vetëm ato dokumente që nevojiten”, tha Krenishnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ndërkaq drejtori i EVM-së, Vasko Kovaçevski tha se termoelektranat në Maqedoni punojnë me kapacitet të plotë dhe në muajt e parë të këtij viti ka prodhuar 2194 GWh që ka një rritje prej 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“EVN HOME për qytetares dhe për shfrytëzuesit e vegjël i përmbushim nevojat e tyre nga prodhimi jonë vendor, konkretisht SHA EVM nuk blen energji elektrike, ne vetëm marrim mazut dhe qymyr për prodhimin e energjisë elektrike me çka do ta rrisim prodhimin në këtë periudhë dhe çka është më me rëndësi në periudhën që vjen që është sezoni i ngrohjes”, deklaroi Vasko Kovaçevski, Drejtor i SHA EVM.

Ministri tha se nëpërmjet masave duhet të arrihet konsumi deri në 15% krahasuar me periudhën e një viti më parë. Nëse nuk arrihet ky qëllim do të pasojnë sanksione për drejtuesit e institucioneve, sepse siç tha ai do të ballafaqohemi me dimrin më të rëndë në Evropë për shkak të krizës energjetike.

Arben Halili, Ekspert i Ekonomisë, për KDP thotë se masat lidhur me krizën energjetike do të jenë një goditje e rëndë për ekonominë vendore po ashtu edhe për qytetarët e zakonshëm në veçanti. Sipas tij, vendi si më pak i zhvilluari u godit më tepër nga kjo krizë.

“Masat e propozuara lidhur me krizën energjetike në vend, nuk do mend që do të jenë një goditje e madhe për ekonominë vendore në përgjithësi edhe për qytetarët e zakonshëm në veçanti. Ne duhet pranuar që kjo krizë energjetike nuk mund kryekëput t’i faturohet poilitikbërësve në vend, sepse siç e dimë, e gjitha është pasojë e zhvillimeve në nivel global, e veçanërisht si rezultat i luftës ruse në Ukrainë. Megjithatë, kjo nxori në pah paaftësi edhe të vendeve evropiane, të cilat varshmërinë energjetike të tyre e kanë të lidhura me resurset energjetike ruse. Vendi jonë, u godit më tepër nga kjo krizë. Që në të ardhmen të zvogëlohen sa më shumë ndikimet negative në zhvillimin ekonomik, si rezultat i varshmërisë energjetike, duhet hartuar strategji konkrete për daljen nga kjo gjendje”, tha Eksperti i Ekonomisë, Arben Halili.

Poashtu, ai tha se, njëra prej rrugëve e cila duhet ndjekur është reaktivizimi i termocentraleve, që edhe përkundër faktit se ndotin ambienti në momente kur kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, edhe mund të arsyetohet.

“Një prej rrugëve për të ndjekur është reaktivizimi i termocentraleve, që edhe përkundër faktit se ndotin ambientin, në momente kur kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, edhe mund të arsyetohet. Dhe më re rëndësishmja, përdorimi resurseve natyrore, respektivisht hidro centralet e vogla dhe përdorimi i energjisë diellore. Te çështja e hidrocentraleve patjetër të ketë kontrolle më të rrepta dhe mos lejohet as shkatërrimi masiv i natyrës siç ka ndodh deri më tani, por kjo të bëhet konform standardeve dhe procedurave rigoroze”, u shpreh, Arben Halili.

Ndër të tjerash, Halili shtoi se, kufizimet e paralajmëruara për energjinë elektrike dhe nga ana tjetër rritja enorme e çmimeve do të jetë goditje e rëndë për vendin, prandaj zgjidhja duhet kërkuar në pavarshmërinë afatgjate energjetike.

Të fundit