E martë, 16 Gusht, 2022

MAJLINDA BREGU: 76% E BALLKANIT PERËNDIMOR MBËSHTET BASHKËPUNIMIN RAJONAL

 

Nga Brukseli për KDPOLITIK: Seladin Xhezairi 

Shumica e qytetarëve mbështesin bashkëpunim rajonal, tregon rezultati i anketës së Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për vitin 2022 në kuadër të Barometrit të Ballkanit dhe SecuriMeter.

“Ndërsa shumë gjëra ndryshojnë, sondazhet tona të perceptimit të publikut dhe biznesit mbeten një tregues i vërtetë i opinionit në të gjithë rajonin. Herë herë rezultatet na befasojnë, herë shërbejnë si alarm, ndërsa herë të tjera konfirmojnë se përpjekjet tona nuk janë të kota pasi qytetarët dhe bizneset i ndjejnë përfitimet e punës sonë. 76% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e shohin bashkëpunimin rajonal një qasje të shkëlqyer”, tha Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e RCC, gjatë eventit të mbajtur sot në Bruksel, pas zhvillimeve të Samitit BE – Ballkan Perëndimor.

Barometri i Ballkanit dhe SecuriMeter janë sondazhe vjetore të opinionit publik dhe të biznesit të porositura nga RCC, të cilat shqyrtojnë perceptimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe bizneseve të Ballkanit Perëndimor ndaj një sërë fushash e temash, si integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal, dixhitalizimi, punësimi, siguria, krimi i organizuar, emigrimi, radikalizimi online , etj. Ky është edicioni i 8-të i Balkan Barometer dhe i dyti për SecuriMeter për Ballkanin Perëndimor.

“Sot do të doja të mbani mend disa numra. 60 – është përqindja e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që mbështesin anëtarësimin në BE, një shumicë ende edhe pse vitin e kaluar ishte 62%. Por nëse do të pyesnim qytetarët tanë sot për mendimin e tyre rreth integrimit në BE, besoj se do të kishim një shifër tjetër për shkak të zhgënjimit që vjen nga “JO”-ja për zgjerimin në BE të rajonit tonë 74 – është përqindja e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që pohojnë se keqinformimi është një kërcënim për sigurinë në ekonomitë e tyre, ndërsa 1 në 3, vazhdimisht, e shohin korrupsionin si një kërcënim të madh për jetën e tyre. 67 – është përqindja e të rinjve që thonë se po e konsiderojnë që të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Vetëm 21% kanë besim te partitë politike, ndërsa 75% jo. 66 është përqindja e njerëzve që e shohin si problematike ndotjen në vendbanimin e tyre dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, 43 – është përqindja e bizneseve të Ballkanit Perëndimor që thonë se roaming pa pagesë në rajonin tonë ka pasur një ndikim pozitiv në veprimtarinë e tyre të biznesit”, shtoi Bregu.

“Më lejoni ta mbyll me këtë konkluzion: Nuk mund të ketë asnjë perspektivë të BE-së (të cilën qytetarët e mbështesin në nivelin 60%) pa bashkëpunimin rajonal mbështetur nga 76% e qytetarëve. Por ka më pak shanse për të bindur zërat e ashpër në BE se ne nuk do t’i shkaktojmë probleme BE-së nëse korrupsioni dhe krimi i organizuar janë ende një shqetësim për më shumë se 80% të qytetarëve. Do të jetë e vështirë për të përmirësuar rajonin e për ta kthyer atë në një qendër të madhe investimesh, nëse 67% e të rinjve do të donin të largoheshin jashtë vendit. Mediat sociale lidhin njerëzit, por keqinformimi po bëhet një kërcënim për sigurinë kombëtare në mbarë botën. E njëjta gjë vlen edhe për ndotjen e ajrit. Njerëzit që jetojnë në qytetet e Ballkanit Perëndimor humbin deri në 1.3 vjet jetë nga ndotja e ajrit, pasi popullsia është e ekspozuar ndaj disa prej përqendrimeve më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë. Dhe së fundi: ku ka vullnet ka edhe rrugë. Ky është mësimi i nxjerrë nga “Roam Like at Home” që rajoni e filloi dhe e realizoi me sukses”, përfundoi Bregu.

Alessandra Viezzer, Zëvendës Shefe e Njësisë së Bashkëpunimit Rajonal dhe Programeve të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian (DG NEAR), Marie Delile, këshilltare përgjegjëse për Ballkanin në Përfaqësinë e Përhershme të Francës në BE dhe Andrea Cascone, Drejtoreshë për Adriatikun dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, iu bashkuan Sekretares së Përgjithshme të RCC, znj. Bregu në hapjen e aktivitetit.

Prezantimi përfundoi me panelin e moderuar nga Radu Magdin, CEO në Smartlink Communications, me panelistët: Gentian Elezi, nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare, Dimitar Bechev, Studiues vizitues në Carnegie Europe, Valbona Zeneli, Kryetare e Iniciativave Strategjike/ Departamenti në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C., Marshall dhe Dejan Jović, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit.

Barometri i Ballkanit është autorizuar nga RCC dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zhvillohet çdo vit që nga viti 2014 nga një agjenci e pavarur mes më shumë se 6,000 qytetarëve dhe 1,200 kompanive në të gjithë rajonin. Barometri Ballkanik është pozicionuar si një burim i besueshëm i të dhënave rajonale, të përdorura gjerësisht dhe të referuara nga media, biznesi, shoqëria civile dhe vendimmarrësit.

VIDEO

SecuriMeter i Ballkanit Perëndimor është një Sondazh i Opinionit Publik mbi çështjet e sigurisë, i kryer midis më shumë se 6000 qytetarëve të Ballkanit Perëndimor si një sipërmarrje e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, financuar nga qeveria e Italisë.

Të fundit