E mërkurë, 17 Gusht, 2022

BE irriton vendet e lindjes së kontinentit të vjetër, ato të Ballkanit Perëndimor

Shkruan: Dr Abdulah Ahmedi

Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, në Parlamentin Evropian në Strasburg, prezantoi një projekt që parashikonte një Komunitet Politik Evropian (KPE) që synonte forcimin e lidhjeve midis Bashkimit Evropian dhe atyre që ndajnë vlerat e tij pa qenë anëtar. Është fjala për një Organizatë që do t’u mundësonte Vendeve demokratike evropiane t’u përmbahen vlerave thelbësore të BE-së dhe të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim në energji, transport, investime, infrastrukturë, lëvizje të njerëzve dhe në veçanti të të rinjve.

Në këtë fazë, nuk është e qartë nëse KPE përbën një model të ri anëtarësimi në BE, i cili përmbys logjikën e praktikuar deri më tani! Përkatësisht, praktika e aplikuar për t’u anëtarësuar në BE është si vijon nëse një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet së pari të integrojë acquis të Komunitetit, përkatësisht të drejtën e Unionit, në legjislacionin e tij kombëtar dhe se ekonomia e tij të jetë konkurruese me ato të shteteve anëtare të BE-së.

Por, një kthesë ka ndodhur dje, Këshilli Evropian i BE-së në Bruksel u dha dritën jeshile tre vendeve Ukrainës dhe Moldavisë (kandidatura e Gjeorgjisë është në rrugë) për marrjen e statusit kandidat. Ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia) do t’u kërkohet të presin edhe shumë vite të tjera!? Vendimmarrja kërkon unanimitet të 27 anëtarëve të BE-së për zgjerimin e BE-së, kështu është Bullgaria e cila vendosi veton duke e ngjekur «projektin Macron». Rrjedhimisht, një vendim i Këshillit të BE-së jo shumë për t’u pëlqyer me pasoja natyrisht dhe në të njëjtën kohë që ka gjasa të gjenerojë padurim dhe zhgënjim tek vendet kandidate për në BE si dhe lodhje dhe dekurajim në opinionin e tyre publik. Përveç kësaj, frika se ky bashkëpunim i ri në suaza të KPE do të ndikojë në vonimin e anëtarësimit të tyre në BE.

Aktualisht, ajo që mund të shohim në vendet e Ballkanit Perëndimor është se ato përmbushin kriteret politike të cilat natyrisht janë të pranishme nga kërkesa për të qenë një demokraci liberale që respekton shtetin e së drejtës për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së. Respektimi i këtyre kritereve nuk ka ofruar deri tani një konkretizim të parë të hyrejes e një vendi në familjen evropiane. Pavarësisht kësaj, është e dukshme dhe që bie në sy, janë kriteret ekonomike dhe ligjore që bllokojnë procedurat e aderimit në BE që kërkojnë kohë, shumë kohë për t’u plotsuar. Kështu, historia tregon se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) ju deshën më së shumëti se nga 10 deri në 12 vjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Pra, vendet e Ballaknit Perendimor mbetet të zgjedhin të jenë me shtetet që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, Zvicrën, Islandën dhe madje edhe me ato që e lanë atë si Mbretëria e Bashkuar, dhe të forcojmë lidhjet me to duke refuzuar anëtarësimin në BE ose të kapin opcionin tjetër të ndjekin rrugën e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL). Një punë e vërtetë e mundimshme mbetet për të bërë «puna e milingonave» nga vendet kandidate për në BE, vendet e lindjes së kontinentit të vjetër, ato të Ballkanit Perëndimor.

Të fundit