E diel, 26 Qershor, 2022

A PO KËRKON BRUKSELI NJË “PARADHOMË” PËR BALLKANIN PERËNDIMOR, UKRAINËN DHE MOLDAVINË?

Shkruan: Enis Shaqiri

Eksperti për çështjet evropiane Geraln Knaus tha se bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëpritur, por nuk zëvendëson tregun e përbashkët evropian, ndër më të mëdhenjtë në botë.

“Anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është në një ‘dead end’, një rrugë qorre. Nëse duhet të tregohemi të ndershëm, duhet ta pranojmë se premtimet për Ballkanin nuk u mbajtën”, thotë ai në një debat në Këshillin Atlantik.

Knaus, i cili është president i Iniciativës Europiane për Stabilitet, vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bashkimit Europian (BE) në fillim duke hyrë në një treg të përbashkët ekonomik dhe më pas të anëtarësohen totalisht.

Ai shpjegoi tezën e tij të anëtarësimit më dy faza në BE, ashtu siç është vepruar në 1994 më Finlandën, Suedinë dhe Austrinë.

Ne propozojmë të bëhemi realistë dhe të ndershëm. Bashkimi Evropian dëshiron që Ballkani të jetë i qëndrueshëm dhe i integruar. Ekonomitë e Ballkanit kanë nevojë të integrohen në një treg të përbashkët evropian. Përndryshe nuk ka asnjë shans që të arrihet në nivelin e Rumanisë, vendet Baltike, Polonia dhe Sllovakisë, që të konvergojnë me mesataren e të ardhurave për frymë me vendet e gjera të Bashkimit Evropian”, u shpreh Knaus.

Nëse procesi nuk ecën përpara për arsye politike, atëherë Knaus thotë se duhet të shohim eksperiencat e së kaluarës dhe ta kthejmë në një proces me dy faza. Hapi i parë, sipas tij, është ofrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës edhe Moldavisë të jenë një treg i përbashkët ku do t’i gëzojnë katër liritë e lëvizjes, njësoj siç lëvizin norvegjezët, islandezët dhe rumunët apo bullgarët.

Nga ana tjetër Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.

“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.

Ndërkohë, njohësit e politikave të Bashkimit Evropian thonë se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut, është një përpjekje e tij për ndaluar zgjerimin e BE-së.

Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.

Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, thotë Vogel në një intervistë për REL.

Të fundit