E mërkurë, 5 Tetor, 2022

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, KA KOHË PËR TA BINDUR OPOZITËN T’I BASHKOHET NISMËS

Kanë vazhduar përplasjet mes partive politike mbi ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e procesit të bisedimeve me BE-në. Analistët theksojnë se numri i mjaftueshëm i votave për ndryshimet kushtetuese paraqet një sfidë mjaftë serioze për qeverinë, ndërkohë që opozita maqedonase është rreshtuar haptazi kundër procesit të eurointegrimit.  “Sigurimi i 80 votave në një konstelacion të këtillë të forcave në Parlament gjithsesi se paraqet një sfidë shumë serioze për qeverinë. E mira është se votimi për ndryshime në Kushtetutë ka një afat të caktuar që i jep mundësi shumicës parlamentare të gjejë mënyrë për ta bindur opozitën që t’i bashkëngjitet nismës për ndryshime në Kushtetutë, e cila do ta hapte rrugën për anëtarësimin e shumëpritur të vendit në BE”, thekson analisti politik Ibrahim Memeti.

Shkruan: Enis Shaqiri

Ndryshimi i Kushtetutës është vetëm një nga kushtet që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut, e cila për momentin duket e pamundur për shkak të kundërshtimit të partive opozitare VMRO-DPMNE dhe partisë “ E Majta”.

Sipas Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç, ende është herët për të folur për ndryshimet kushtetuese.

Në konferencën e sotme për shtyp, Mariçiç theksoj se  “ende nuk kemi kornizë kohore, them se skriningu na jep mjaftueshëm kohë për të vepruar dhe do të punojmë në këtë në mënyrë intensive, procedura në Kuvend do të nis në ndonjë fazë të ardhshme, tani mendoj se është herët

Mariçiç në lidhje me ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, nënvizoi se VMRO-DPMNE-ja do të duhet që të mbledh forcat dhe të votojë për mbështetje në qëllimet strategjike të vendit.

VMRO-DPMNE dhe z. Mickoski duhet njëherë të japin mbështetje për qëllimet tona strategjike, e humbën atë për NATO, me të vërtetë kjo është për të ardhur keq për të gjithë ne, por nuk duhet ta humbin për BE-në. Besoj që do të mbledhin forcat ose si parti ose si struktura politike në parti që të japin mbështetje për këtë proces,” theksoi Bojan Mariçiç.

Ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa përfshirjen e opozitës, pasi pushteti nuk i disponon numrat e deputetëve që do të mund të votonin këto ndryshime.

Në një prononcim për KDP, analisti politik Ibrahim Memeti , thotë se numri i mjaftueshëm i votave për ndryshimet kushtetuese paraqet një sfidë mjaftë serioze për qeverinë, pasi që tash e për një kohë dihet se opozita maqedonase është rreshtuar haptazi kundër procesit të eurointegrimit. Sipas tij, e mira e këtij procesi është se votimi për ndryshimet në Kushtetutën e RMV-së, ka një afat të caktuar kohor, që i jep mundësi shumicës parlamentare të gjejë mënyrë për ta bindur opozitën  për këtë nismë.

Sigurimi i 80 votave në një konstelacion të këtillë të forcave në Parlament gjithsesi se paraqet një sfidë shumë serioze për qeverinë. E mira është se votimi për ndryshime në Kushetutë ka një afat të caktuar që i jep mundësi shumicës parlamentare të gjejë mënyrë për ta bindur opozitën që t’i bashkëngjitet nismës për ndryshime në Kushtetutë, e cila do ta hapte rrugën për anëtarësimin e shumëpritur të vendit në BE. Se si do të mund të realizohej një gjë e këtillë në një situatë kur opozita maqedonase është rreshtuar haptazi kundër procesit të eurointegrimit, mbetet punë e vështirë, por unë mendoj se do të jetë e domosdoshme ndërhyrja e miqve të vendit tonë tek të cilët opozita maqedonase ka mbështetje”, thekson Ibrahimi.

Sipas tij, edhe opinioni i gjerë, përfshirë mediat, duhet të fokusohen në këtë temë jo vetëm me transmetimin e kontradiktave dhe kontraversave, por edhe me materiale hulumtuese për benefitet materiale, por edhe më tepër për benefitet për demokratizimin e mirëfilltë me çka do të hapej perspektiva për të rinjtë, të cilët tani fatin e shohin thuajse kryekëput jashtë vendit.

“Jo vetëm partitë opozitare, por edhe më tepër përkrahësit e këtyre partive duhet ta kuptojnë se pengimi i eurointegrimit është drejtë për së drejti kundër interesave të tyre dhe të rinisë për të cilën, në një anë aq shumë flasin, e nga ana tjetër nuk e shohin zgjidhjen e cila ofrohet,” thekson Ibrahimi.

Për më tepër, analisti Ibrahimi  thotë se deri në ditën e votimit, koha duhet të shfrytëzohet për ta qartësuar se eurointegrimi i vendit nuk guxon të keqpërdoret për politika ditore .
Pra, koha deri në ditën e votimit duhet të shfrytëzohet për ta qartësuar se eurointegrimi nuk guxon të keqpërdoret për politikë ditore dhe se ata që do të përpiqen ta bëjnë këtë në fakt punojnë kundër interesit të shtetit dhe të qytetareve. Gjithashtu, mendoj se hapja e çështjes së Kushtetutës duhet të shfrytëzohet si rast i mirë për korrigjimin e disa padrejtësive tjera, siç është rasti me emërtimin e gjuhës shqipe jo me emrin e saj, por si përqindje. Është shumë me rëndësi që fillimi i procesit eurointegrues të shënojë një moment të ri i cili do t’i lë anash të gjithë ato dukuri që e pengojnë Maqedoninë e Veriut të rreshtohet në shoqërinë e shteteve bashkëkohore demokratike ” thekson për KDP Memeti.

Në ndërkohë Sofja zyrtare nënvizon se në qoftë se Hristijan Mickoski dhe partia e tij e udhëheqin fushatën e tyre në këtë tezë, kjo do ta bllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt procesit eurointegrues.

Ndërsa opozitarja VMRO-DPMNE është kundër dhe pohon se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese, me arsyetimin se Bullgaria, përmes BE-së do të udhëheqë politike të asimilimit dhe bullgarizimit të popullit maqedonas, identitetit dhe historisë së tij.

Të fundit