E diel, 22 Maj, 2022

SA LIGJE “BLLOKON” OPOZITA NË PARLAMENT?

Partia opozitare VMRO-DPMNE tashmë ka filluar me “bllokimin aktiv” të parlamentit për siç thonë ata “shpëtim nga katastrofa nacionale”. Ndërkohë janë disa ligje të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare që me gjasë nuk do të mund të miratohen. Nuk dihet se si do të zhvillohen ngjarjet, ndërkohë që partitë opozitare në bllokun politik shqiptar kanë theksuar se secila parti ka agjendën e vetë dhe se do të presin deri më 22 qershor, kur edhe pritet fillimi i bisedimeve zyrtare me BE, ndërsa pastaj do të vendosin se si do të veprojnë në parlament

Shkruan: Enis Shaqiri

Fillimi i bllokadës së Kuvendit nga ana e VMRO-DMPNE-së, ka ngritur tensione në skenën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 10 maj, dita e parë e bllokadës së paralajmëruar aktive, filloi me debat të ashpër dhe në atmosferë të tensionuar. Deputetët opozitarë të VMRO- DMPNE-së dolën me pankarta në të cilat shkruante –“Bllokim aktiv për shpëtim nga katastrofa nacionale”, por edhe me mesazh se do të fillojnë t’i bllokojnë ligjet e dëmshme, duke shtuar se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme.

Në procedurë parlamentare janë ligjet si më poshtë:

– Ligji për rregullimin e statusit të objekteve të jashtëligjshme,

– Ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik,

– Ndryshimet në Kodin penal,

– Ligji për dëmshpërblimin e viktimave të veprave penale me dhunë,

– Kodi zgjedhor,

– Ligji për parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit,

– Ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje, si dhe

– Ligji për duhanin.

Këto janë ligjet që për momentin që nëse vazhdohet të bllokohet parlamenti nuk do të mund të futen në procedurë parlamentare.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, në një konferencë për shtyp foli për bllokadën në Kuvend nga ana e VMRO-së. Ai tha se kjo është e drejtë legjitime e çdo partie, por ata kanë agjendën e tyre dhe veprojnë si të pavarur. Sela tha se do të presin deri më datë 22 qershor kur dhe do të vendoset për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ata si parti do të vlerësojnë qëndrimin e tyre në kuvend.

Është e drejtë legjitime e një parti politike, Ne kemi agjendën tonë politike ku kemi propozuar disa ligje. Ku dje në seancën e Kuvendit nuk u vendosën në rendin e ditës propozimet tona për lojërat e fatit, por u vendosën pika të tjera që kishin vetëm dy ditë që ishin depozituar.”

Sela mes tjerash, i ka bërë thirrje Bullgarisë që ta tërheq veton për Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet sa më shpejt t’i hapin negociatat dhe të bëhen anëtare të BE-së, gjë që do ta bëjë Ballkanin Perëndimor vend më të sigurt për jetesë.

I bëj thirrje edhe palës bullgare, duke pasur parasysh situatën e sigurisë që po ndodh edhe në rajon, si dhe rrezikun që ekziston pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, të mendojnë për sigurinë në rajon, ta tërheqin veton, kjo do të jetë kompromis. Edhe ne, si politikanë, duhet të jemi të gatshëm për kompromis. Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut, duhet sa më shpejt t’i hapin bisedimet dhe të bëhen anëtare të BE-së. Kjo do ta bëjë Ballkanin Perëndimor vend më të sigurt për jetesë, dhe se 22 qershori është një datë që të gjithë presin të hapen negociatat, edhe nëse nuk ndodh kjo, atëherë ne do të shohim se si do të veprojmë. Aleanca është e pavarur vepron për interesat e saja”, tha Sela.

Kujtojmë se bllokimi i Kuvendit nga ana e opozitës vjen pas refuzimit të ofertës për takim liderësh që kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i bëri kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Ky i fundit e refuzoi këtë ofertë me arsyetimin se nuk pranon takim me vetëm një pikë të rendit të ditës, ku do të caktohej datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nuk do të ulej në një tryezë nën kërcënime dhe shantazhe. VMRO-DPMNE paralajmëroi se në periudhën që vijon do ta bllokojë Kuvendin në mënyrë aktive, gjegjësisht derisa pushteti nuk pajtohet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Të fundit