E mërkurë, 5 Tetor, 2022

BIE NUMRI I TË INFEKTUARVE, REKOMANDOHET RESPEKTIM MASASH

Rënie të rasteve të reja në bazë javore ka në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut që ka për 23 përqind më pak raste krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Javën e kaluar Komisioni për Sëmundje Infektive mbajti takim, në të cilin konstatoi se vendi është në fazën e transmetimit të gjerë me kapacitete adekuate reagimi dhe në kushte të tilla nuk ka nevojë për masa të reja për Covid-in. KSI apeloi për sjellje të përgjithshme dhe respektim të masave aktuale. Për momentin, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë 4.218 raste aktive me koronavirus

 Shkruan: Eljesa Dervishi

Pas rritjes së numrit të infektimeve me korona virus, tani vërehet një trend në rënie i numrit të rasteve të reja me COVID-19 në mbarë botën. Sipas statistikave javore në Uorldmeters, në shtatë ditët e fundit, në nivel global vërehet një rënie prej 17 përqind të rasteve të reja, krahasuar me javën e kaluar. Për 11 përqind është ulur edhe numri i vdekjeve.

Në Evropë javën e kaluar pati 29 përqind më pak raste me Covid, në Amerikën Veriore dhe Jugore për 27 përqind, në Azi për dy përqind, Afrikë për 49 përqind, Australi dhe Oqeani për 24 përqind.

Rënie të rasteve të reja në bazë javore ka në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut për 23 përqind më pak raste krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore.

Rritje e numrit të personave me Covid është regjistruar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Letoni, Lituani, Poloni, Rusi, Serbi, Hungari dhe Spanjë.

Javën e kaluar Komisioni për Sëmundje Infektive mbajti takim, në të cilin konstatoi se vendi është në fazën e transmetimit të gjerë me kapacitete adekuate reagimi dhe në kushte të tilla nuk ka nevojë për masa të reja për Covid-in.

KSI apeloi për sjellje të përgjithshme dhe respektim të masave aktuale.

“Mbetet rekomandimi i fuqishëm për të gjithë qytetarët, ndërsa veçanërisht për qytetarët që i përkasin grupeve të rrezikuara për ecuri më të rëndë të sëmundjes, t’u përmbahen të gjitha masave të përcaktuara epidemiologjike për mbrojtjen nga infeksioni, si larja e shpeshtë dhe thelbësore ose dezinfektimi i duarve, shmangia e turmave dhe qëndrimi në hapësira të mbyllura dhe pa ajrosje dhe mbajtja e maskave mbrojtëse, si dhe respektimi i rekomandimeve për vaksinimin kundër Covid-19”, apeloi Komisioni.

Për momentin, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë 4.218 raste aktive me koronavirus. Numri më i madh janë nga Shkupi – 1700, ndërsa Dojran, Demir Kapi, Dellçevë, Makedonska Kmenicë dhe Makedonski Brod ka numër njëshifror të rasteve aktive. Pehçeva është i vetmi qytet në vend pa raste aktive.

Autoritetet shëndetësore në vend dhe në botë, megjithatë apelojnë për vigjilencë për shkak të përkeqësimit të mundshëm të situatës epidemiologjike në vjeshtë.

Disa nga vendet e rajonit si Bullgaria dhe Mali i Zi kanë vendosur ta rikthejnë mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në ambiente të mbyllura. Autoritetet shëndetësore greke nuk po planifikojnë masa të reja kufizuese, por thonë se gjithçka do të varet nga situata në vjeshtë. Ata duan që Covid-19, edhe pse mbetet pandemi, ta trajtojnë si një sëmundje endemike, “ku nuk do të ketë nevojë për masa të rrepta apo të detyrueshme”.

Qeveria gjermane, megjithatë, ka njoftuar se disa kufizime bazë do të mbeten në fuqi gjatë vjeshtës dhe dimrit të ardhshëm, kur ekspertët presin rritje të rasteve me Covid – 19 pasi njerëzit kalojnë shumë kohë në hapësira të mbyllura.

Deri më tani në botë janë regjistruar rreth 590 milionë raste me korona virus, kanë vdekur 6.5 milion njerëz dhe janë aktivë 22.5 milion raste.

Në Maqedoninë e Veriut, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid – 19 që nga fillimi i epidemisë është 330.755, numri i të shëruarve është 317.149, ndërsa numri i të vdekurve është 9.388.

Të fundit