E mërkurë, 5 Tetor, 2022

ZIGZAG: PRAPAGANDA & TEJQYRA

Vlerësimi i rolit të protagonistëve të jetës politike në secilën shoqëri, në secilin popull a komb, pra në secilin shtet, herë-herë është për bezdi. Për bezdi për shkak se, për të mirë e besa edhe për të keq, këtë rol nuk e lëmë të ‘pushojë’ pak në kohë dhe pastaj t’i vëmë në peshojë të gjitha. Për pasojë, jemi këtu ku jemi e merremi me këto cukla që provojnë se jemi për prapagandë aniqë mendja na thotë se po bëjmë propagandë!

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Sado që pandehim se bajraktarizmi dhe bajraktarët i përkasin shekullit të kaluar nga na oshtijnë dhe sot vargjet e papërsëritshme të të madhit Fan Noli, prapëseprapë në thelb, nuk është se kemi bërë ndonjë shkëputje të pakthyeshme. Për pasojë, nuk mund të thuhet se kuja  noliane nga Anës Lumenjve nuk ngjet e nuk dëgjohet sot:

‘…ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur’
.

Si gazetar, më ka rastis të jetoj e përjetoj rënien e sistemit të kaluar dhe hapat e parë të shumëpartizmit këtu ndër ne shqiptarët në ish-Jugosllavi e, po e them me modesti, edhe në Shqipëri. Domethënë, nuk është se nuk më thonë gjë, ta zëmë, mbiemrat Hoxha, Bakalli, Nimani, Vllasi, Zajmi, Demaçi, Hoti, Rugova, Agani, Krasniqi, Qosja, Jashari, Çeta, Surroi, Maliqi, dhe më pas Thaçi, Haradinaj, Veseli e një dyzinë emrash  të kohës (kur është fjala për Kosovën), përkatësisht, Halili, Aliti, Emini, Xhaferi, Thaçi, Sulejmani, Veliu, Ahmeti, Bardhi, Dinosha, Halimi (në Maqedoni, Ulqin e Preshevë), apo Alia, Mejdani, Berisha, Pashko, Hajdari, Nano, Godo, Mustafaj (në Shqipërinë mëmë). Gjykoj se këta dhe shumë të tjerë, kanë bërë emër në historinë moderne tonën. Ama, është për të ardhur shumë keq kur në turrevrapin për të lartësuar apo minimizuar mundin e njërit apo të tjetrit, themi gjëra pa i përtypur mirë e sa duhet, për të mirë a për të keq, kjo s’ka rëndësi, për shkak se autorët si duket me vetëdije e lëshojnë, herë të zezën mbi të bardhë e herë të bardhën mbi të zezë, pa çka se edhe ne, le të them vëzhgues, ama jo sehirxhinj të kohës, mund të kemi parë apo shënuar gjëra, veprime apo mosveprime të cilat nuk u bëjnë nder këtyre që me turrevrap japin e marrin ‘pluse apo minuse’ të X&Y-nëve! Për shkak se veprat bëhen me punë e jo me llafe!

Mrë e pati thënë Teki Dervishi, shumë vite më parë, teksa shkruante për ‘fenomenin e vonesës historike’. Ky fenomen, thotë ai, ‘del si rezultat i prirjes për konvertizëm, pra ata që dje “lavdëronin”… sot “shajnë” dhe “vox clemantis”-i, përsëri shurdhohet. E përvetësojnë autorësinë e kritikës, por ani, mirë, se politika nuk është letërsi. Nuk ndërpritet status quo-ja pa refuzime, ose siç do të thoshte dikur Anton Çetta, më mirë vonë se kurrë’.

Së këndejmi, vlerësimi i rolit të protagonistëve të jetës politike në secilën shoqëri, në secilin popull a komb, pra në secilin shtet, herë-herë është për bezdi. Për bezdi për shkak se, për të mirë e besa edhe për të keq, këtë rol nuk e lëmë të ‘pushojë’ pak në kohë dhe pastaj t’i vëmë në peshojë të gjitha. Për pasojë, jemi këtu ku jemi e merremi me këto cukla që provojnë se jemi për prapagandë aniqë mendja na thotë se po bëjmë propagandë! Në këtë kohë të ‘vonesës’ historike, kur gjërat e punët duhet t’i shikojmë me tejqyrë e me thjerrë. Jo për diçka tjetër, po për të nderuar të tjerët dhe, kuptohet, veten! Në të kundërtën, çdo kujë do të mbetet zë në shkretirë!

Të fundit