E mërkurë, 5 Tetor, 2022

PËRJETUAM  NJË FIILLIM TJETËR LUFTE

A është fjala për një tjetër shfaqje me regji të mirë me aktorë të njohur mirë, ose për një rrezik real, kjo është krejtësisht njësoj. Kokat e nxehta erdhën sërish në shprehje!

Shkruan: NENAD KULAÇIN

Mbijetuam një fillimi tjetër të luftës në Kosovë. Armëpushimi është i garantuar deri në fund të gushtit, sepse ambasada amerikane arriti ta bindë kryeministrin kosovar Albin Kurti që ta zgjasë për 30 ditë rrëfimin për targat dhe dokumentet personale të serbëve kosovarë nga veriu i Kosovës.

Edhe pse gjithë ajo që ndodhi në Kosovë në ditën e fundit të korrikut dhe ditën e parë të gushtit dukej mjaft dramatike, megjithatë të gjithë shpresonim se ka mjaft urtësi dhe pjekuri politike për të parandaluar një konflikt të ri.

Është krejt njësoj nëse  fjala është për një tjetër shfaqje me regji të mirë me aktorë të njohur mirë, ose për një rrezik real, kjo nuk ka rëndësi. Kokat e nxehta erdhën sërish në shprehje dhe në qendër të vëmendjes, ndërsa zjarrin ia dolën disi ta shuajnë, para së gjithash, amerikanët.

Skenari tashmë ishte parë. Njësitë kosovare u nisën drejt Veriut, u dëgjuan sirenat, kurse serbët shpejt e mirë ngritën barrikada pak më të forta. Pati pak të shtëna, për fat pa pasoja, politikanët mbajtën fjalime të zjarrta, presidenti i Serbisë u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa televizioni Pink organizoi një emision special në të cilin u pompua një dozë shtesë e patriotizmit të rrejshëm me thirrje lufte. Në Serbi, më luftarakë ishin pikërisht ata kurrë nuk kanë kryer shërbimin ushtarak, ndaj nëpër Serbi po qarkullon batuta: Ku e mbrojte Serbinë? Në emisionin special!

Impotenca e komunitetit ndërkombëtar

Situata ishte vërtet e tensionuar. Përderisa Prishtina po përpiqet me të gjitha fuqitë të rrumbullakojë “shtetësinë” e saj, Beogradi me  përpjekje mbinjerëzore po mundohet të ruajë të paktën një përshtypje të vogël se Serbia është ende e pranishme në Kosovë. Ajo që është shqetësuese në gjithë këtë histori është impotenca e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë e Bashkimit Evropian, pavarësisht se u parandalua një konflikt më serioz.

Gabimi themelor i komunitetit ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe Kombet e Bashkuara, është se nuk ka forcë, dëshirë, vullnet dhe me sa duket as kapacitet për të zbatuar atë që është nënshkruar nën kujdestarinë e tyre si marrëveshje ndërkombëtare. Nëse dikush ka nënshkruar Marrëveshjen në të cilën shkruhet se është obligim i Prishtinës formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, pse tolerohet që kjo pjesë e dokumentit ndërkombëtar nuk u respektua gjithë këto vite. Atë e firmosën edhe Beogradi, edhe Prishtina, edhe Brukseli. Nëse është nënshkruar çfarëdo dokumenti që rregullon çështjen e dokumenteve personale dhe targave të qarkullimit, atëherë ai duhet të respektohet patjetër. I pëlqen kjo dikujt ose jo. BE-ja e ka garantuar edhe këtë me autoritetin dhe nënshkrimin e vet.

Sapo diçka nuk respektohet, lind një problem dhe kjo vazhdon me vite. Kësaj radhe, ndoshta për herë të parë, Prishtina nuk pati “aminin” qind për qind për aksionin. Mirëpo, dikush edhe Serbisë i ofroi shpresën e rrejshme që të mendojë për hyrjen ushtarake në pjesën veriore të Kosovës. Secili, sërish nga këndvështrimi i vet e komentoi qetësimin e situatës. Beogradi edhe një herë shpalli fitoren, askush nuk e di për çka, ndërsa Prishtina është e bindur se do t’ia dalë me forcë  që serbëve në veri të Kosovës t’ua imponojë dokumentet personale dhe targat e qarkullimit të makinave.

Duhet theksuar edhe një herë se Beogradit zyrtar nuk lëvizi qerpikun  kur serbët në jug të Ibrit kaluan nga targat serbe në ato të RKS. Askush nuk përmendi “Stuhitë” e reja, e as se Serbia do të fitojë. Në pjesën jugore, dhe kjo duhet ditur, jetojnë më shumë serbë sesa në atë veriore. Kësaj radhe, synimi i Prishtinës për ta futur tërë Kosovën nën targat e RKS-së për pak sa nuk çoi në një konflikt luftarak.

“Duhet ftohur kokat e nxehta”

Situata aktuale duket si kartat pat. Prishtina po godet me qëllimin që edhe me forcë të zbatojë qëllimet e saj, ndërsa Beogradi po i mëshon se  Kosova është pjesë integrale e Serbisë, sepse kështu shkruan në Kushtetutë. Kryeministri kosovar Albin Kurti duhet të kuptojë detyrimisht se Veriu nuk është vetëm një territor dhe se atje jetojnë serbë, të cilët ai nuk do të mund t’i komandojë si të dojë, ndërsa e Presidenti i Serbisë se nuk ka absolutisht përtej Veriut nuk ka kurrfarë ndikimi në jetën e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar më në fund duhet të ndërgjegjësohet se Serbisë duhet t’i ofrojë Serbisë diçka në mënyrë që të arrihet zgjidhja përfundimtare e problemit kosovar, por edhe që të parandalojë çdo veprim të njëanshëm të Prishtinës që do të kishte për objektiv konflikte të reja.

Pas kësaj krize u bë krejtësisht e qartë se Serbia as që mund të ëndërrojë që të hyjë me ushtri në Kosovë. Mund të tentojë, por kjo pothuajse me siguri do të çonte në ndërhyrjen e re të NATO-s, sepse hyrja në Kosovë do të mund të interpretohet edhe si sulm kundër NATO-s. Është e pabesueshme që Beogradi të merrte për diçka të tillë  qoftë edhe pëlqimin në heshtje  të qendrave më të rëndësishme të pushtetit në botë, qoftë edhe sikur ato papritmas t’ia kthenin shpinën Kurtit dhe Prishtinës.

Prandaj duhet të ftohen kokat e nxehta, sipas të cilave ushtria serbe do të hynte në Kosovë, do të pushtonte pjesën veriore dhe më pas, nga ky pozicion, të hynte në përfundimin e negociatave me Prishtinën. Nga ana tjetër, mbase bashkësia ndërkombëtare ia ka bërë të qartë Prishtinës se hapat e njëanshëm nuk janë diçka që do ta mbështesin. Për sa u tha më sipër, ky është një moment i mirë për vazhdimin e negociatave të cilat janë paralajmëruar për 18 gusht.

Duhet të jetë gjithashtu e qartë se konflikti në vijën Beograd-Prishtinë nuk mund të identifikohet me konfliktin Rusi-Ukrainë. As Vuçiq nuk është Putini ballkanik, as Kurti Zelenski ballkanik. Këto janë krahasime të rrezikshme që kërcënojnë paqen në rajon, pavarësisht kush dhe çfarëdo të mendojë për Vuçiqin dhe Kurtin.

Negociatat e ardhshme janë mundësia e vetme që për fillim, të paktën të zgjidhet problemi me targat dhe dokumentet. Është momenti që nisë zgjidhja përfundimtare e nyjës kosovare. Kjo përfundimisht duhet të jetë zgjidhje kompromisi që do të jetë e dhimbshme për të dyja palët, por do ta sjellë paqen definitive. Beogradi dhe Prishtina duhet ta pranojnë patjetër realitetin në terren, sado që ta kenë këtë vështirë, dhe në përputhje me këtë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar një të ardhme të sigurt për qytetarët e Serbisë dhe të  Kosovës./balkans.aljazeera.net/

 

Të fundit