E diel, 22 Maj, 2022

“BLLOKIMI AKTIV” I KUVENDIT, A DO TË SJELLË ZGJEDHJE TË PARAKOSHME PARLAMENTARE?

Analistët politikë vlerësojnë se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është legjitime. Sipas tyre, me gjasë bllokada e parlamentit do të prodhojë zgjedhje të parakohshme në tetor ose nëntor. Analisti politik, Xhenur Iseni, thekson se këtë instrument të bllokimit e përdorin gjithë partitë kur janë në opozitë dhe në fakt këtë ua lejon rregullorja e parlamentit. Sipas tij, edhe vendimet absurde të partive që nuk bien ndesh me rregulloren e Parlamentit janë legjitime. Analisti politik, Faton Aliti thekson se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është legjitime sepse partitë politike gjithmonë kanë për qëllim pushtetin, por, nëse kërkesa të tilla bëhen pa arsye të qëndrueshme kjo nuk reflekton mirë te votuesi. E njëjta vlen edhe për bllokimin e punës së kuvendit.

Shkruan: Enis Shaqiri

Puna e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, që nga 10 maji po vazhdon nën një trysni dhe atmosferë të tensionuar për shkak të “bllokadës aktive” nga VMRO-DPMNE.

LSDM-ja beson se e ka tejkaluar pengesën e parë të opozitës, ndërkohë që ka theksuar se “ me zvarritje nuk fiton askush, humbin qytetarët dhe shteti”. Sipas kësaj partie VMRO-DPMNE ka dështuar në përpjekjen për ta bllokuar kuvendin.

Dy ditë ishin të mjaftueshme që qytetarët te shohin se nuk ishin të suksesshme përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për ta bllokuar Kuvendin. Dështuar përpjekjet për destruktivitet nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe asgjë nuk u arrit përveç që u zvarrit miratimi i rendit të ditës. U harxhuan dy ditë me propozime të palogjikshme megjithatë në fund rendi i ditës u miratua dhe Kuvendi vazhdon me punë. Me zvarritje nuk fiton askush. Humbin qytetarët dhe shteti”, u shpreh Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Nga ana tjetër kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se bllokimi në Kuvend do të vazhdojë.

Vazhdojmë. Do të shkojmë deri në fund. Ne duhet patjetër si parti shtetformuese dhe parti e popullit të rrimë pas interesave të qytetarëve, maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, vllehve, serbëve, të gjithë atyre që janë kundër atyre të cilët për ta fshehur krimin e tyre krijojmë ndarje”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, njohësit e rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut, thonë se vendi po shkon kah zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas tyre, me shumë gjasa zgjedhje do të ketë në tetor apo nëntor.

Analisti politik, Xhenur Iseni, thotë se të gjithë partitë kur janë në opozitë, e përdorin si instrument bllokimin e kuvendit, kundrejt pozitës dhe këtë ua lejon rregullorja e parlamentit.

“Natyrisht se këtë instrument të bllokimit po e përdorin gjithë partitë kur po janë në opozitë, dhe në fakt këtë po ua lejon rregullorja e Parlamentit. Ende më kujtohen fjalimet 14 orëshe të Talat Xhaferit me qëllim për të bllokuar një ligj të VMRO-DPMNE-së. Pra ky instrument është i njohur në praktikat parlamentare por jo në formën dhe mënyrën siç e praktikojnë tek ne p.sh, me përmbajtje të amendamenteve paradoksale, pra vetëm duke printuar me mijëra amendamente pa kuptim, vetëm për të fituar në procedurë dhe kohë,” thekson Iseni për KDP

Iseni mes tjerash theksoi se instrumenti “filibustering” është përdorimi i taktikave zvarritëse në përpjekje për të vonuar ose parandaluar veprimin apo projektligjin në Kuvend. Sipas tij, ky instrument është për t`u përdorur dhe jo për t’u keqpërdorur.

“Edhe pse kështu e ka demokracia, edhe vendimet absurde të partive që nuk bien ndesh me rregulloren e Parlamentit janë legjitime, por çështja është se çfarë efekti mund të kenë? Me një fjalë shkurtimisht, instrumenti ‘filibustering’ është instrument për t’u përdorur e jo për t’u keqpërdorur.  Por, në fund mendoj se vendi po shkon kah zgjedhjet e parakohshme, që ndoshta do të ndodhin  në tetor apo nëntor”, thekson analisti, Xhenur Iseni.

Analisti politik, Faton Aliti për KDP thotë se kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është legjitime, por skepticizmi qëndron tek koha dhe rrethanat me të cilat përballet vendi për zgjidhje në procesin euro-integrues. Sipas tij, interesi shtetëror duhet gjithmonë të jetë mbi atë partiak.


Kërkesa për zgjedhje të parakohshme është legjitime sepse partitë politike gjithmonë kanë për qëllim pushtetin. Por, nëse kërkesa të tilla bëhen pa arsye të qëndrueshme kjo nuk reflekton mirë te votuesi. E njëjta vlen edhe për bllokimin e punës së kuvendit. Duhet zgjedhur koha dhe rrethanat për veprime të tilla më radikale, sepse interesi shtetëror duhet gjithmonë të jetë mbi atë partiak. Mendoj se nuk e kanë zgjedhur kohën e duhur duke pasur parasysh zhvillimet në procesin integrues,” thekson Aliti.

Sipas tij, bllokada e kuvendit nuk do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare, por me shumë gjasa këtë rezultat mund ta sjellë mosmarrëveshja eventuale mes partnerëve të koalicionit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Nuk mendoj se ky bllokim do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme, por mendoj se atë rezultat mund ta kemi si pasojë e mosmarrëveshjes eventuale mes partnerëve të koalicionit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këtu posaçërisht kam parasysh partinë e Pavle Trajanovit, të cilët janë deklaruar se do ta lëshojnë shumicën nëse Maqedonia nuk do të jetë me një njësi zgjedhore. Duket sikur kjo parti tani më është në proces të negocimeve me VMRO-në sepse kushtëzon me vendosmëri sikur ata kontrollojnë shumicën parlamentare. E në fakt kanë një apo dy deputet”, ka theksuar për KDP, Faton Aliti

Të fundit