E mërkurë, 17 Gusht, 2022

RAMA SËRISH I ASHPËR ME BE-NË: STATUSI I KANDIDATIT ËSHTË SI NJË LLOJ PILULE KUNDËR DEPRESIONIT

Kryeministri Edi Rama në një intervistë në emisionin “Talking Europe” në France24 komentoi takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian,  kryeministri Rama e përshkruan “si një lloj pilule kundër depresionit për të rritur moralin e vendeve”, duke theksuar se e ndjente “të drejtë të njihte ukrainasit si një komb që po bëjnë shumë për ne, se si ata parandalojnë avancimin e kundër-reformës më të frikshme në botë që Putin dëshiron të vendosë”.

Kreu i qeverisë tha se nuk është Shqipëria që ka bërë një proces të ngadalë drejt BE-së, por është ky i fundit që ka ngadalësuar përparimin për këtë proces.

Ai theksoi se nuk është i frustruar, por është i trishtuar nga dështimi i BE-së për të përmbushur premtimin e dhënë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nuk është Shqipëria që ka bërë progres të ngadaltë drejt BE-së, por BE-ja është ngadalësuar. Nuk jam i frustruar, por tepër i trishtuar nga dështimi i Bashkimit Europian për të përmbushur premtimin e dhënë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, mësohet të ketë thënë Rama.

I vetmi rezultat pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin evropian ishte pranimi në tryezën e këshillit me statusin e vëzhguesit.

Dy vendet janë sërish larg çeljes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE.

Kryeministrat Rama e Kovaçevski dhe presidenti i Serbisë Vuçiç në konferencën e përbashkët për shtyp e ri-përsëritën në forma të ndryshme fjalën zhgënjim.

Ndërsa sot ndodhi një zhvillim pozitiv, ku parlamenti bullgar miratoi propozimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, dhe për rrjedhojë duke i hapur rrugë edhe Shqipërisë.

Të fundit