E mërkurë, 5 Tetor, 2022

RRITET KOSTOJA E JETESËS PAVARËSISHT MASAVE KUNDËR KRIZËS

Për shkak të krizës në sektorin e energjisë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar masa të reja antikrizë për qytetarët dhe kompanitë, mbi të gjitha për sigurimin e burimeve të energjisë për dimër. Kostoja e jetesës në korrik krahasuar me qershorin e këtij viti është rritur me 1.9 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 2.5 për qind. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, kostoja e jetesës muajin e kaluar ishte më e lartë për 16 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 14 për qind, njoftuan nga Enti Shtetëror i Statistikave. Ekspertët thonë se qeveria po ndërmerr masa afatshkurta, ndërkohë që do të duhej të mendohet për një periudhë më të gjatë mbi jetesën e rrezikuar të qytetarëve. 

 Shkruan: Puhiza Osmani

Pavarësisht masave anti-krizë, shpenzimet minimale të një familjeje janë rritur shumë për muajin korrik, gjegjësisht me pagë minimale punëtorët mund të blejnë vetëm ushqime dhe pije.

Sipas llogaritjeve të Sindikatës të Maqedonisë (SSM) shpenzimet minimale të një familjeje për muajin korrik janë 47.042 denarë, shumë e cila nuk mjafton as për familjet ku ka dy punonjës që kanë të ardhura njëri me pagë mesatare dhe tjetri me pagë minimale.

“Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se inflacioni prej 16 për qind e zhvlerëson vlerën e pagave, dhe prej këtu shuma prej 18.000 denarë, që është paga minimale në Maqedoni, ka vlerë reale prej 15.120 denarë, dhe shuma e pagës mesatare neto prej 31.525 denarë ka vlerë reale prej 26.481 denarë, që e varfëroi dukshëm punëtorin dhe qytetarin maqedonas”, thonë nga SSM.

Nga sindikata gjithashtu u shprehën se punëtorët kanë nevojë për rregullime urgjente të pagave për të zbutur goditjen inflacioniste, dhe kjo do të thotë se qeveria duhet të rregullojë pagat me 18.4 për qind deri në shtator në përputhje me ligjin, përndryshe siç i dënon qeveria punëtorët, ashtu punëtorët do të ndëshkojnë qeverinë.

Ekonomistja Bukurije Osmani u shpreh se kjo krizë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë do vazhdojë që të rrisë inflacionin, duke i ndryshuar modelet globale të tregtisë, prodhimit dhe konsumit në atë mënyrë që do t’i mbajnë çmimet në nivele historikisht të larta deri në fund të vitit 2024.

“Rritja e çmimeve të disa mallrave po rrit gjithashtu çmimet e mallrave të tjera, për momentin kemi një rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike, dhe reagimet e deritanishme të qeverisë ndaj kësaj krize janë përqëndruar në masa afatshkurtra, dhe jo në masa afatgjata për të ulur sado pak koston e jetesës. Kjo krizë kërkon nga politikëbërësit të veprojnë menjëherë për të minimizuar dëmin ndaj qytetarëve të tyre dhe ekonomisë së vendit tonë. Qeveria duhet të ndërmarri programe që do të synojnë një rritje më të madhe të rrjetit të sigurisë për jetesën. Gjithashtu një prioritet kyç duhet të jetë investimi në zhvillimin e burimeve të energjisë”, tha Osmani.

 

Të fundit