E mërkurë, 5 Tetor, 2022

MIRATIMI I REKOMANDIMEVE, PËRPLASEN VMRO-DPMNE DHE LSDM

Miratimi i rekomandimet të Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ka ngjallur edhe njëherë përplasje të forta mes VMRO-DPMNE-së opozitare dhe LSDM-së. “LSDM dhe Kovaçevski çdo ditë kryejnë tradhti kombëtare ndaj popullit dhe shtetit maqedonas”, kanë theksuar nga partia e Mieckovskit, ndërkohë LSDM ka theksuar se “sot u bë e qartë se në ato rekomandime nuk ka asgjë kontestuese, nuk ka asgjë të fshehur, nuk ka fshirje apo ndryshim të historisë, nuk ka histori sipas terkut bullgar siç gënjeu Mickoski dhe VMOR-DPMNE”. Bashkëkryetari i Komisionit, Dragi Gjorgiev ka theksuar se rekomandimet për ndryshim të librave kanë të bëjnë me disa parregullsi strukturale, si gabime të faktografive, gjeografisë historike, gjegjësisht siç janë prezantuar rajone të caktuara gjeografike në libra

 Shkruan: Enis Shaqiri

Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për çështjet Historike dhe Arsimore, Maqedoni e Veriut- Bullgari, sot ka miratuar rekomandimet të cilat kanë të bëjnë me korrigjimin e librave të historisë për klasën e 6-të, në Maqedoninë e Veriut dhe të klasës së 5-të në Bullgari.

Dragi Gjorgiev, bashkëkryetari i Komisionit, ka njoftuar se rekomandimet për ndryshim të librave kanë të bëjnë me disa parregullsi strukturale, si gabime të faktografive, gjeografisë historike, gjegjësisht siç janë prezantuar rajone të caktuara gjeografike në libra, ku sipas tij, në ato segmente më së shumti lëshime kanë pasur të dyja sistemet arsimore.

Rekomandimet nuk prekin çështjet e identitetit, dhe të njëjtat janë të përkushtuara në atë që të shmanget mitologjizimin e asaj periudhe antike të të dyja palëve dhe të shmanget perspektiva e sotme nacionale. Nga ai aspekt vlerësojmë se do të korrigjohen librat e historisë në të dyja vendet”, tha Gjorgiev.

Nga ana tjetër përmes një komunikate të lëshuar nga partia VMRO-DPMNE, në lidhje me rekomandimet e Komisionit për çështjet Historike dhe Arsimore, thonë se “LSDM dhe Kovaçevski çdo ditë kryejnë tradhti kombëtare ndaj popullit dhe shtetit maqedonas

Sipas kësaj partie, Qeveria aktuale, Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq kanë hequr dorë nga gjithçka dhe kanë pranuar që Car Samoili të ishte car bullgar, ndërsa Kirili, Metodi, Shën Klimenti dhe Naumi i Ohrit e krijuan shtetin e Bullgarisë.

Shën Kirili dhe Metodi, Klimenti dhe Naumi i Ohrit në vend të maqedonasve do të nderohen si figura të përbashkëta historike me Bullgarinë. Qeveria dhe Kovaçevski kanë prekur fundin. A ka timon në anijen që po fundoset? ”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së

Mes tjerash njoftojnë se lideri i partisë së VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, po zhvillon takime edhe me partnerët e koalicionit, prej të cilëve pret që ta mbështesin iniciativën për referendum kundër ndryshimeve kushtetuese.

Gjatë ditës së sotme po mbahen takime nga ana e kryetarit të VMRO-së Mickoski dhe udhëheqësisë partiake me përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit. Nga këto takime presim konfirmim të mbështetjes për deklarimin e qytetarëve në referendum në lidhje me kornizën negociuese në kontekst të Marrëveshjes me Bullgarinë. Riafirmim të atij qëndrimi, riafirmim të mbështetjes në përgjithësi për të qëndruar në koalicion me ne”, tha Brane Petrushevski, deputet i VMRO-së.

Nga partia në pushtet njoftojnë se rekomandimet e miratuara për tekste të caktuara në arsimin fillor janë të bazuara në reciprocitet dhe do t’i dorëzohen qeverisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë,

Këto janë rekomandime të miratuara nga një komision ekspertësh dhe i pavarur pa asnjë ndikim politik. Nderimi i përbashkët i figurave historike si vëllezërve Shën Kiril dhe Metodi, Naum Klimenti i Ohrit si dhe Car Samueli do të forcojë edhe më shumë përgjegjësinë e të dy vendeve në ruajtjen e kujtimit të këtyre personave,” tha sot zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

Ndërkaq sipas tyre me rekomandimet e miratuara të Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore, të gjitha gënjeshtrat e VMOR-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit kanë rënë në ujë.

Sot u bë e qartë se në ato rekomandime nuk ka asgjë kontestuese, nuk ka asgjë të fshehur, nuk ka fshirje apo ndryshim të historisë, nuk ka histori sipas terkut bullgar siç gënjeu Mickoski dhe VMOR-DPMNE”, tha Kaevski.

Kujtojmë që Protokolli i nënshkruar (më 17 korrik), thotë se shteti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në afat prej një muaj nga nënshkrimi duhet që t’i publikojnë rekomandimet në ueb-faqet e të dyja qeverive tashmë rekomandimet të dakorduara nga puna e deritanishme e Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore.

Të fundit