E diel, 26 Qershor, 2022

Michel: S’ka datë për negociatat!

Një muaj nga mbledhja e liderve të Bashkimit Evropian, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel u rikthye në Tiranë jo me një datë për konferencën e parë ndërqeveritare por me propozimin e presidentit francez Emannuel Macron. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vendit të asocuar në Bashkimit Evropian.

“Të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të tejkalojmë sfidat. Nga ana tjetër është e rëndësishme që të mos presim vendimin përfundimtar. Një ide është e anëtarëve të asociuar, pra qasje e përafërt që të kemi formatet e duhura që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë dhe si të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të jemi konkretë dhe operacionalë”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

“Ideja e anëtarit të asociuar të Bashkimit Europian, pra një komunitet i ri politik europian që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, që lidhen me përballimin e krizave që na prekin bashkërisht. E nëse do të vijë dita që ne të jemi anëtarë të asociuar të Bashkimit Europian, kjo i jep fund të gjitha spekulimeve, i jep fund të gjitha teorive të konspiracionit, i jep fund të gjitha paranojave se ne po na mban Bashkimi Europian aty larg se nuk do të na fusë e se kështu e se ashtu. Kështu që unë mendoj që kjo është një gjë fantastike”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Deri në një vendimarrje të Bashkimit Evropian për propozimin e Emannuel Macron, që gëzon edhe mbështejen e kancelarit gjerman Olaf Sholz, në agjendën e BE-së ende nuk ekziston si një mundësi ndarja e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut, për aq kohë sa Bullgaria nuk heq dorë nga vetoja bllokuese.

“Unë jam mik i angazhuar për të zgjidhur vështirësitë për të cilat jemi konfrontuar. Pas disa javësh do kemi një mbledhje të fundit të presidencës franceze për të zgjidhur këtë situatë. Ne do bëjmë vlerësimin në qershor. Shpresoj që do jemi në gjendje të bëjmë këtë gjë. Natyrisht nëse nuk ndodh duhet ta rishohim situatën. Pozita e kryeministrit është e arsyeshme dhe e përligjur”, Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

Pasi poqi qofte me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, në vizitën që pati të enjten në Beograd, në Tiranë, Charles Michel bëhet zyrtari i parë i lartë i Bashkimit Evropian që është plotësisht dakort me nismën Ballkani i Hapur. Ndryshe nga disa kolegë të tij të BE-së që këmbëngulin te gjithëpërfshirja dhe rijetësimi i procesit të Berlinit, Presidenti i Këshillit Evropian i bëri thirrje Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës t’i bashkohen.

“Për Ballkanin e Hapur, më lejoni ta përsëris, unë personalisht e mbështes, uroj që të gjithë t’i bashkohen kësaj nisme, sepse më të mëdha do të jenë aftësitë për të forcuar strukturat ekonomike politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e BP me Europën. Është dhe çështja energjetike që është gjeopolitike për aftësitë blerëse. Kjo ka shumë kuptim. Duhet të krijohet kjo platformë politike. Duhet bërë ky hap integrimi duke u mbledhur të gjithë në një tryezë që të kemi inteligjencë kolektive të përbashkët”, Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

Miti që është krijuar që Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është një ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur, por Gjermania kërkon që Ballkani i Hapur të jetë gjithëpërfshirës./koha

Të fundit