E mërkurë, 5 Tetor, 2022

KRIZA EKONOMIKE THELLON VARFËRINË NË MAQEDONINË E VERIUT

Disa qytetarë në Maqedoninë e Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se mezi mbijetojnë me të ardhurat që marrin. Kjo për faktin se çmimet e produkteve janë rritur, por nuk janë rritur edhe pagat.

Se çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur krahasuar me një vit më parë, thuhet edhe në të dhënat e fundit të Entit shtetëror të Statistikave.

Sipas Entit, paga mesatare brenda një vitit është rritur për gati 3.000 denarë (50 euro), duke arritur 31.400 denarë (rreth 500 euro). Por, këto para bazuar në rritjen e çmimeve, kanë vlerën e 28.700 denarëve apo rreth 450 euro.

Të dhënat zyrtare tregojnë se paga mesatare është rritur me 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por kostoja e jetesës është rritur me 14 për qind, pra, paga mesatare është 2.3 për qind më e ulët krahasuar me një vit më parë.

Imeri, i punësuar në sektorin privat, thotë se merr një pagë mujore prej 300 euro me të cilat mezi arrin të mbijetojë me familjen e tij pesëantarëshe.

“Çmimet janë ngritur shumë dhe s’dimë çfarë të bëjmë. Ashtu disi arnohemi. Shteti duhet të marrë masa për uljen e çmimeve pasi rrogat janë shumë të ulëta, janë katastrofale dhe mezi arrijmë të mbijetojmë”, thotë ai.

Stojanka, pensioniste nga Shkupi, thotë se me të ardhurat mujore prej 230 eurosh e ka shumë vështirë, që së bashku me bashkëshortin t’ia dalin.Ajo thotë se mundohen të mbijetojnë duke blerë vetëm gjëra elementarem pasi pjesën më të madhe të pensionit e shpenzojnë për ilaçe.

“Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Gjithçka është shtrenjtuar. Isha në treg dhe pash se domatet, specat dhe gjitha prodhimet tjera janë shtrenjtuar. Vitin e kaluar ishin më lirë, ndërsa tani pothuajse janë dyfishuar, ndërsa pagat janë të njëjta”, thotë ajo.
Samet Bajrami, i papunë, thotë se familjen e mban me një ndihmë sociale që nuk arrin as 200 euro.

“Jemi pa punë, pa asgjë. Mundohemi të mbijetojmë me një ndihmë sociale, por shumë vështirë pasi as rrymën nuk arrijmë të paguajmë, as ujin pasi gjithçka është shtrenjtuar. Jeta është bërë shumë e vështirë”, thotë Bajram.

Edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut ka dalë më të dhëna për thellimin e krizës ekonomike. Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe një vit më parë ishte 34.000 denarë (550 euro), ndërsa tani ajo ka shënuar rritje prej 5.500 denarë (rreth 100 euro), përkatësisht shporta sindikale është 39.700 denarë (645 euro).

Produktet ushqimore në muajin qershor ishin mbi 20 për qind më të larta se muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Buka është shtrenjtuar me 30 për qind, vaji me 50 për qind dhe sheqeri, mishi, qumështi, perimet dhe vezët me rreth 20 për qind. Janë shtrenjtuar edhe shërbime komunale si uji, ngrohja qendrore dhe energjia elektrike si dhe karburantet, të cilat shënuar rritjen rekorde në nga mesi i muajit korrik, në rreth 2 euro për një litër naftë.

Qeveria thotë se po bënë gjithçka për të ndihmuar, para se gjithash familjet e rrezikuara sociale.

Në muajin mars ajo uli Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për produktet ushqimore bazë nga 5 për qind në zero dhe kufizoi marzhën për tregtarët. Por, nga 1 qershori, këto masa u hoqën, gjë që çoi në rritjen drastike të çmimeve të disa produkteve.

Për të parandaluar rritjen e çmimeve, Qeveria më 31 qershor i riktheu masat, por vendimi u cilësua si i vonuar pasi tregtarët veçse kishin rritur çmimet.

“Ministria e Financave në bashkëpunim me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike dhe Ministrinë e Ekonomisë janë duke punuar në hartimin e masave të tilla. Ato masa kanë për synim të shkojnë atje ku ka nevojë, për ata qytetarë, për ato familje që janë realisht në nevojë dhe kanë të ardhura të ulëta në familjet e tyre dhe jo të shpërndahen te të gjithë konsumatorët. Sepse disa kanë të ardhura më të larta dhe mund të paguajnë faturat për shpenzimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes. Parashihen edhe masa tjera”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sipas Qeverisë maqedonase, prioritet kryesor në periudhën në vijim do të jenë edhe masat për përballje me krizën energjetike, pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski, disa herë ka përsëritur se dimri që vjen do të jetë ndër më të vështirët për vendin./REL

Të fundit