E diel, 22 Maj, 2022

ANALISTI SERB: SERBIA DUHET TË PËRCAKTOHET – O KOSOVA, O BE-ja

Redaktori i portalit serb Vreme, Andrej Ivanji, thotë për tv e pavarur N1 se gjithmonë ka qenë e qartë se ‘nëse qytetarët e Serbisë dëshirojnë që vendi të jetë në BE, do të duhet të zgjedhin mes Kosovës dhe BE-së’, përkatësisht se ‘edhe Kosova edhe BE-ja,kjo kurrë nuk ka kaluar, ndërsa tani në këtë konflikt global, që është konflikti në Ukrainë, nuk mund të jesh i papërcaktuar, nuk mundet edhe Rusia edhe Lindja edhe Perëndimi,’- transmeton KDP vlerësimin e analistit nga Beogradi.

Sipas tij, një nga problemet e mëdha të Serbisë është ai se ‘ekziston ajo narrativa nga jashtë se prioriteti ynë i politikës së jashtme është rruga evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë të gjitha tabloidët dhe mediat me frekuencë kombëtare kanë përhapur politikën pro-ruse dhe antievropiane’.

‘Prandaj është problem si t’ua shpjegosh njerëzve se dëshiron të vendosësh sanksione asaj Rusisë, e cila na mbron gjatë gjithë kohës. Vendimi që Serbia të mos e njoh pavarësinë e Kosovës, pra një territor mbi të cilin nuk ka kurfarë ingjerencash – ose një pozicion deri në fund ose hyrje në BE, njëra përjashton tjetrën,’- thotë Ivanji.

Ai shton se Serbia ‘e ka vënë veten në një situatë sa të mos ndjek politikë nga bindja, por të reagojë ndaj presioneve nga e majta dhe e djathta”.

‘Kjo ka bërë që Serbia të mos ketë asnjë aleat në botë, përveç Hungarisë së Orbanit. Rusia, po ishte një aleate e vërtetë e Serbisë, megjithatë, në këtë situatë, nëse Serbia iu bashkohet kërkesave të BE-së dhe SHBA-së, cilët janë aleatët e saj?! A do të bëhet Serbia aleate e Perëndimit?! Ata do të thonë – ‘ne ia dolëm t’i detyrojmë, por nuk u besojmë,’- vlerëson Ivanji.

Redaktori i portalit të pavarur serb çmon se Serbia mund të kishte udhëhequr atë  ‘imitimin e çuditshëm të politikës së Titos të të painkuadruarëve’, përderisa nuk ishte e rëndësishme.

‘Në këtë moment më asgjë nuk është më e parëndësishme, Serbia është kthyer në fokus, sepse është damkë në Evropë, si sferë ruse e interesit, është bërë e rëndësishme dhe prandaj presioni po rritet,’- argumenton Andrej Ivanji.

Ai shton se nuk i kujtohet që Gjermania të ketë ushtruar një presion kaq të fortë ndaj një vendi, siç bën tani ndaj Serbisë, me vizitat e zyrtarëve të shumtë të lartë dhe më pas me shkuarjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në Berlin, të gjitha këto brenda një afati të shkurtër.

‘Është shumë e qartë se po kërkohet të zgjidhet çështja e Kosovës dhe kjo nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës,’- vë në dukje Ivanji.

Duke folur për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE), ai thotë se ky është një precedent tjetër – që një vend i cili nuk është i njohur ndërkombëtarisht të bëhet anëtar i KE-së.

‘Mirëpo, në marrëdhëniet e tilla jonormale globale, do të ketë edhe shumë  precedentë të tjerë, jemi të pranishëm në një varg precedentësh,’- vlerëson  Ivanji, duke shtuar se nuk është e befasishme që autoritetet e Prishtinës u përpoqën të shfrytëzojnë situatën e krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë duke paraqitur kërkesën për anëtar të KE-së, si dhe të llogarisin me shumicën në këtë organizëm evropian, sepse 36 nga 41 anëtarët e kanë njohur Kosovën.

Duke komentuar paqartësitë për formimin e qeverisë së re në Beograd, Ivanji veçon rolin e presidentit Aleksandar Vuçiq. Thotë se ‘Vuçiq është një politikan me shumë përvojë, ai në çdo rast dëshiron të ketë të njëjtin koalicion edhe në Beograd dhe në nivel republike, ndërsa me kë do të krijojë qeverinë ende nuk dihet’. Duke analizuar mundësinë e përfshirjes në koalicion të Partisë Socialiste të Serbisë, parti kjo e Milosheviqit që aktualisht drejtohet nga Ivica Daçiq, analisti serb argumenton se PSS-ja është problem për shkak se është ‘parti proruse, me marrëdhënie të mira politike, ndoshta edhe ekonomike në Moskë’ dhe është në pikëpyetje ‘nëse PSS-ja do të ishte e pranueshme për partnerët perendimorë të cilët kërkojnë që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë,’ – transmeton KDP deklaratën e analistët të portalit ‘Vreme’ për TV N1.

Të fundit